Tregimet në skaj të ligjshmërisë të Alban Mujës, piktorit me famë që ekspozon sonte në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup

Sonte, më datë 7 qershor, në orën 20, në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup do të hapet ekspozita personale e piktorit nga Kosova Alban Muja, “Linjat e venitjes: Tregime në skaj të ligjshmërisë“. Kurator i kësaj ekspozite është Vladimir Jançevski, njofton Portalb.mk.

Alban Muja është i njohur për publikun shqiptar dhe atë maqedonas, sepse në dekadën e fundit ka marrë pjesë në disa ekspozita të rëndësishme, duke përfshirë ekspozitën e tij të parë personale “Emërtimi” në vitin 2014, kuruar nga Vladimir Jançevski, si dhe ekspozita ndërkombëtare grupore “Gjithçka që kemi të përbashkët” në 2018, kuruar nga Jovanka Popova dhe Mira Gaqina.

Për më tepër, Alban Muja ka ekspozuar në galeritë dhe muzetë më të rëndësishëm të botës dhe fama e tij arrin deri në shumë shtete e kontinente.

Muja e ka prezantuar Kosovën në edicionin e 58-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venedik.

Në pavijon, ai prezantoi një video instalacion me tre kanale të titulluar “Albumi Familjar” që futet në kujtesën personale dhe kolektive të Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe zgjon kureshtjen mbi rolin që kanë imazhet dhe mediat në ndërtimin dhe formësimin e narrativeve, identitetit dhe historisë në kohë konfliktesh.

Alban Muja (lindur në Mitrovicë me 1980) është artist Kosovar, i cili aktualisht jeton mes Berlinit dhe Kosovës. Ai ka përfunduar studimet e Bachelor dhe Master në fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Punën e tij, Muja e realizon përmes mediumeve të ndryshme, përfshirë video instalacione, filma të shkurtër, filma dokumentarë, pikturë, fotografi dhe performancë.

Punimet e Mujës janë shfaqur vazhdimisht në ekspozita ndërkombëtare, festivale dhe programe të ndryshme duke përfshire edhe prezantimet personale. Kryesisht i ndikuar nga proceset dhe transformimet sociale, politike në Kosovë dhe rajon, ai hulumton historinë dhe temat socio-politike të cilat i ndërlidhë me pozitën e tij sot në Kosovë.

Kuratori i ekspozitës Vladimir Jançevski shkruan:

“Në një botë dinamike të përcaktuar nga ndryshime të vazhdueshme, fenomeni i shkatërrimit të sistemit social, politik dhe ekonomik, është pjesë e përvojës së shoqërive tona të mbërthyera në një tranzicion të pafund.

Kufijtë, barrierat, muret, të dukshëm dhe të padukshëm, ndërtimi, rindërtimi, rinovimi, vrimat dhe skajet në ligj, apo gjetkë, tranzicioni, transformimi, tejkalimi, janë gjërat që na përshkruajnë.

Praktika artistike e Alban Mujës eksploron aspekte të ndryshme të strukturave që përcaktojnë çështje kombëtare, ideologjike, identitare dhe ekzistenciale, të cilat mund të mos jenë aq të dukshme. Veprat e tij shkojnë përtej përfaqësimit dhe rrëfimit të thjeshtë, duke u fokusuar gjithashtu në rolin që luajnë imazhet dhe media në ndërtimin dhe formësimin e narrativeve dominuese në çështjet historike dhe qëndrimet ndaj identitetit. Disa nga projektet e Alban Mujës fokusohen në ndërtesa atipike, si shtëpitë modeste familjare që ngrihen në mënyrë të pakontrolluar mbi çati. Duke u thelluar në analizimin e këtij peizazhi jokonvencional të qytetit, si dhe duke marrë parasysh stagnimin urban dhe konturet e tij në zhvillim, Muja krijon një hartë të qytetit, e cila njëkohësisht dëshmon për dështimin e sistemit, si dhe për qasjen individuale “kreative” ndaj problemeve urbane.

Praktika artistike e Mujës reflekton dhe komenton shoqërinë bashkëkohore dhe vështirësitë e saj në një kontekst shumë specifik gjeopolitik. Duke përdorur pozicione specifike kritike të kombinuara me ironinë dhe me mendjemprehtësinë, veprat e tij artistike balancojnë hidhërimin që del nga sistemi gjeopolitik, social dhe artistik. Duke implikuar një vështrim dhe një sërë marrëdhëniesh strukturore, gjeografike dhe territoriale, artisti tërheq vëmendjen te popujt e këtij rajoni – si në vend, ashtu edhe në komunitetet e tyre jashtë vendit, të rrënjosura tradicionalisht në punën e ndërtimit, fenomenin e punës së emigrantëve dhe problemin e të qenit të privuarit nga mjetet sociale, siguria ekonomike dhe juridike.

Ekspozita e Alban Mujës në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup paraqet një përzgjedhje të punimeve të tij në periudhën ndërmjet viteve 2016 dhe 2023. E konceptuar si një përpjekje për të lidhur veprat plotësuese/komplementare që paraqesin dhe vëzhgojnë në mënyrë kritike gjendjen e përbashkët dhe shqetësimet tona të përbashkëta përtej kufijve, ekspozita fokusohet në jetën e përditshme, si dhe në përvojën e një situate të tranzicionit të detyruar dhe pasigurisë së zgjatur.”

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 28 gusht.