Shtetasja turke sulmoi policët në Aeroportin e Shkupit, Prokuroria i caktoi paraburgim

Një shtetase turke ka sulmuar një polic në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, me çka Prokuroria Publike i ka caktuar masën e paraburgimit, raporton Portalb.mk.

Siç njofton Prokuroria, më 8 prill shtetasja e huaj ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga Stambolli, por gjatë kontrollit të pasaportave është konstatuar se ajo nuk i plotëson kushtet e përgjithshme për hyrje në vend.

“Oficerët e policisë e drejtuan atë zonën e aeroportit për të pritur fluturimin tjetër për në Stamboll. Megjithatë, ajo u bë agresive, filloi të kërcënonte sigurinë e aeroportit, hodhi karriget, pas së cilës u desh të ndërhynin disa policë”, tha Prokuroria.

Prokuroria shtoi se e dyshuara vazhdoi t’i kërcënojë dhe ofendojë, ndërsa fizikisht e ka sulmuar dhe goditur një polic.

“Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtetases së Republikës së Turqisë 36 vjeçare ndaj të cilës është iniciuar procedurë penale – Sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së punëve të sigurisë nga Neni 383 paragrafi 1 i Kodit Penal”, tha Prokuroria.

Propozimi për caktimin e masës së paraburgimit është paraqitur për shkak të rrezikut të arratisjes.