Tre shtete të Ballkanit Perëndimor nuk janë përfshirë në paketën e Komisionit Evropian për energjinë e pastër
Komisioni Europian ka planifikuar investime të reja në energjinë e pastër, në një shumë deri në 487 milionë euro, si pjesë e një pakete të veçantë që përfshin tri shtete të Ballkanit Perëndimor. Lajmi është bërë i ditur pas takimit të mbajtur në Shkup mes Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, dhe liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, raporton Kallxo.
Duke shfrytëzuar parafinancimin e vënë në dispozicion për përfituesit që kanë përfunduar të gjithë punën përgatitore, Komisioni Europian i ka propozuar Bordit Operacional të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) një paketë investimi prej 87.7 milionë eurosh.
“Kjo pritet të mobilizojë një total prej 487.3 milionë eurosh për tetë investime të reja në energjinë e pastër në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi”- shkruan në njoftimin e KE-së, më 01.07.2025.
Aty nuk përfshihen si përfituese Kosova, Bosnja Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.
Në energji elektrike në kuadër të kësaj pakete është paraparë ndërtimi i linjave ajrore, ndërtimi i nënstacioneve në Shqipëri dhe Mal të Zi.
Në hidroenergji është paraparë rehabilitimi i hidrocentraleve në Shqipëri dhe Serbi.
Dhe, në ngrohje diellore: integrimi i energjisë së rinovueshme në Sistemin e Ngrohjes së Qarkut Novi Sad në Serbi.
“Këto investime do të zbatohen në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare përmes WBIF”- shkruan në njoftim.
Ndryshe, liderët e gjashtë partnerëve të BE-së nga Ballkani Perëndimor, në takim me komisioneren e zgjerimit të BE-së, Marta Kos, sot në Shkup, riafirmuan vendosmërinë e tyre për të shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga Plani i Rritjes për rajonin.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat. Për Maqedoninë e Veriut janë të dedikuara 750 milionë euro.