Trashëgimia e familjes, kërcënimet dhe dhuna: Sot dëshmuan vëllai i Ivanës dhe mësuesja e Katjas

Në seancën e sotme gjyqësore kundër Stojançe Jovanovskit, i akuzuar për dhunë të rëndë në familje që përfundoi tragjikisht me vdekjen e gruas dhe vajzës së tij, dëshmoi mësuesja e Katjas dhe vëllai i Ivanës, Aleksandar Stojanovski. Ai sqaroi dilemat rreth pasurisë dhe trashëgimisë së familjes, transmeton Portalb.mk.

Aleksandri tregoi se pas vdekjes së të atit, familja kishte rënë dakord që prona të ndahej në mënyrë të barabartë, duke përfshirë edhe Ivanën. Megjithatë, kur duhej të përfundonte procedura tek noteri, Ivana nuk erdhi, dhe familja filloi të marrë mesazhe të dyshimta, të cilat dyshohej se ishin nga Stojançe, duke ndërprerë kështu procesin e trashëgimisë.

Ai shtoi se Stojançe e kishte kërcënuar se do të digjte pronën e nënës së tyre dhe se kontrollonte vazhdimisht Ivanën. Ai shtoi se familja e kishin ndihmuar Ivanën financiarisht dhe ishin të shqetësuar për kërcënimet e vazhdueshme. Ivana, sipas dëshmisë, kishte informuar se Stojançe mund të kishte falsifikuar transferimin e apartamentit në emër të tij pa pëlqimin e saj.

Vëllai i Ivanës gjithashtu përmendi ndihmën e dhënë nga dëshmitari Martin Sazdov. Vëllai i Ivanës theksoi se kishte përgatitur mbrojtjen e pasurisë së Ivanës dhe të Katjas, duke ndjekur hapat e babait të tyre dhe duke siguruar që Ivanës të mos i bëhej ndonjë dëmtim financiar nga i akuzuari.

Ndërkohë, mësuesja e Katjas, deklaroi se që në fillim të vitit shkollor, mësueset e Katjas, nxënëse e klasës së parë, ishin njoftuar për situatën e dhunës në familjen e saj. Rastin e kishte ndjekur edhe psikologia e shkollës, e cila kishte dhënë udhëzime për vëzhgimin e fëmijës.

Mësuesja tregoi se informacionet e para për problemet në familje i kishte marrë në një mbledhje prindërore në shtator, nga gjyshja e Katjas, e cila tha se vajza dhe mbesa e saj përjetonin dhunë nga babai. Pas kësaj, psikologia e shkollës kishte kontaktuar familjen dhe kishte këshilluar mësueset të monitoronin sjelljen e Katjas.

Gjatë muajve në vijim, Katja nuk kishte shfaqur shenja të shqetësimit në shkollë. Ajo ishte e hapur me shokët e klasës, luante dhe vizatonte figura të gëzuara, duke mos treguar për situatën e dhunshme në shtëpi.

Sidoqoftë, gjendja u rëndua para festave të fundvitit kur gjyshja informoi se nëna e Katjas ishte rikthyer tek babai, duke shprehur shqetësim për sigurinë e tyre. Mësuesja përshkroi edhe ditën e fundit në shkollë më 2 mars, kur Katja u mor nga nëna e saj. Më vonë u bë e ditur tragjedia: Katja dhe Ivana u gjetën të vdekura pas rënies nga ballkoni.