Rruga Tetovë -Prizren: Komuna filloi ndërtimin e rrugës lokale, pushteti qendror vonon tenderin

Derisa tenderi për rrugën Tetovë – Prizren në nivel qendror po zvarritet, në terren ka filluar ndërtimi i rrugës lokale në Malësi të Tetovës, e cila më pas do lidhet me rrugën midis dy shteteve dhe tunelin i cili pritet të ndërohet, raporton Portalb.mk.

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi mbrëmë në TV21 njoftoi se rruga pritet të ndërtohet shumë shpejtë dhe se segmenti i parë ka filluar të ndërtohet nga Komuna e Tetovës, ndërsa tenderi për tunelin pritet të bëhet së shpejti nga niveli qendror.

“Komuna e Tetovës ka ndarë mjete konkrete në Këshill, 18 milionë denarë për segmentin Shipkovicë – Bozovcë dhe është duke u punuar deri te traseja që do të vijë para tunelit. Projekti është i bërë gati, mjetit janë të ndara. Shumë shpejtë do të bëhet edhe tenderimi për projektimin e tunelit dhe shpresoj të nisin hapat konkrete”, tha Azizi.

Sot, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami gjatë brifingut me gazetarët tha se traseja do të hapet mbi fshatin Shipkovicë nga rruga Tetovë – Kodra e Diellit dhe e njëjta do të vazhdojë deri te ura apo te rruga që çon në fshatin Brodec, ndërsa pjesa tjetër e rrugës vetëm do zgjerohet.

“Do të jetë nga rruga Tetovë – Kodra e Diellit , kthesa mbi Shipkpovic që është deri në dalje të Shipkovicës më konkretisht lumi që është në dalje të Shipkovicës urra që është aty në atë pjesën andej urës do dalë dhe pjesa tjetër e rrugës Tetovë Prizren do të jetë pjesa e rrugës ekzistuese vetëm do të bëhet zgjerimi i rrugës. Punimet kanë filluar në terren , informatat që kemi është bërë identifikimi i trasesë dhe do të vazhdojnë punimet në terren për depërtimin e të njëjtës”, tha Kasami.

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore njoftoi për Portalb.mk ditë më parë se e kanë përgatitur programin projektues për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, ndërsa të njëjtën e kanë dërguar në Ministrinë e Transportit.

Megjithatë nuk ka ende afat konkret se kur pritet të shpallet tenderi për rrugë.

Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri e konfirmoi për Portalb.mk ditë më parë se është përgatitur edhe detyra projektuese, duke e vënë procesin në lëvizje.

“Në kuadër të këtij procesi, gjatë këtij viti përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore janë ndarë rreth 2 milionë euro për përgatitjen e projektimit të detajuar dhe studimit të fizibilitetit për trasenë. Pas përfundimit të këtyre fazave teknike dhe studimeve të nevojshme do të krijohen kushtet për hapat e ardhshëm, përfshirë procedurat për shpalljen e tenderit dhe fillimin e punimeve në terren”, tha Zekolli Shaqiri.

Pas shumë zvarritjeve, në prill 2025 u formua grupi i përbashkët i punës midis RMV-së dhe Kosovës për këtë projekt, ndërsa takimi i parë u mbajt dy muaj më pas në qershor, ku u theksua përshpejtimi i procedurave burokratike. 

Paraprakisht, nga Ministria e Transportit të RMV-së kanë bërë të ditur se është ndarë buxheti për fazën e projektimit të tunelit. 

Ndryshe nga RMV-ja, në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Paraprakisht me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.

18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.