Transportuesit në RMV më 31 gusht do të protestojnë para selisë së Delegacionit të BE-së

Shoferët profesionistë nga vendi më 31 gusht do të zhvillojnë protestë para selisë së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, për shkak të problemit që kanë me qëndrimin në vendet e zonës Shengen, i cili u shfaq pas vendosjes së sistemit për hyrje dhe dalje – EES (Entry/Exit System) në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

Këtë sot e bëri të ditur Asociacioni “Makam-trans”, nga ku bëjnë të ditur se vendimi për protestën, e cila do të zgjasë dy orë, është marrë të premten e kaluar, në një takim të transportuesve, ku është diskutuar problemi me të cilin përballen prej disa muajsh.

Është paralajmëruar se para selisë së Delegacionit të BE-së do të jenë të pranishëm transportues me të paktën 20 automjete, ndërsa do të marrin pjesë edhe një numër i madh personash nga të gjitha qytetet e vendit – pronarë, shoferë dhe punonjës të tjerë të kompanive të transportit.

Protesta të tilla, siç informojnë nga “Makam-trans”, përveç në vendin tonë, të njëjtën ditë do të zhvillohen edhe në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë (BeH), në periudhën nga ora 12:00 deri në 14:00.

Transportuesit do ta zhvillojnë protestën një ditë para takimit të Grupit të Punës në Bruksel.

“Nëse në takim nuk miratohet një zgjidhje kalimtare për qëndrimin e shoferëve në zonën Shengen, është propozuar që të zhvillohet protestë në pikat kufitare të secilit shtet veçmas, duke filluar nga 14.09.2026”, thuhet në njoftimin e Asociacionit.

Për këtë lloj proteste, siç shtojnë nga atje, nevojitet pëlqimi i transportuesve të secilit shtet, por edhe miratimi nga organet kompetente, pasi planifikohet që protesta të jetë e ngjashme me atë që transportuesit e zhvilluan në janar të këtij viti dhe mund të zgjasë më shumë se 10 ditë.

“Në këtë fazë, asociacionet e katër shteteve po mbledhin pëlqimin e transportuesve për organizimin e protestës si paralajmërim ndaj Bashkimit Evropian, i cili gjatë shtatë muajve të fundit nuk ka treguar vullnet të mirë për zgjidhjen e problemit, edhe pse në strategjinë e vizave shoferët janë njohur si profesionistë që ushtrojnë veprimtari”, thuhet në njoftim.

Sipas “Makam-trans”, do të kërkohet pëlqimi nga organet kompetente për përcaktimin e mallrave që do të lejohen të kalojnë dhe që janë me interes për shtetin dhe të gjithë popullsinë, përkatësisht nafta dhe derivatet e naftës, qymyri, pajisjet dhe preparatet e nevojshme për komunat dhe ndërmarrjet publike, municioni dhe produkte të tjera.

“Për këtë qëllim është dërguar një anketë për të përcaktuar pëlqimin e një numri më të madh transportuesish (70%) në vend ose refuzimin e protestës së propozuar nëse në përgjithësi nuk ka pëlqim nga transportuesit”, thuhet në njoftim.

I pyetur për koment lidhur me protestat e paralajmëruara të transportuesve, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, sot deklaroi për mediat se si qeveri kanë mirëkuptim të plotë për problemin e transportuesve dhe po përpiqen ta zgjidhin atë brenda mundësive të tyre.

Siç tha Nikolloski, bëhet fjalë për rregulla që përcaktohen nga zona Shengen dhe ajo që ata si pushtet ekzekutiv në vend mund të bëjnë dhe po bëjnë është të ndihmojnë përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe me vendet e Shengenit.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit tha se kjo po bëhet dhe se tashmë janë arritur marrëveshje me disa vende, ndërsa në periudhën e ardhshme do të punohet intensivisht edhe për marrëveshje me shtete të tjera të zonës Shengen.

Siç saktësoi ai, marrëveshje tashmë ka me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë, ndërsa në shtator dhe tetor janë paralajmëruar takime me qeveritë e Austrisë dhe Sllovenisë për arritjen e marrëveshjeve të tilla dypalëshe.

“Po përpiqemi në përgjithësi të mbulojmë rrugët ku transportuesit maqedonas udhëtojnë më shpesh. Me Zvicrën tashmë ka përgjigje, me Kroacinë ka marrëveshje, me Rumaninë ka marrëveshje, siç thashë, vendet e radhës për bisedime janë Austria dhe Sllovenia, dhe gjithashtu po punojmë me Gjermaninë, kështu që në këtë mënyrë po mbulojmë vendet ku ka frekuencën më të madhe dhe kjo është ajo që ne mund të bëjmë dhe po e bëjmë në këtë periudhë”, deklaroi Nikolloski.

Nikolloski edhe në korrik deklaroi se problemin me shoferët profesionistë vendi po e zgjidh në mënyrë të pavarur përmes bisedimeve dypalëshe me shtetet e Bashkimit Evropian, dhe jo së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë, shoqatat e transportuesve nga Ballkani Perëndimor, në takimin rajonal që u mbajt në Shkup në mesin e këtij muaji, thanë se do të presin takimin e planifikuar në nivel më të lartë me përfaqësuesit e Komisionit Evropian në Bruksel, nga rezultati i të cilit do të varet nëse do të kalojnë në protesta.

Shoferët profesionistë nga Maqedonia, si dhe shoferët profesionistë të kamionëve nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, që nga fundi i vitit të kaluar u përballën me problem pas fillimit të zbatimit të sistemit për hyrje dhe dalje nga Bashkimi Evropian (EES), sipas të cilit transportuesit nga Ballkani Perëndimor regjistrohen si turistë dhe mund të qëndrojnë në vendet e BE-së maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.