Transporti hekurudhor i ndërprerë për të pestën ditë, menaxhmenti kërkon nga stafi makinerik të lëvizin

Trafiku hekurudhor i udhëtarëve dhe mallrave në Maqedoninë e Veriut është i ndërprerë për të pestën ditë si pasojë e bojkotit të stafit makinerik për shkak të pagave të papaguara për muajin korrik. Stafi makinerik sqaron se rroga duhet të paguhet e plotë deri më datën 15 të muajit dhe deri më tani kanë marrë vetëm gjysmën e pagës për muajin korrik, transmeton Portalb.mk.

Ata kërcënuan se bojkoti do të vazhdojë edhe nëse paguhet pjesa e dytë e pagës, sepse duhet të ulen të bisedojnë me menaxhmentin për të zgjidhur problemet e akumuluara.

Menaxhmenti i Hekurudhave të RMV-së paralajmëroi sot përmes një komunikate se ndërprerja e qarkullimit hekurudhor po i shkakton dëme të mëdha materiale dhe jomateriale kompanisë së tyre, ndërmarrjes publike për infrastrukturë hekurudhore, si dhe ekonomisë së vendit.

“Vërejmë se ndërprerja e paligjshme e punës, i ashtuquajturi bojkot, nuk është organizuar në përputhje me Ligjin për Marrëdhënie Pune dhe Kontratën Kolektive dhe nuk është shkaktuar për shkak të momentit social apo kushteve tjera me kryerjen e detyrat e punës, por për përfitim personal të makinistëve”, thanë nga Hekurudhat.

Ata pohojnë se në bisedime me qeverinë po bëjnë përpjekje për sigurimin e fondeve për mbarëvajtjen e sistemit hekurudhor deri në fund të vitit.