Toshkovski: Në të ardhmen do të ketë raste interesante për publikun që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski thotë se do të ketë zgjerim të hetimeve pasi dje janë arrestuar dy inspektorë policorë në pension, të cilët u jepnin sekrete zyrtare personave të lidhur me grupin kriminal të Dyanxhikut nga fshati Gërçec. Ministri Toshkovski thotë se policia ka dokumentacion të gjerë dhe se ndoshta do të përfshihen edhe persona të tjerë, transmeton Portalb.mk.

“Në materialin dëshmues që analizon Prokuroria Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, ka një sasi të madhe të provave. Të gjitha provat që analizohen janë marrë nga aplikacioni Sky që na është dhënë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ndaj mendoj se në të ardhmen do të ketë raste mjaft interesante për publikun, që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë. Ky rast ka të bëjë me dy punonjës policie gjatë periudhës kur kanë kryer krimet për të cilat akuzohen, të cilët sot nuk janë më policë, por në kuadrin e informacionit që kam unë, bëhet fjalë për një sasi të madhe provash që kanë të bëjnë me krime konkrete”, tha Toshkovski sot në përgjigje të pyetjeve gazetareske.

Toshkovski thotë se në të ardhmen do të ketë një numër më të madh të lëndëve lidhur me materialin dëshmues të ofruar nga aplikacioni “Sky”.

Në pyetjen nëse ata persona do të jenë nga shërbimet, Toshkovski tha se nuk mund dhe nuk do të donte të hynte në ato informacione.

Prokuroria Publike ka njoftuar dje se janë arrestuar dy policë në pension dhe një person tjetër.

Në njoftimin e MPB-së, thuhet se më 03.11.2024, pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve operative-taktike, si dhe në bazë të urdhëresave nga Gjykata Themelore Penale Shkup, është kryer bastisje në banesat e personave, gjatë të cilave janë gjetur dhe konfiskuar disa telefona celularë, laptop dhe dokumentacion të ndryshëm.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se të dyshuarit, në periudhën nga dhjetori 2019 deri në mars 2021, janë lidhur me këtë grup kriminal në të cilin kanë pasur rol të veçantë në transmetimin e informacioneve zyrtare, lidhur me grupet e organizuara kriminale të përfshira në kryerjen e aktiviteteve kriminale nga disa fusha veçanërisht për krimet e rënda, disa prej të cilave dënohen me burgim të përjetshëm.

MPB-ja tha se Byroja për Siguri Publike, në koordinim me Prokurorin Publik NKOK, nga tetori i vitit 2023 deri në janar të vitit 2024 kanë kryer hetime ndaj shtetasve të Maqedonisë, të cilët, si anëtarë të grupit kriminal ndërkombëtar, kanë përdorur  aplikacionin e koduar “Sky” për të negociuar dhe ndërmarrë aktivitete për organizimin e prokurimit dhe transferimit të kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut në vendet e BE-së dhe Maqedonisë së Veriut dhe ka marrë pjesë në ekzekutimin e krimeve të tjera, të cilat përfunduan me kallëzim penal ndaj 16 personave.