Janë arrestuar dy policë në pension dhe një person tjetër, i dhanë sekrete zyrtare grupit të organizuar kriminal “Dyqanxhik” 

Tre persona janë arrestuar dhe ndaj tyre është urdhëruar kryerja e një procedurën hetimore, pasi në periudhën nga dhjetori 2019 deri në mars 2021, të dyshuarit kanë kryer veprën penale bashkim kriminal dhe veprën penale të vazhduar të zbulimit të sekretit zyrtar për grupin e Duqanxhikut. I dyshuari i parë dhe i tretë po ashtu kanë kryer edhe veprën penale Pengimi i drejtësisë, dhe i dyshuari i parë akuzohet edhe për veprën penale Fitim dhe fshehja e pasurisë së kundërligjshme. Aksioni është bërë nga Prokurori publik i Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit mbrëmë në koordinim me Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rënda në MPB, transmeton Portalb.mk.

“Të dyshuarit për interesa personale të lidhur me grupin e organizuar kriminal “Dyqanxhik” nga fshati Gërçec dhe si anëtarë me rol të veçantë, të motivuar nga i dyshuari i parë në rastin “Gërçec”, kanë transmetuar informacione zyrtare. Në periudhën e përmendur, të dyshuarit, dy prej të cilëve ish-kryeinspektorë për krime pronësore, gjegjësisht tregti të paligjshme të lëndëve narkotike, përmes të dyshuarit të tretë për grupin kriminal, kanë marrë, transmetuar dhe ndarë informacione për procedura të rëndësishme për sigurinë publike sa i përket veprimtarive të sigurisë dhe inteligjencës të organeve shtetërore. Për një zbulim të tillë të paautorizuar, i cili ka shkaktuar dëme në funksionimin dhe efikasitetin e autoriteteve hetimore dhe të zbatimit të ligjit dhe ka bërë të vështirë ose të pamundur sigurimin e provave, të dyshuarit kanë marrë shpërblim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas përmbajtjes së urdhrit të hetimit, të dyshuarit, së bashku ose individualisht, me informacionet që kanë ndarë, kanë vështirësuar vërtetimin në procedurë penale, përkatësisht:

  • për një ngjarje penalo-juridike të ndodhur në dhjetor 2019, secili veç e veç duke kërcënuar se do të sulmohej sërish ai apo familjarët e tij, ka ndikuar që i dëmtuari – viktimë e tentativës për vrasje me porosi, tani i ndjerë, të ndryshojë deklaratën dhënë para zyrtarëve të autorizuar policor;
  • për Vrasje në muajin gusht 2020, të dyshuarit kanë ndarë informacione të rëndësishme për grupin kriminal;
  • gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, të dyshuarit kanë ndarë informacione zyrtare për zbatimin e masave të posaçme hetimore për hetimin e atëhershëm penal nën emrin e koduar “Mali” në të cilin ishin përfshirë persona nga ky grup i organizuar;
  • për një ngjarje penalo-juridike të ndodhur në shtator të vitit 2020, ku pesë persona dyshohen për veprën e rrëmbimit të personit, është transmetuar informacion për provat e siguruara dhe deklaratat e dëshmitarëve të personave të ndaluar;
  • për vrasjen e dyfishtë nga marsi 2021 në Shkup, për të cilën janë transmetuar informacione se kush është i ndaluar në stacionin policor, çfarë aktivitetesh janë duke u ndërmarrë dhe cilët zyrtarë janë të përfshirë në hetimin penal.

Nga provat materiale të siguruara fillimisht për të dyshuarin e parë rezulton se ai dhe familjarët e tij posedojnë pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme dhe depozita kursimi, të cilat i tejkalojnë shumë të ardhurat e tij të ligjshme si punonjës policie.

Të dyshuarit sot do të sillen para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, të cilës prokurori publik duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet, do t’u propozojë caktimin e masës së paraburgimit.

Grupi i Duqanxhikut përbëhej nga tashmë të ndjerët, Orhan Bajrami -Oki, i cili u vra në korrik të vitit të kaluar, Jeton Krivanjeva – Zhilla dhe Enes Iseni, të vrarë gjatë incidentit të 6 marsit të vitit 2023 në një lokal në Çarshi të Shkupit. Vrasja kishte ndodhur rreth orës 20, ndërkaq në Polici është lajmëruar në ora 20:11 minuta, pas 20 minutave policia ka gjetur të djegur një automjet “Audi a6”, i cili dyshohet se është i vrasësve.

Rivaliteti mes grupeve kriminale filloi prej vitit 2010, kur “kronika e zezë” fillon të mbushet me incidente, vrasje dhe gjuajtje bombash mes klaneve të ndara.

Përleshjet janë ashpërsuar kur në nëntor të vitit 2013-të është vrarë 46-vjeçari Xhelal Ajeti në çajtoren e tij “Te Xhela” në Hasanbeg. Sulmi ndaj tij është i ngjashëm me të 6 marsit. Vrasësi, i maskuar dhe me armë ka hyrë në çajtore dhe e ka vrarë Ajetin me 30 plumba. Ajeti asokohe ishte i fajdexhi i njohur dhe figurë me ndikim në nëntokën e drogës.

Paraprakisht, në vitin 2005, si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ka vdekur vëllai i tij, Nexhmedin, ndërkaq në shtator të vitit 2018-të është vrarë edhe vëllai i tij Naim Bellanoca duke lëvizur në një automjet në rrugën “Ruzveltova” të Shkupit.

Kjo në nëntokën është llogaritur se grupi “Bellanoca” e ka humbur primatin e tregut të narkotikëve. Por, në vitin 2019-të ka vijuar përleshje e re, kur pesë persona të maskuar kanë dalë nga një automjet dhe kanë gjuajtur drejt restorantit në hotelin “Aleksandar Pallas, ku kanë qëndruar rivalët e “Bellanocës”.

Gjatë sulmit në Aleksandar Pallas, një polic i cili ka qenë me rroba civile dhe ka qenë duke qëndruar me grupin në tavolinë, ka parandaluar që sulmi të jetë fatal. Ai ka nxjerrë pistoletën zyrtare dhe ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve. Rasti nuk u zbardh.

Sulmuesit janë larguar me xhip “Tuareg” i cili ka pasur targa të vjedhura, ndërkaq Policia e ka gjetur automjetin të djegur në periferi të Shkupit. Kjo përplasje, llogaritej se ishte për tregun e kokainës.

Në grupin e sulmuar, përveç Jeton Krivanjevës, ishte edhe Kamer Idrizi, i cili u vra në maj të vitit 2021, në një atentat duke lëvizur me makinë. Një vjet më vonë dy sulmues të armatosur me pushka automatike kanë hyrë në një çajtore në rrugën “Braka Rexhepagiq” në afërsi të Shkollës Fillore “Imri Elezi” të Çairit të Shkupit dhe e kanë vrarë Jonuz Idrizin, vëllaun e Kamerit.