‘Toblerone’ politika

Kur flasim për kulturën politike, ne në Ballkan jemi mësuar me një rregull të pathënë: pushteti është një rrugë me një drejtim, lart e sa më lart. Pasi nis udhëtimin dhe ngjitesh në majë të piramidës së “pushtetit, parasë e famës”, rënia shihet si tragjedi, ndërsa kthimi te jeta e thjeshtë e qytetarit të zakonshëm konsiderohet dorëzim, turp, gjë e papranueshëme. Prandaj, kur hedhim sytë te modele politike diametrale, mbresëlënëse, si ai skandinav, ajo që shohim nuk na duket thjesht ndryshe – na duket surrealizëm i pastër. Na kaplon një lloj shpresëthyerjeje ekzistenciale, një dëshpërim i natyrshëm kur krahasojmë realitetin tonë me një botë ku përgjegjësia dhe llogaridhënia nuk janë sllogane, por frymëmarrje, janë pjesë integrale dhe reale e jetës.

Nuk bëhet fjalë për të vizatuar portrete shenjtorësh apo personalitetesh engjëllore. Qenia politike është njerëzore, e gabueshme dhe e ndikueshme nga rrethanat dhe mundësitë që i ofrohen gjatë jetës. Ajo që e dallon një shoqëri të emancipuar nga një shoqëri në rrugëtim e sipër drejt civilizimit, nga një komunitet që s’e ka gjetur veten, është pikërisht kjo: si reagon sistemi ndaj gabimit, si e dënon atë  dhe si i kthehet “individi që ka rrëshqitur” jetës sociale pa asnjë kompleks apo arrogancë.

Imagjinoni për një çast këtë skenë, e cila sfidon çdo logjikë të përditshmërisë sonë:

Po kaloni fundjavën në një turizëm apo hotel. Në derë troket pastruesja e ngarkuar për dhomën tuaj. Kur e hapni derën: mbeteni gojëhapur, aaa! O Zot? Përballë nuk keni një fytyrë të panjohur. Personi që mban në dorë fshisën elektrike dhe në dysheme mjetet e pastrimit është Mona Sahlin. Pasi kryen këtë punë, vazhdon te lavatriçja dhe me larjen e enëve. Pa asnjë kompleks apo mëri. Përkundrazi, krenare me punën që bën.

Po, ajo Mona Sahlin – ish-kryetarja e Partisë Socialdemokrate të Suedisë (partia më e madhe në këtë vend), ish-zëvendëskryeministre dhe gruaja që për 25 vite me radhë drejtoi dikasteret më të rëndësishme të shtetit suedez, nga Punët e Jashtme deri te Drejtësia.

Në vitin 2015, në kohën kur ishte koordinatore nacionale kundër ekstremizmit të dhunshëm, pas gjithë atyre viteve në majat e pushtetit, ajo bënte pikërisht këtë. Gjatë fundjavave, pa asnjë nostalgji toksike për famën e shkuar, Sahlin pastronte dhoma hoteli në kompaninë e themeluar nga vajza e saj Jenny Svensson Sahlin; u shërbente klientëve në hotelin “Hullingen”, në qytezën Hultsfred, të rajonit Småland.

Për të kuptuar se si arrihet në këtë nivel thjeshtësie, modestie, duhet të kthehemi pas në kohë, te ajo që në historinë politike europiane njihet si “Afera Toblerone” e vitit 1995. Në atë kohë, gazetë “Expressen” zbuloi se Sahlin kishte përdorur kartën zyrtare të kreditit të shtetit për disa blerje personale. Çfarë kishte blerë? Dy çokollata “Toblerone”, pelena dhe ca sende të vogla shtëpiake. Ndonëse paratë u kthyen menjëherë dhe shuma ishte qesharake krahasuar me skandalet ndër ne, në Suedi kodi moral nuk i mbylli sytë, ai vuri në funksion mekanizmat e vet të penalizmit. Atje përdorimi i parave të taksapaguesve për qëllime private, qoftë edhe për një ëmbëlsirë, është thyerje e kontratës sociale.

Edhe pse Mona Sahlin nuk doli kurrë para një gjykate, reagimi i opinionit publik suedez rezultoi vendimtar për karrierën e saj politike. Pas shpërthimit të skandalit, 66% e suedezëve deklaronin se nuk e shihnin më si të përshtatshme për postin e kryeministres, megjithëse deri atëherë konsiderohej favoritja kryesore për këtë funksion.

Skandali i kushtoi Sahlin-it dorëheqjen e menjëhershme nga posti i zëvendëskryeministres dhe një largim të përkohshëm nga jeta publike. Nuk pati mbrojtje partiake me të gjitha mjetet, nuk pati sulme të pacipa ndaj mediave, nuk pati “gjueti shtrigash”. Pati vetëm pasojë.

Në Ballkan, pushtetari i korruptuar shpesh riciklohet, bëhet më i zhurmshëm dhe mbrohet pas imunitetit apo pasurisë së krijuar në kurriz të popullit, pas milionavë të bërë me metoda nga më të ndryshmet. Ideja që një ish-ministër mund të kapë fshesën e korrentit dhe të fshijë dhomën e një hoteli ku qëndrojnë qytetarët e thjeshtë, këtu, ndër ne, do të shihej si “ndëshkim” ose “poshtërim”.

Por në Suedi, ky është thjesht kthim në normalitet, në vijën e natyrshme.  Mona Sahlin po na tregon se puna fizike nuk ta ul dinjitetin; ajo që ta ul dinjitetin është paaftësia për të jetuar si njeri i thjeshtë pasi dritat e skenës politike fiken, pasi të përfundojë mandati apo të pensionohesh politikisht.

Kjo kolumnë nuk është një thirrje për të pasur politikanë që pastrojnë hotele, që shesin kumbulla në pazar apo që punojnë si roje magazine. Kjo është një thirrje për të kuptuar se pushteti është një mandat i përkohshëm shërbimi, jo një çertifikatë pronësie mbi fatet e një populli, si vulë për poste të përjetshme. Derisa kultura dhe mendësia jonë politike të mos pësojë këtë thyerje kruciale, skenarët skandinavë do të vazhdojnë të na duken si përralla, si “tregime nga bota e Alisës”, ndërsa ne do të vazhdojmë të mbetemi pengje të zhgënjimit tonë ballkanik dhe shqiptar në veçanti. Përderisa i riciklojmë të pamoralshmit dhe të korruptuar, paprerë do të na riciklohen krizat dhe storjet e dëshimit.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.