Tmerre (post)moderne: vrasjet serike

Këtyre ditëve opinioni ballkanik por edhe më gjerë u trondit nga dy ngjarjet e kriminalitetit rinor në fqiun tonë verior, në Serbi (Beograd dhe Mladenovac), nga pamjet trishtuese të ekzekutimit të njerëzve nga dy djem të rinj të cilët kryen akte të parrokshme mendërisht. “Efekti Amerikë” ku serial killers është një deja vu, ngjarje që ndodhin shpesh dhe që vihen nën llupë nga sociologë, psikologë, psikiatër dhe profile të ndryshme të specialistëve që mundohen të gjejnë etiologjinë e kësaj të keqeje sociale dhe ta eliminojn atë. Dhe ndër pyetjet që ata shtrojnë janë këto: A lidhet ky veprim me komponentin gjenetik? A është mjedisi social ku personi rritet dhe kultivohet faktori që gjeneron këtë sjellje devijante? A i bën teknologjia dhe mediumet fëmijët e shekullit tonë të kryejnë veprime të tilla makabre? A janë këto sjellje produkt i kombinimit të faktorëve të ndryshëm? A kanë lidhje me boderline personality disorder apo patologji të tjera?

Në një intervistë për Klan Macedonia cekëm se kultura rinore violente vjen si pasojë e dhunës së masovizuar dhe të mediatizuar në mënyrë ekstreme, të shndërruar në pjesë të pamësisë sonë të çdoditshme. Nga filmat holivudianë televizivë, ato të kinemasë (Terminator, Kill Bill) dhe të tjerë (p.sh. Lugina e ujqërve), madje edhe ata vizatimorë (japonezo-koreanë: Dragon Ball Z), e deri te lojërat e ndryshme online ka prezencë të hatashme të dhunës. Imagjinoni Playstation që ua blejmë fëmijëve tanë për t’i gëzuar shndërrohet në ‘mini-fabrikë të dhunës’.  Kjo platformë përfshin ‘Blodroots’ (Rrënjët e gjakut),  ‘Don’t be Afraid’ (Mos u frikëso), ‘Part Hard’ (Shijoje me pasion festën!), ‘Sturmfront: The Mutant War’ (Fronti i furtunës: Lufta mutante), ‘The Hong Kong Massacre’  që lidhen me shprehjet ‘monster’ (monstër), ‘maniacal carnage’ (kërdi maniakale), ruinnig parties (prishje e argëtimeve), ‘bullet hell’ (ferr plumbash), masakrën, ‘hard-boiled revenge story’ (tregimi për hakmarrjen e ashpër) etj. Reality show janë gjithashtu tepër destruktivë për popullatën rinore dhe jo vetëm: Sipas Gitnux (2023) 75 % e shouve në TV përmbajnë dhunë, kurse 45% e paraqesin dhunuesin apo aktorin e krimit si të padënuar.

Degradimi i kulturës tradicionale, individualizmi i skajshëm dhe shkëputja e lidhjeve mes brezave, mes gjyshit-gjyshes dhe nipave-mbesave, që dikur edukonin fëmijët më rrëfime të kuptimta dhe plot urtësi dhe kalimi në një sferë tjetër, në atë të display-it, të ekranit që përveç vlerave ofron me shumicë antivlera, është një shkaktar tjetër i violencës rinore. Pra rrëmimi i familjes, distanca dhe humbja e ngrohtësisë së çerdhes familjare. Gjithçka rrjedh nga familja dhe prindërit, edhe e mira edhe e keqja. Sot secili prind duhet të shndërrohet në një ‘soft gardian’ të fëmijës së vet. Përndryshe prodhohen rekrutë të dëgjueshëm të teknologjisë që mund të jetë edhe vrstare. Shkollimi i degraduar, zbehja e vlerës së arsimit, dhe e imazhit të mësimdhënësit që në kohën tonë ishin kult, ndërtimi dhe afirmimi i modeleve negative të sjelljes është një faktor tjetër. Sot një pjesë e fëmijëve nuk marrin si shembull mësuesin apo mësuesen e tyre por kriminelin apo prijësin e  bandës në rrugë që ka bërë me metoda jokonvencionale ka bërë lekët, veturën dhe shtëpinë grandioze dhe që konsumon drogëra. Shkolla e sotme nuk edukon, ajo vetëm arsimon, jep vetëm të dhëna dhe informacione, e pasuron njerion me profesionalizëm, por njerëzisht e lë pas, nuk e kulturizon atë, nuk e eticizon, nuk e bën qenie morale. Lëndët sociale humanizuese sot janë out, përfshirë etikën. Është fatkeqësi që tek ne në kohë të këtyre lëkundjeve rrëqethëse diskutohet që të hiqet lënda e etikës së religjioneve, që fëmijëve u ofron vlera shpirtërore. Ja nëj shembull i njeriut të shkolluar: Harold Shipman, doktor i përgjithshëm, i cili mendohet se ka vrarë 218 pacientë mes viteve 1972-1998.

Në rastin e Serbisë gabimi qëndron edhe në afirmimin e kriminelëve si Millosheviq, Karaxhiq, Haxhiq, i fighter-ëve si Goluboviq, që për 30 vite janë lançuar si ikona të “popullit qiellor”. Sipas politikanit të njohur serb Çanak “Serbia është një shoqëri e sëmurë”, një shoqëri që ka shenjtëruar vrasësit e Vukovarit, të Srebrenicës duke hedhur lule mbi tankset e Armatës Jugosllave, që kurrë nuk ka bërë vetëllogarinë dhe pendimin për aktet barbare. (Hayat TV, 5.5.2023) Nëse tifogrupet “Varrmihësit” (Grobari) dhe “Të çmendurit” (Delije) janë kryefigurat rinore në një shoqëri, natyrisht që nuk do ketë frymim pozitiv dhe militarizmi do jetë mënyrë jetese. Në një mjedis ku sipas disa të dhënave ka mbi 1.5 milionë armë të padeklaruara apo jolegjitime është e pritshme që të ketë shpërthime të këtilla. Edhe në Maqedoninë e Veriut shifrat janë alarmante, mbi 150 mijë armë të deklaruara dhe rreth dyfishi të mbajtura pa leje. Mjafton një xixë e depresionit, aksiozitetit, bullizmit apo fobisë që të shfaqen montsrumë të këtillë si rastet “Ribnikar” dhe “Mladenovac”. Disa zyrtarë serbë u munduan që fajin  ta kërkojnë, duke kërkuar të bëhen investigime për lidhshmëri të mundshme me  ‘islamizmin ekstrem’, gjë që është një absurditet. Mirë që në këtë rast nuk u akuzua edhe elementi shqiptar që me dekada është fajtor kryesor për të zezat që mbin mbi Serbinë dhe serbët.

Në përgjithësi: kemi një krizë të vlerave shoqërore. Ky fenomen është global. Modernizmi është në krizë të madhe. Erdhi me motot liri, barazi, drejtësi, përparim, humanizëm, progres, ndërsa ka sjellë vetëm standard ekonomik, jo edhe qetësi e rehati shpirëtrore, jo paqë. Në këtë kohë të pakohë duhet kushtuar më tepër kohë fëmijëve dhe adoleshentëve të virtualizuar ekstremisht, të rrjetëzuar në katër anët e botës, me ‘engjëj’ e ‘dreqër’, me gjahtarë të shpirtrave të pafajshëm. Mobilizim edukativ ja sot ja kurrë, në të gjitha spektrumet shoqërore, ngase ajo që është në kojshi shpejt mund të vijë në shtëpi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.