Tjetër rast me doping në Serie A, “fantazisti” argjentinas rrezikon 2 vite pezullim nga aktivitetet sportive

Rastet me doping po fillojnë të shtohen goxha në futbollin italian, teksa pas “katalizatorit” francez të mesfushës, Paul Pogba, tashmë një tjetër lojtar goxha i njohur në Serie A ka rezultuar pozitiv ndaj substancës së ndaluar dhe pritet të dënohet me 2 vite pezullim nga çdo aktivitet sportiv, raporton ABC.

Bëhet fjalë për “fantazistin” argjentinas, i cili sapo është transferuar te Monza, Papu Gomez, teksa sipas shokëve të tij të skuadrës, 35-vjeçari ka konsumuar pa lejen e stafit mjekësor, një shurup fëmijësh për shkak të gjendjes gripale, në të cilën ndodhej.

Ndërkaq, kujtojmë se ish-“ylli” i sulmit të Sevilla e Atalanta u transferuar vetëm pak javë më parë te Monza, si një lojtar i lirë, teksa ka mundur të luajë dhe 2 ndeshje me skuadrën e tij të re. Përsa i përket ndëshkimit, pezullimi pritet të bëhet zyrtar shumë shpejt, teksa burime pranë argjentinasit konfirmojnë, për mediat italiane, se ai do të apelojë vendimin. Megjithatë vlen të theksohet se nëse apelimi nuk do të merret parasysh, atëherë ekziston mundësia Papu Gomez mund të varë këpucët në gozhdë.