Agjencia s’është e gatshme për regjistrimin e popullsisë në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk është gati që procesin e regjistrimit të popullsisë ta nisë më 1 nëntor, raporton Koha.net. Ilir Berisha, ud. Kryeshef i ASK-së, ka thënë se është angazhuar plotësisht për ta realizuar këtë projekt, por se ka mangësi.

“Sfidat janë mungesa e tabletave, mungesa e mbikëqyrësve të procesit dhe mostrajnimi i mbikëqyrësve”, ka thënë ai në Komisionin për Buxhet ku po raporton para deputetëve.

Berisha ka tentuar t’i ikë përgjigjes direkte se ASK-ja ka kërkuar ta shtyjë sërish procesin, por me insistimin e deputetëve ai e ka pranuar këtë.

“Me gjithë sfidat që i keni a vlerëson se do të fillojë me një nëntor?” ka pyetur deputeti Avdullah Hoti.

E, Berisha është përgjigjur se “do të bëjmë përpjekje maksimale që ta përfundojmë më 15 dhjetor”.

Por, Hoti ka insistuar të dijë nëse regjistrimi nisë ashtu siç është paraparë.

“Ilir leje politikën. E ke obligim të më përgjigjesh në pyetje. A do të nisë me 1 nëntor? Edhe 10 ditë fillon, as si ke tabletat, as programin as trajnimet”, ka pyetur Hoti.

“Me metodën se si është planifikuar më herët, jo me metodat që jemi në kërkim online do të përpiqemi të fillojmë me një nëntor”, ka thënë Berisha që më pas ka pohuar se “kemi dorëzuar propozim për ta shtyrë datën”.

ASK-ja ka kërkuar që regjistrimi i popullsisë të shtyhet për në prill të vitit të ardhshëm.

Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor.