Pas Parlamentit do të shtrijmë protestën në çdo shesh, paralajmëroi Berisha

Mes bojkotit të Parlamentit, të cilin e provuan në 2019 dhe ju kthye në bumerang, dhe bllokimit të seancës plenare, demokratët zgjodhën këtë të dytën, raporton Klan.

“Ne vendosëm të nisim betejën në Parlament, se braktisja do ishte gjë që ai do ta pëlqente shumë”.

Por Sali Berisha premton se ajo që u pa dje në sallën e Kuvendit është vetëm fillimi.

“Dora-dorës, gradualisht ajo do shtrihet në rrugë, në sheshe, në institucione të tjera të vendit. Do ta vazhdojmë këtë betejë deri në rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve”.

Në komunikimin e përjavshëm me gazetarët, kryedemokrati sqaron se Edi Rama nuk ju la rrugë tjetër pasi ka urdhëruar që të rrëzohet çdo nismë e tyre në Parlament që nga projektligjet e deri tek komisionet hetimore.

“Këtu gjithçka kalon në urdhrin e një njeriu”.

I bindur se Gjykata e Lartë nuk do ju japë të drejtë, Berisha lajmëron se çështja e Partisë Demokratike do të çohet në Gjykatën e Strasburgut.

“Do shkojmë në Strasburg, kam besim tek drejtësia europiane, do fitojmë kauzën e drejtë”.

Në daljen e tij Berisha u ndal gjatë tek rezoluta e Parlamentin Europian për ngjarjen e 24 Shtatorit në veriun e Kosovës të cilën e përshëndet, por premtoi se forca që ai drejton do të bëjë gjithçka për të bindur të zgjedhurit europianë por dhe asambletë e tjera parlamentare për të dënuar qëndrimet destabilizuese siç i quan ai të Edi Ramës në mbështetje të politikave të Aleksandër Vuçiçit.