Tiktoku, terreni i ri i patriarkatit në Kosovë

Të shtyrë nga ideologji të patriarkalizmit, influencerë të shumtë kanë arritur të marrin audiencë të lartë në rrjetet sociale si TikTok. Mesazhet e tyre pëlqehen nga qindra njerëz dhe ndiqen nga mijëra të tjerë, shkruan Sbunker.

Ku mund të të dërgojë një burrë shqiptar?”, shkruan në njërën nga tri fotot e një postimi në TikTok nga krijuesi i përmbajtjes, Blerim. Rrëshqitja majtas në këtë postim zbulon tri fotografi të huazuara. Përkatësisht, një grua duke gatuar mbi furrë, një tjetër duke larë enët dhe një grua të shtrirë në spital. Të gjitha këto të shoqëruara me mbishkrimin e Blerimit: “Të paktën jam duke paguar faturat”.

Ky mesazh që shpërfaq gratë në pozicione tradicionale ka marrë 5,584 pëlqime, 157 komente, është ruajtur 394 herë dhe është shpërndarë 1,716 herë. Për një audiencë shqipfolëse, kjo është e arritur e lartë.

Platforma e Blerimit ka mbi 257.4 mijë ndjekës dhe 17.4 milion pëlqime ndërsa i gjithë materiali prodhohet në New York ku edhe duket se jeton Blerimi. Por, ai është vetëm një nga influencerët që dominojnë botën virtuale të platformës TikTok. Një tjetër, Kenan Nuhiu, ka marrë mbi 20 mijë pëlqime në një përmbajtje që deklaratën e një qytetareje tek thotë se “mashkulli është mashkull e femra femër” e ka shpërndarë me mbishkrimin “kjo është feministe e vërtetë në aspektin pozitiv”.

”Postime të tilla i bëjnë jehonë tentativës për ta kthyer gruan në shtëpi dhe për ta promovuar atë si norma e dëshiruar e gruarisë. Pra një grua e mirë sipas këtij projektimi është ajo që merret me punë shtëpie dhe me kujdes, ndërsa një burrë i mirë është ai i cili nuk figuron në fotografinë shtëpiake kur aty gatuhet a punohet, ai sjell të ardhura për familjen. Ky model familjar, kur normëzohet stereotipizon role gjinore, dhe organizime të tjera kornizohen si devijime të cilat nuk janë ’normale’”, thotë ekspertja e çështjeve gjinore, Liridona Sijarina.

Në platformën e TikTokut gjenden edhe mesazhe të tjera që përpos patriarkalizmit promovojnë edhe gruan tradicionale. Hati Jashari është një krijuese në Tiktok, përmbajtja e videove të së cilës qendërson pasurinë, pamjen fizike dhe që me raste në të kaluarën kishte promovuar varësinë financiare tek partneri.

”Fenomeni i rikthimit të të ashtuquajturave “vlera tradicionale” në TikTok është thjesht forma më e re që patriarkati ka gjetur për të ricikluar vetveten në epokën digjitale. Kjo platformë po përdor estetikën, lojën vizuale dhe humorin për ta bërë nënshtrimin e grave të duket si stil jetese moderne. Ajo që e bën këtë përmbajtje aq tërheqëse për të rinjtë është fakti se paketimi është shumë i sofistikuar duke i paraqitur kështu këto stile të jetesës si zgjedhje personale e duke fshehur faktin se janë riprodhim i roleve të vjetra që u heqin vajzave agjencinë, autonominë dhe ambicien”, thekson Leonida Molliqaj, Drejtore Ekzekutive dhe kryeredaktore në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion.

Që të gjithë influencerët e lartëpërmendur janë kontaktuar në rrjetet e tyre sociale në lidhje me profilin e krijuar dhe përmbajtjen që ata prodhojnë në TikTok, por nuk është pranuar ndonjë përgjigje nga ana e tyre.

Dezinformimi gjinor dhe promovimi i maskulinitetit hegjemon

Nga figurat hapur problematike si Andrew Tate, deri te modele më të rafinuara dhe të padëmshme në dukje, si Nara Smith, shumë influencerë përdorin jetën e tyre të përditshme, produktet që promovojnë, rutinat, diskutimet dhe madje edhe recetat, si mjete narrative.”Tiktoku është duke e përshpejtuar një kthesë të madhe drejt ideologjisë së djathtë, edhe kjo vërehet më së shumti te rolet gjinore që gatuhen nëpërmjet postimeve që çdo herë e më shumë e pozicionojnë artificialisht gruan në shtëpi, të zellshme në kuzhinë, kujdes familjar, të brishtë, herë histerike dhe shumë kërkuese, por gjithmonë në nevojë të një burri që e plotëson, balancon edhe e mbanë. Prodhimi i “trad-wife” ose i gruas tradicionale që del si trend amerikan që migron nëpërmjet rrjeteve sociale globalisht nuk është duke kthyer ide të vjetra, por është duke shfrytëzuar ata shënjues të ’gruarisë së dikurshme, e të pafajshme’ për të mobilizuar urrejtje ndaj kauzave feministe, si pjesë e fuqizimit të së djathtës”, sqaron Sijarina.

Kjo prirje reflektohet drejtpërdrejt në mënyrën se si të rinjtë i përjetojnë dhe ndërtojnë rolet gjinore. “Studimet mbi rrjetet sociale tregojnë se mesazhet e tilla, ku ‘gruaja e mirë rri në shtëpi’ dhe ‘burri i fortë kontrollon’, ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën si të rinjtë e ndërtojnë identitetin gjinor”, thotë Kaltrina Kelmendi, Profesore e Asocuar në fakultetin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, me ekspertizë në dhunën ndërpersonale, dhunën në shkolla si dhe edukimin medial.

Kelmendi po ashtu thekson që rrjetet sociale jo vetëm që ndikojnë në formimin e identitetit të të rinjve, por në të njëjtën kohë krijojnë edhe konceptin e tyre për veten, ku sipas saj “vetja” e tyre në rrjetet sociale është shumë më e rëndësishme sesa vetja reale. Hendekun mes egos dhe alter-egos e thellon pikërisht dezinformimi gjinor, i cili u ofron djemve një kornizë shumë të ngushtë të asaj se çfarë do të thotë të jesh burrë. Kjo kornizë, siç e përkufizon sociologia dhe teoricientja gjinore, Raewyn Connell, mishëron burrërinë hegjemone, ose, në terma më popullorë, maskulinitetin toksik.

Siç thekson Rezarta Delibashzade Krasniqi, Drejtore Ekzekutive në D4D, përmbajtjet me video të shkurtra, dinamike dhe shumë vizuale janë jashtëzakonisht tërheqëse për të rinjtë dhe përdorimi i transmetimeve live apo narrativave provokuese mund të rrisë edhe më shumë konsumimin e materialeve antigjinore.

Ndikimi i këtyre përmbajtjeve nuk mbetet i kufizuar vetëm në sferën personale por shtrihet edhe në hapësirën publike, përfshirë diskursin politik.

Delibashzade Krasniqi bën të ditur që gjatë monitorimit të fushatave zgjedhore në TikTok janë vërejtur se rastet më të shpeshta lidhen me bullizëm personal dhe gjuhë të urrejtjes, të cilat shpesh shoqërohen edhe me dezinformim. “Ky kombinim e përforcon ndikimin negativ te audienca dhe rrit shpejtësinë e përhapjes së përmbajtjes”, shton ajo.

Këto prirje pasqyrohen edhe në të dhënat empirike. Sipas një hulumtimi të D4D në lidhje me urrejtjen kibernetike ndaj grave në politikë përmes mediave sociale përgjatë vitit zgjedhor 2025, gratë kandidate për zgjedhje qendrore dhe lokale janë përballur me mizogjini digjitale përmes fjalëve që kanë të bëjnë me delegjitimim moral, turpërim seksual, infantilizëm patronizues dhe nënvlerësim intelektual. Nga analiza e 660,758 komenteve, ku 14% përmbajnë gjuhë urrejtjeje ndaj grave, tregon se mizogjinia online është e përhapur dhe e qëndrueshme.

 “Tiktoku të njeh nga sjelljet e tua”

Ndonëse është krijuar për shpërndarjen e videove të shkurtra, TikToku për shumicën e përdoruesve mbetet një hapësirë argëtimi.

Tiktokun e përdori kryesisht për argëtim. Më pëlqen të shikoj video interesante, kreative dhe qesharake kryesisht gjatë mbrëmjeve. Mesatarisht i kaloj rreth një orë e gjysmë në ditë në këtë platformë”, ka thënë 20-vjeçari, Euron Leci.

Por, në prapaskenë diçka tjetër vihet në lëvizje. Derisa përdoruesi kalon nëpër video, çdo lëvizje apo hezitim i gishtërinjve regjistrohet. Ekspertja e rrjeteve digjitale, Diora Binxhiu, sqaron se rrjedhimisht, përmbajtja që i shfaqet më pas secilit përdorues nuk është e rastësishme. Kësisoj, sjellja e secilit analizohet në mënyrë tejet të detajuar: çfarë ai përdorues shikon, sa gjatë qëndron në video, cilat video i kalon pa i shikuar, me çfarë ndërvepron si dhe çfarë kërkon.

“Në bazë të këtyre sinjaleve, platforma e krijon një profil personal të interesave dhe e mbush faqen ‘For You’ me përmbajtje të ngjashme. Thënë thjeshtë: TikToku të njeh nga sjellja e jote në atë platformë”, ka potencuar ajo.

Në epokën digjitale, përcjellë me lulëzimin e platformave të ndryshme dhe rrjeteve sociale, Tiktoku e ka gjetur formulën për t’i mbajtur të lidhur përdoruesit e saj, kryesisht falë algoritmeve që mundëson që secilit t’i ofrohet përmbajtje e personalizuar sipas preferencave. Këtë gjë e potencojnë edhe përdoruesit.

Videot të cilat i shfaq (Tiktoku) janë video pak a shumë të njëjta dhe aplikacioni më shumë shfaq video të ngjashme me njëra tjetrën, për arsye se kur bën like, ky aplikacion automatikisht të shfaq video të ngjashme me atë që ke pëlqyer. Mendoj se ‘Tiktoku’ e di çfarë dëshiron të shikoj, edhe pse nuk mund të ndikojë tek idetë e mia”, thotë 20-vjeçari Vigan Rakipi.

Megjithëkëtë, ky personalizim i vazhdueshëm e bart edhe anën e vet të errët, që ka të bëjë me krijimin e “echo-chambers”, të cilat formohen kur algoritmi shfaq përmbajtje që përputhet me interesat dhe pikëpamjet e përdoruesit. Binxhiu sqaron se një gjë e tillë ndodh sepse platforma nxit çdo formë interesimi që një përdorues shfaq. “Me kohë, ekspozimi yt bëhet shumë i njëanshëm dhe krijon përshtypjen se ‘kështu mendojnë të gjithë’, gjë që forcon polarizimin dhe paragjykimet”, potencon ajo.

E janë pikërisht këto hapësira që jehojnë bindje të njëjta, ato që sipas ekspertes së gjithëpërfshirjes dhe gjinisë, Brikena Avdyli, po ndikojnë që të rinjtë në Kosovë të rriten plotësisht të shkëputur nga realiteti lokal. “Në kohën kur ndodhi vrasja e politikanit konservativ Charlie Kirk në SHBA, në Kosovë kishte zhvillime të tjera lokale në politikë, por të rinjtë dinin se çka po ndodhë saktësisht në Amerikë, e nuk kishin haber për zhvillimet në Kosovë”, deklaron ajo.

Platformat si Tiktok njëkohësisht janë duke e riformuluar peizazhin mediatik, duke bërë që njerëz të zakonshëm të kenë më shumë shtrirje sesa mediat tradicionale. Prej top dhjetëshes së kanaleve kryesore të Tiktokut në Kosovë për muajin tetor, tri janë media tradicionale e shtatë influencerë që famën e kanë marrë falë Tiktokut, bëhet e ditur në listën që platforma e monitorimit të mediave digjitale, Pikasa, e ka ndarë për artikullin.

Meriton Nagavci, ekspert i Pikasas për trendet në Tiktok, elaboron se kjo listë është vazhdimësi e trendit të vitit 2024. Në një analizë atëkohë, ai pati bërë të ditur se “krijuesit e Tiktokut fitojnë përkrahës nëpërmjet krijimit të videove interesante, tek të cilat njerëzit e gjejnë veten. Tiktoku shfaq video bazuar në atë se sa u pëlqen dhe ndërveprojnë përdoruesit me atë video, e jo vetëm se sa i famshëm është ai person. Kjo do të thotë se një video e një personi të panjohur mund të bëhet po aq e popullarizuar sa edhe e ndonjë të famshmi/eje”.

Këtë gjë e ka vërejtur edhe përdoruesja Erisa Dervishaj (19). “Më pëlqejnë videot e njerëzve të zakonshëm, e jo të famshmëve, pasi te këta të fundit nuk më tërheq mënyra se si e organizojnë formën e postimeve të tyre. Në anën tjetër, qasja e njerëzve të zakonshëm me audiencën edhe tepër natyrale dhe reale, dhe mbase kjo është mënyra që këto postime më tërheqin më shumë”, ka thënë ajo për artikullin.

Shumica e këtyre influencerëve përdorin përmbajtje humoristike dhe të bazuar në jetën e përditshme. Por, shumica e talljeve përfshijnë stereotipe të roleve gjinore. Pasi që janë qesharake, njerëzit nuk mendojnë shumë për to, derisa përmbajtjet e tyre shumëfishohen falë algoritmeve të Tiktokut. Një studim i vitit 2023 në SHBA i studiuesve Poulsen, Bond dhe Garrett, ka gjetur se lajmet satirike nuk kuptohen gjithnjë si mahi dhe mund të merren fjalëpërfjalshëm nga një pjesë e audiencës. Ndonëse më pak njerëz i besojnë pretendimeve nga satira, krahasuar me përmbajtjet e tjera, ekspozimi i përsëritur dhe mungesa e reflektimit kritik e bëjnë të veten. Në një kontekst lokal, sipas hulumtimit të lartpërmendur të D4D, satira e përdorur në platforma online ka ndikuar që dezinformimi gjinor të bëhet pjesë e ekosistemeve të integruara të dhunës online. Për të rinjtë që konsumojnë përmbajtje të tilla çdo ditë, është e vështirë të perceptohet se çka është mahi e çka jo.

Në analizën e tij, Nagavci kishte sqaruar se Tiktoku shpërblen angazhimin e jo famën. “Nëse një video merr pëlqime, komente dhe shpërndarje, ajo do të dalë në më shumë faqe ‘For You’. Kjo do të thotë se secili mund të bëhet viral”, kishte shkruar ai në analizën e vitit 2024, e publikuar në Pikasa.

Binxhiu ndërkaq përmend disa elemente, kombinimi i të cilave është i domosdoshëm që një video të bëhet virale.

Sekondat e para të asaj videoje duhet të jenë shumë interesante, ajo duhet të ketë shikueshmëri deri në fund të videos, duhet të ketë angazhim të shpejtë, pra komente, pëlqime e shpërndarje, narrativë të qartë dhe të jetë aktuale me trendet e fundit”, sqaron ajo.

Por, Tiktoku tek të rinjtë është duke shkuar përtej argëtimit. Informatat që shpërndahen nëpërmjet kësaj platforme e tejkalojnë qëllimin argëtues, krijimin e trendeve apo marrjen e udhëzimeve dhe sugjerimeve për gjëra të përditshme, thekson kandidatja për doktoratë në shkencat e komunikimit, Blerta Aliu.

Kjo platformë, por edhe aplikacionet e tjera digjitale të natyrës së njëjtë, po ndikojnë në mënyrën se si të rinjtë po i formësojnë bindjet e tyre dhe se si po e krijojnë stilin e jetesës, duke filluar nga konsumi ditor e deri te vendimet më të rëndësishme për ta. Mënyra se si flasin, si duken, si ushqehen, si vishen, si shpenzojnë, si sillen, që të gjitha këto dhe shumë më tepër, determinohen nga Tiktoku, përkatësisht tiktokerët/et dhe përmbajtja që ata prodhojnë”, thekson Aliu.

Sipas Kadri Gashit, drejtor i Qendrës për Këshillime, Shërbime Sociale dhe Hulumtim (SIT), në fokus të së cilës është puna me të rinjtë, ndikimi i platformave si Tiktoku është shumë i madh.

“Kjo platformë jo vetëm që i përcakton trendet e tyre të komunikimit dhe mënyrën se si shprehen, por shpesh ndikon edhe në perceptimet e tyre për vlerat, suksesin dhe marrëdhëniet shoqërore”, rikonfirmon ai.

Domosdoshmëria për edukim medial në shkolla

Për Nagavcin, rreziku nga përmbajtjet e paverifikuara në Tiktok është tejet i madh.

Edhe pse krijuesit ‘e zakonshëm’ krijojnë një ndjenjë afërsie dhe përfaqësimi më të madh te publiku, pikërisht ky autenticitet i perceptuar i bën përdoruesit t’i besojnë përmbajtjet e tyre më lehtë, edhe kur ato mund të mos jenë të sakta. Në platforma si TikTok, ku ritmi i qarkullimit të videove është shumë i shpejtë dhe verifikimi është i ulët, përmbajtjet e pasakta, keqinterpretuese ose dezinformuese mund të shpërndahen me shpejtësi shumë më të madhe sesa ato të krijuesve profesionalë apo mediave të verifikuara”, ka thënë ai.

Në luftën në mes fakteve dhe perceptimit, perceptimi gjithmonë fiton”, ka deklaruar Avdiu. E dezinformimi gjinor i shpërndarë përmes algoritmit të tiktokut ndërton perceptimin e mendjeve të reja, sikur ajo që po u ofrohet atyre si përmbajtje është e vërteta ‘absolute’.

Sipas Gashit, të rinjtë në Kosovë nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për mënyrën se si përmbajtja në mediat sociale, si TikToku, prodhohet dhe përzgjidhet. Ai ka cekur disa prej rreziqeve me të cilat përballen të rinjtë dhe që lidhen drejtpërsëdrejti me ekspozimin më mediat sociale dhe që ka të bëjë me presionin social.

Shpesh të rinjtë e krahasojnë veten me të tjerët, duke ndjerë presion për t’u dukur ‘perfekt’ ose për t’u përshtatur me trendet. Shëndeti mendor mund të ndikojë në ankth, depresion, ulje të vetëvlerësimit dhe varësi nga pëlqimet dhe komentet. Po ashtu ka mungesë të mendimit kritik, pasi që të rinjtë shpesh e marrin për të vërtetë atë që shohin, duke qenë të ndjeshëm ndaj manipulimit dhe propagandës”, thotë ai.

Studiuesja Aliu thotë se mungesa e edukimit për media nëpërmjet mësimit formal në shkolla, përjashtuar disa raste kur shkollat fillore ose të mesme e kanë inkuadruar atë si lëndë zgjedhore, bën që të rinjtë të ekspozohen pa asnjë mbrojtje në përmbajtje të ndryshme mediale. Ajo tregon se në trajnimet e shumta ku ka pasur rastin të ligjërojë, ka vërejtur një nevojë të madhe që të diskutohet për edukimin për media, e posaçërisht rolin që ka në luftimin e dezinformimit.

Zhvillimi i edukimit medial si lëndë shkollore obligative është një mundësi e mirë që të krijohet dhe zhvillohet qasja kritike te fëmijët dhe të rinjtë për produktet e medias qysh në një moshë të hershme. Njëkohësisht, është e vetmja rrugë për ta luftuar dezinformimin në periudhë afatgjatë. Ministria e Arsimit duhet ta trajtojë me seriozitet këtë çështje dhe të bëjë hapat e duhur që edukimi për media të jetë lëndë mësimore, ashtu si ndodh në shumë vende të botës”, potencon Aliu.

Në MASHT thonë se janë në dijeni që disa shkolla e trajtojnë si lëndë zgjedhore edukimin medial, porse sugjerojnë që ajo të trajtohet nga të gjitha lëndët mësimore.

Edukimi medial në kurrikul trajtohet si çështje ndërkurrikulare (është një nga pesë çështjet ndërkurrikulare). Është menduar që edukimi medial, sikurse janë çështjet e tjera të këtij niveli, të trajtohen nga të gjitha fushat kurrikulare dhe nga të gjitha lëndët mësimore. Për shembull, në Edukatën Qytetare, nxënësit mund të mësojnë përmes edukimit medial për zhvillimet e ndryshme në shoqëri (që është e paraparë me programin e kësaj lënde), në histori përmes edukimit medial nxënësit (duke përdorë shtypin apo materialet e incizuara televizive), të trajtojnë një ngjarje të caktuar historike. Po ashtu, edukimi medial mund të shërbejë edhe te shkencat natyrore, për shembull te kimia kur flitet për ndotësit e mjedisit, nxënësit mund të përdorin materiale të ndryshme nga mediat për ta ilustruar konkretisht njësinë e caktuar mësimore”, shkruan në përgjigjen e Zyrës për Informim të MASHTI-it.

Duke përmendur iniciativat e ndërmarra me ndihmën e shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare në Kosovë, nga Ministria e Arsimit kanë potencuar se përdorimi i papërgjegjshëm i rrjeteve sociale përbën shqetësim.

Edukimi medial patjetër që është i lidhur me mendimin kritik, pasi që nxënësit duke trajtuar informata të ndryshme, e zhvillojnë të menduarit kritik, duke krahasuar faktet nga opinionet, lajmet e vërteta nga ato të rrejshme dhe në mënyrë të pavarur krijojnë bindjet e tyre të bazuara në argumente”, thuhet tutje në përgjigjen e MASHTI-it.

Eksperti Kadri Gashi vlerëson se krahas edukimit medial, organizatat që punojnë me të rinjtë, sikurse edhe shkollat dhe prindërit duhet të luajnë një rol aktiv dhe të koordinuar për të ndihmuar të rinjtë.

Duhet ofruar trajnime, punëtori dhe programe ndërgjegjësimi mbi përdorimin e sigurt të mediave sociale, programe ndërgjegjësimi mbi përdorimin e sigurt të mediave sociale, njohjen e dezinformatave dhe rreziqet digjitale. Ato mund të krijojnë hapësira ku të rinjtë e praktikojnë mendimin kritik dhe analizën e përmbajtjes online”, këshillon ai.

Në faqen zyrtare të TikTok, shkruan që njerëzit nga mbarë bota lundrojnë në këtë platformë për të zbuluar hobi, për të gjetur inspirim apo edhe për t’u përditësuar me informatat më të fundit nga krijuesit e tyre të preferuar ndërsa çlodhen dhe rikuperohen. Por, ajo që nuk përmendet është pikërisht mënyra se si mendjet e reja po gdhenden nga konsumi i pakontrolluar i përmbajtjeve që në esencë nuk ofrojnë dijeni apo vlera, por riprodhojnë modele të dëmshme gjinore, normojnë hierarki patriarkale dhe ndikojnë në mënyrën se si të rinjtë po e formësojnë identitetin e tyre dhe se si ata po e ndërtojnë perceptimin mbi botën.