Themeluesi i platformës së kriptomonedhave u shpall fajtor për mashtrim financiar

Themeluesi i platformës së kriptomonedhave FTX, Sam Bankman-Fried u shpall fajtor të enjten nga një juri në Nju Jork, lidhur me akuzat se ka organizuar një skemë mashtrimi, që u ka shkaktuar klientëve dhe investitorëve, humbjen e të paktën 10 miliardë dollarëve, raporton VOA.

Pas gjyqit njëmujor, juria hodhi poshtë pretendimin e të pandehurit Bankman-Fried gjatë dëshmisë katër ditore në gjykatën federale të Manhatanit, se ai kurrë nuk kishte kryer mashtrim dhe nuk kishte për qëllim të mashtronte klientët përpara se FTX, dikur platforma e dytë më e madhe e shkëmbimit të kriptomonedhave në botë, të falimentonte një vit më parë.

“Krimet e tij dolën në dritë. Ato u zbuluan më në fund”, tha para jurisë ndihmësprokurorja federale, Danielle Sassoon. Ajo tha se zoti Bankman-Fried i ktheu llogaritë e klientëve të tij në “llogari të tij personale”, duke zhdukur gati 14 miliardë dollarë.

Ajo u kërkoi anëtarëve të jurisë që të hidhnin poshtë pretendimet e të pendehurit Bankman-Fried, se ai në asnjë moment nuk kishte kryer mashtrim ose komplot për të vjedhur nga klientët, investitorët dhe huadhënësit dhe nuk e kishte kuptuar se kompanitë e tij kishin të paktën 10 miliardë dollarë borxh, deri në tetor të vitit 2022.

Sipas gjykatësi Lewis A. Kaplan, më 28 mars do të shpallet masa e dënimit për ish-drejtuesin e platformës FTX, Sam Bankman-Fried.

Prokurori federal Damian Williams u tha gazetarëve pas vendimit se Sam Bankman-Fried “kreu një nga mashtrimet më të mëdha financiare në historinë amerikane, një skemë shumë miliarda dollarëshe, e krijuar për ta bërë atë mbret të kriptomonedhave”.

“Industria e kriptomonedhave mund të jetë e re. Lojtarët si Sam Bankman-Fried mund të jenë të rinj. Por, ky lloj mashtrimi, ky lloj korrupsioni është shumë i vjetër dhe ne nuk e tolerojmë atë”, tha ai.

Avokati i zotit Bankman-Fried, Mark Cohen, tha përmes një deklarate se: “e respektojnë vendimin e jurisë. Por jemi shumë të zhgënjyer me rezultatin”.

“Zoti Bankman-Fried është i pafajshëm dhe do të vazhdojë të luftojë fuqishëm akuzat kundër tij”, tha zoti Cohen.

Gjyqi shkaktoi një interesim të madh për shkak të shkallës së madhe të mashtrimit, që nuk është parë që nga gjyqi i vitit 2009 ndaj Bernard Madoff-it, i cili përmes një skeme piramidale, mashtroi mijëra investitorë për disa dekada, duke u shkaktuar atyre një humbje prej rreth 20 miliardë dollarësh. Madoff pranoi fajësinë dhe u dënua me 150 vjet burg, ku dhe vdiq në vitin 2021.

Prokurorët që u morën me çështjen e 31 vjeçarit Bankman-Fried, hodhën dritë mbi industrinë e kriptomonedhave dhe një grup drejtuesish të rinj në të 20-tat, që jetonin së bashku në një apartament luksoz me vlerë prej 30 milionë dollarësh në Ishujt Bahama, ndërsa ëndërronin të bëheshin grupi më i fuqishëm në fushën e re financiare.

Prokurorët dëshmuan para jurisë se i pandehuri themeloi kompaninë Alameda Research, në 2017 dhe platformën e shkëmbimit të kriptomonedhave FTX, dy vjet më vonë.

Ata i treguan jurisë fotografitë e të pandehurit, Sam Bankman-Fried, duke fjetur në një avion privat dhe duke ndjekur ndeshjen finale të futbollit amerikan, Superbollin, me njerëz të famshëm, përfshirë këngëtaren Katy Perry. Ndihmës Prokurori Nicolas Roos tha se Bankman-Fried ishte një person, të cilit i pëlqente “shoqërimi me njerëz të famshëm”.

Avokati mbrojtës Mark Cohen tha gjatë paraqitjes së argumenteve përmbyllëse se prokurorët po përpiqeshin ta kthenin “Sam-in në një lloj zuzari, një lloj përbindëshi”.

“Kjo është e gabuar dhe e padrejtë. Shpresoj dhe besoj se e keni parë që kjo thjesht nuk është e vërtetë”, tha ai. “Sipas qeverisë, gjithçka që Sam ka prekur dhe çdo fjalë që ka thënë ishin mashtruese.”

Qeveria u mbështet shumë në dëshminë e tre ish-anëtarëve të rrethit të ngushtë të të pandehurit Sam Bankman-Fried, drejtuesve më të lartë të kompnaive të tij, duke përfshirë ish të dashurën e tij, Caroline Ellison, për të shpjeguar se si ai e përdori kompaninë “Alameda Research” për të nxjerrë miliarda dollarë nga llogaritë e klientëve në platformën FTX.

Me ato para, thanë prokurorët, i diplomuari i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets fitoi ndikim dhe fuqi përmes investimeve, kontributeve financiare, dhjetëra miliona dollarëve në kontribute politike, dëshmive në Kongres dhe një fushatë reklamash, në të cilën u angazhuan njerëz të famshëm si komediani Larry David dhe lojtari i fubtollit amerikan Tom Brady.

28 vjeçarja Caroline Ellison dëshmoi se Bankman-Fried e kishte udhëzuar atë të bënte mashtrimet, në kohën kur ajo ishte shefe ekzekutive e kompanisë Alamada Research, ndërsa ai ndiqte ambiciet për të udhëhequr kompani të mëdha, për të shpenzuar para në shkëmbim të influencës dhe për të kandiduar një ditë për postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Sipas zonjës Ellison, ai mendonte se kishte 5 për qind shans për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara.

E përlotur teksa përshkruante shembjen e perandorisë së kriptomonedhave nëntorin e kaluar, Caroline Ellison tha se zbulimet që i bënë klientët të kërkonin kolektivisht paratë e tyre, duke ekspozuar mashtrimin, i sollën një “lehtësim, që ajo nuk kishte më nevojë të gënjente”.

Bashkëthemeluesi i FTX, Gary Wang, i cili ishte shef i departamentit të teknologjisë, zbuloi në dëshminë e tij se Bankman-Fried e udhëzoi atë të fuste kodin në operacionet e FTX në mënyrë që Alameda Research të mund të bënte tërheqje të pakufizuara të parave nga FTX dhe të kishte një linjë krediti deri në 65 miliardë dollarë. Zoti Wang tha se paratë erdhën nga klientët.

Nishad Singh, ish-kreu i inxhinierisë në FTX, tha gjatë dëshmisë se ishte “tmerruar” nga rezultati i veprimeve të një njeriu, që dikur e admironte, kur i kuptoi përmasat e skemës së mashtrimit nëntorin e kaluar. Ai tha se kjo e kishte shtyrë atë, që të mendonte të bënte vetëvrasje.

Ellison, Wang dhe Singh u deklaruan të gjithë fajtorë për akuzat për mashtrim dhe dëshmuan kundër zotit Bankman-Fried në shkëmbim të një dënimi më të lehtë.

Sam Bankman-Fried u arrestua në Ishujt Bahamas në dhjetor të vitit të kaluar dhe u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, ku u lirua me kusht në këmbim të një garancie prej 250 milionë dollarësh. Ai është i detyruar të mbajë një pajisje eloktronike, që monitoron lëvizjet e tij dhe të qëndrojë në shtëpinë e prindërve të tij, në qytetin e Palo Altos në Kaliforni.