“The Times” për Vjosën: Ujë i kristaltë e degëzime të bardha për rafting

“Uji i kristaltë dhe degëzime të bardha: Parku i parë Kombëtar i lumit të egër në Evropë për rafting”. Ky është titulli kryesor që prestigjiozja “The Times” i kushton vendit tonë, raporton Klan. Më tej britanikja shkruan se në Shqipëri gjenden përrenj me shumë adrenalinë, male të shenjta dhe një lumë i pazbutur, ja si është të prekësh aventurën në lumin e Vjosës në Shqipëri.

“The Times” përshkruan me detaje lundrimin me gomone apo kajaket për rafting duke e konsideruar këtë sport si një festë në ujërat e pastra që të rrëmbejnë në furinë e lumit të egër të Evropës.

Adrenalina në këtë lumë unik siç është Vjosa të shton rrahjet e zemrës duke e bërë këtë shëtitje padyshim të paharrueshme.  Në artikullin e “The Times” shkruhet se Vjosa mbetet e paprekur dhe në asnjë pikë përgjatë gjithë lumit nuk ka kanale, devijime, sikurse asnjë digë të mundshme. Britanikja rikujton dhënien e statusit si Parku i parë Kombëtar i lumit të egër në Evropë.

Në brendësi të shkrimit nënvizohet se Vjosa është vetëm një nga mrekullitë e shumta të eksploruara gjatë itinerarit të rafting. Pas udhëtimit plot adrenaline në një fshat malor të vogël, turistët provuan një vakt tërësisht me produkte bio të rritura në tarracat e fshatit. Më tej një shëtitje poshtë malit të shenjtë të Tomorrit dhe akomodimi në Bujtinat aty pranë. Britanikja “The Times” shkruan se lumenjtë e Shqipërisë mbeten padiskutim xhevahirët e saj duke u krahasuar me lumenjtë në veri të Kanadasë.

“The Times” zbulon Shqipërinë përmes turizmit të aventurës, të përvojave unike të rafting në ujërat e Vjosës. Kështu u shpreh edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau në rrjetet sociale shkrimin e botuar në faqen e internetit te medias britanike.