‘Teuta’ dhe ‘Xheladin Zeqiri shënuan fillimin e festave të Nëntorit në Tetovë
Mbrëmë, në ambientet e Qendrës për Kulturë në Tetovë, u mbajt koncerti vjetor i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Xheladin Zeqiri” Tetovë, një prej ngjarjeve më të dashura dhe më të pritura për publikun tetovar. Ky koncert, tashmë i shndërruar në traditë shumëvjeçare, përbën një manifestim të gjallë të trashëgimisë kulturore dhe një dëshmi të përkushtimit të brezave të rinj për ta ruajtur, kultivuar dhe përçuar artin e pasur shqiptar në këtë qytet me histori e kulturë të thellë. Performuan edhe Kori i Grave “Teuta”, shkruan Portalb.mk.
Jeton Pustina udhëheqës artistik i SHKA “Xheladin Zeqiri” për Portalb.mk tha se ky nuk ishte vetëm një koncert, por një vazhdimësi e shpirtit kulturor të Tetovës. ‘Xheladin Zeqiri’ është bërë simbol i traditës, vendi ku lindin talentet e reja dhe ku ruhet kujtesa e 80 viteve të artit e kulturës sonë.
“Mbrëmë u mbajt koncerti tradicional i Shoqërisë Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri”-Tetovë. Këtë koncert çdo vit e organizojmë në muaj nëntor, për arsye se muaji nëntor është muaj i shenjtë për shqiptarët. Çdo herë, detyrim i neve udhëheqësve është të nxjerrim talent të rinj. Edhe mbrëmë, programi ishte i ndarë me fëmijët, me talentet e rinj dhe me gjeneratën më të vjetër. Si çdo herë në repertorin tonë, kemi këngë dhe valle të krahinave të ndryshme, por mbi të gjitha që është më kryesorja, qytetarët e pritën me padurim.
Mbase tani më “Xheladin Zeqiri është është etablus i një brendi kulturori i qytetit tonë, por edhe suksesi i Korit të Grave “Teuta” që e kishim në Shqipëri, e bënë të vetën që interesimi të shtohet edhe më shumë. Sido që të jetë Xheladin Zeqiri vazhdon traditën për të nxjerrë talent të rinj, por edhe ta vazhdojë traditën e nisur para 80-të viteve në qytetin tonë. Është një institucion kulturor, nga të cilët ku kanë funksionuar njerëz, të cilët më vonë kanë themeluar Institucione të tjera Kulturore, Grupe Sportive, Shkolla, Universitete e kështu me radhë”, tha Pustina.
Ai shtoi se për herë të parë në skenë prezantuan afër 100 fëmijë dhe të rinj.
“Për herë të parë mbrëmë nxorëm në skenë afër 100 fëmijë dhe të rinj. Ishte kjo një ngjarje shumë e madhe. Interesim ka fëmijët dhe të rinjtë e duan kulturën, e duan artin vetëm ne duhet të jemi ata që do ti shtymë dhe t’i bëjmë që të jenë pjesë e skenës”, tha Pustina.