Tetovë: Komuna raporton suficit, BDI akuzon për falsifikim financiar dhe mashtrim publik
Saldoja pozitive në llogarinë përfundimtare të Komunës së Tetovës është mashtrim, sepse paratë nuk i kontrollon komuna por përmbaruesit. Kështu kanë reaguar nga BDI-ja duke kërkuar llogari nga udhëheqësia komunale të deklarohet se ku janë paratë. Nga Komuna e Tetovës nuk u përgjigjën për këtë në pyetjet gazetareske, raporton Portalb.mk.
BDI-ja reagoi duke thënë se sipas llogarisë përfundimtare të Komunës së Tetovës për vitin 2024 rezulton se të ardhurat janë 1.958.841.799 den ndërsa shpenzimet 1.875.251.524 den.Kurse suficiti (teprica) buxhetore në letër është 83.590.275 den (afër 1.36 milion €)
“Në dokumentin zyrtar figuron që komuna vitin e ka mbyllur me saldo pozitive prej 1.36 milion euro. Por në realitet, llogaria e Komunës është e bllokuar. Borxhet e papaguara servisohen përmes përmbaruesve. Paratë, edhe nëse janë në llogari nuk i kontrollon Komuna, por përmbaruesit. Pra, suficiti apo saldoja pozitive e paraqitur është mashtrim. Një shifër në letër për të fshehur realitetin. Kjo nuk është transparencë, por paraqitje e rreme financiare dhe vepër penale. Pyesim publikisht kryetarin e komunës së Tetovës, ku janë paratë?”, thanë nga BDI.
Portalb.mk kërkoi sqarime nga Komuna e Tetovës për këtë, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nga Komuna e Tetovës nuk kemi marrë përgjigje.
Në ndërkohë sipas analizës ekonomike të Portalbit të kësaj jave, Komuna e Tetovës është komuna e dytë me borxhin më të madh në vend, me detyrime të prapambetura dhe të papaguara prej 9,5 milionë eurosh.
Ndërkaq vetëm NPK – Tetovë ka detyrime të papaguara në vlerën prej 6,8 milionë euro.
Kujtojmë që Borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës përfshirë ndërmarrjet publike dhe shkollat kur u publikua në fund të muajit nëntor 2021 ishte mbi 24 milionë euro, prej të cilave Komuna me mbi 14 milionë euro.