Tetovë, dezinformatat nuk mund t’i zhdukim, por mund t’i luftojmë

Dezinformatat dhe lajmet e rrejshme shtrembërojnë realitetin, ata madje sjellin pasoja dhe ndikime negative në shoqëri. Megjithatë, me gazetari të mirëfilltë dhe shoqëri të vetëdijshme e cila di si t’i dallojë lajmet e rreme, lufta me dezinformatat është më e lehtë. Kjo mes tjerash u theksua në konferencën rajonale “Lajmet e rrejshme – Shtrembërimi i realitetit” e cila u mbajt sot në Tetovë nën organizimin e klubit “Rotary” të Tetovës në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis, shkruan Portalb.mk.

Në kohën kur dezinformatat shumë shpejtë shpërndahen në platforma të ndryshme, verifikimi i fakteve është një prej mjeteve më të rëndësishme të gazetarëve për t’u përballur me to. Verifikimi i fakteve ka rëndësi të jashtëzakonshme, si për krijimin e gazetarisë cilësore sipas standardeve profesionale, ashtu dhe për zhvillimin dhe krijimin e një shoqërisë së mirë-informuar.

Përvojat dhe eksperiencat e tyre i ndanë emrat më të njohur të gazetarisë dhe shoqërisë civile në territoret shqip-folëse, por edhe më gjerë. Ata sqaruan për atë se çfarë realisht është verifikimi i fakteve, si bëhet dhe më e rëndësishmja pse “të gjithë duhet të jenë verifikues të fakteve”.

Bardhyl Jashari, drejtor i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“ duke folur për punën e organizatës me të cilën udhëheq ai, në drejtim të luftës me dezinformatat theksoi se sot lajmet e rreme dhe propagandistike gjenden kudo dhe shpërndahen shumë shpejtë. Ai përmendi si shembull raportimin qarkor.

“Nëse një lajm/dezinformatë e bën një portal X, të njëjtën e merr portali Y, më pas edhe portali Z dhe përsëri burimi i gënjeshtrës (portali X në këtë rast) e merr dhe e përsërit të njëjtën gënjeshtër dhe i citon portalet e tjera. Ky raportim qarkor paraqet problem të rëndësishëm”, tha Jashari.

Bardhyl Jashari (drejtor i Fondacionit Metamorfozis) në Konferencën: Lajmet e rrejshme: shtrembërim i realitetit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bardhyl Jashari (drejtor i Fondacionit Metamorfozis) në Konferencën: Lajmet e rrejshme: shtrembërim i realitetit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndër të tjera ai tha se të gjithëve na ndodh të përballemi me dezinformata dhe lajme të rreme, të cilat kanë qëllime keqdashëse, ku autorët që qëndrojnë prapa dezinformatave përdorin mjete të ndryshme dhe keqpërdorim burime të ndryshme për të arritur qëllimet e tyre keqdashëse.

“Përpiquni të jeni të mirë informuar në vend që të keni thjesht qëndrim… Si të ruhemi? Ka një truk, baza e të gjithë propagandës lajmeve të rreme bazohet në tre-katër gjëra, ose të argëton, të zemëron, të trondit ose të tmerron. Nëse hasni informatë të tillë dhe ju ngjall këto ndjenja, ndaluni, bëni pauzë dhe verifikoni, ai është momenti kur duhet ta verifikoni…Pyetni, kërkoni ekspertizë, verifikoni për çështjet që keni dyshime”, porositi Jashari.

Një nga arsyet se pse sot kemi kaq shumë dezinformata lidhet me gazetarinë jo profesionale. Kështu tha Elida Zylbeari, kryeredaktore e portalit Portalb.mk dhe e Vërtetëmatës.mk në gjuhën shqipe.

“Gazetaria profesionale ka rol të rëndësishëm në luftën kundër dezinformimit prandaj dhe është e rëndësishme që gazetarët të jenë të kujdesshëm dhe të përdorin burime të verifikuara për të prodhuar lajme të rëndësishme dhe të vërteta. Verifikimi i fakteve duhet të bëhet para se të publikohet lajmi”, tha Zylbeari.

Ajo sqaroi dallimet midis keqinformimit, dezinformimit dhe informimit me keqdashje.

“Keqinformimi është gabim i paqëllimtë i cili mund të jetë ndonjë lëshim teknik apo tekstual. Dezinformimi është përmbajtje e sajuar ose e manipuluar qëllimisht, teori konspirative ose thashetheme të krijuara me qëllim. Ndërkaq informimi me keqdashje është publikim i qëllimshëm i informacionit privat për interesa të ndryshme dhe jo publike”, tha Zylbeari.

Elida Zylbeari (kryeredaktore e Portalb.mk) në Konferencën: Lajmet e rrejshme: shtrembërim i realitetit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Elida Zylbeari (kryeredaktore e Portalb.mk) në Konferencën: Lajmet e rrejshme: shtrembërim i realitetit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ajo theksoi se në Maqedoninë e Veriut dezinformatat mund të ndahen në dy grupe, ata që krijon brenda vendit kryesisht nga politikanët apo partitë politike dhe ata që burimin e kanë nga jashtë si Kina dhe Rusia.

“Portalet, kanë agjenda të ndryshme. Nga hulumtimi i Metamorfozit del që partitë janë burim i dezinformatave, dhe janë ato që çdo herë para zgjedhjeve hapin plotë portale, por edhe pas zgjedhjeve e vazhdojnë këtë praktikë. Ata i nxisin këta dezinformata, manipulime, propaganda të cilat tingëllojnë shumë mirë në veshin e opinionit të tyre dhe ata më pas e shpërndajnë”, tregoi Zylbeari.

Ndërkaq për dezinformatat dhe fushatat propaganduese nga jashtë, ajo theksoi se vijnë kryesisht nga Rusia dhe Kina dhe kanë qëllime keqdashëse.

“Pas pandemisë kemi dezinformatat për agresionin rus ndaj Ukrainës… Në Ballkan qendra është Serbia, ku më pas të njëjtat rrjedhin edhe te ne, përkthehen dhe më pas vendosen edhe elemente të tjera si futja e elementeve lokale në propagandën e KremlinitNjë nga tendencat është të tregohet se demokracia nuk funksionon, të mos besohet në institucionet demokratike dhe të krijohet një lloj kaosi se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo.” Kur futen elementet lokale është më e vështirë të dallohet si propagandë”, tha Zylbeari.

Ajo përmendi se dezinformatat janë tejet të rrezikshme kur vijnë nga aktorë të jashtëm keqdashës pasi ata ndikojnë në qëllimet strategjike të vendit, si BE-ja apo NATO-ja. Për këtë, Zylbeari sqaroi mënyrat se si Metamorfozis i kundërvihet dezinformimit përmes të dhënave, teknologjisë dhe verifikimit të fakteve.

Edhe Kosova ndan sfidat e ngjashme në këtë drejtim, Jeta Xharra, drejtoreshë e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Kosovë dhe kryeredaktore e Kallxo.com theksoi se sipas një hulumtimi që ata kanë kryer së fundmi kanë gjetur se propaganda ruse dhe kineze ka ndikim edhe në Kosovë.

“Në Kosovë kryesisht narrativet më të mëdha kanë për qëllim me armiqësuar komunitetin shqiptar me atë serb, kanë për qëllim që frikët e njerëzve me i tensionuar më shumë…Njëra nga narrativet kryesore prej Rusisë është që shqiptarët duan ta zbrazin Kosovën prej serbëve…Narrativë tjetër është prezantimi i EU-në si anti serbe.Propaganda kineze të cilën e kemi detektuar në Kosovë kryesisht ka për qëllim me dhënë shumë dezinformata që kanë me ekonominë, promovojnë narrativë anti amerikane dhe narrativë me shëndetin publik. Burimet kineze e përkrahin një lloj dezinformimi në shëndetësi”, tha Xharra.

Jeta Xharra (drejtoreshë e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Kosovë dhe kryeredaktore e Kallxo.com) në Konferencën: Lajmet e rrejshme: shtrembërim i realitetit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Jeta Xharra (drejtoreshë e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Kosovë dhe kryeredaktore e Kallxo.com) në Konferencën: Lajmet e rrejshme: shtrembërim i realitetit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Megjithatë, ajo theksoi se edhe vetë vendi është prodhues i lajmeve të rreme.

“Kanë të bëjnë me narrativet etnike që janë ndoshta edhe dezinformimet për profile publike dhe ende mbetet njëra nga narrativet prej dezinformimeve kryesore, stigmatizimi i liderëve politik si që kanë bërë kompromis të madh me Serbinë, dhe liderë serb që portretizohen si dikush që është shumë duke bërë kompromis me Prishtinën. Në të dy anët e kemi këtë”, theksoi Xharra.

Mes tjerash ajo tha se në përgjithësi shoqëria është shumë e ndjeshme ndaj dezinformatave dhe se mundet me një investim shumë të vogël të binden njerëzit me të pavërtetat.

Nga Shqipëria, Klodiana Kapo – drejtoreshë e platformës për verifikimin e fakteve Faktoje.al. Duke folur për median në Shqipëri, theksoi se problemi më i madh i vendeve tona janë lajmet gjysmë të vërtet, ata që kanë helmuar të vërtetën.

“Në Shqipëri është situata më e vështirë pasi për një periudhë të gjatë ka qenë e izoluar në komunizëm… Jemi vend me demokraci të brishtë…Është e vështirë të jesh gazetar me integritet…Një nga gjërat për të cilat ne luftojmë është verifikimi i të dhënave, që duhet të jetë edhe baza e çdo gazetari”, tha Kapo.

Klodiana Kapo (– drejtoreshë e platformës për verifikimin e fakteve Faktoje.al.) në Konferencën: Lajmet e rrejshme: shtrembërim i realitetit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Klodiana Kapo (– drejtoreshë e platformës për verifikimin e fakteve Faktoje.al.) në Konferencën: Lajmet e rrejshme: shtrembërim i realitetit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ajo sqaroi se dezinformimi në Shqipëri vjen në forma të ndryshme.

“Në Shqipëri vijnë nga politika, nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë tonë nga brenda… Së fundmi vijnë edhe nga jashtë, kryesisht dezinofmrimin e marrim nga Serbia”, tha Kapo.

Ajo përmendi se në Shqipëri ka rreth 900 portale shumica prej të cilave bëjnë copy paste dhe shfrytëzohen nga politikanët për të shpërndarë dezinformata dhe propagandë.

“Media të paktën në Shqipëri po humbet qëllimin kryesor të saj, financohet nga para që vijnë nga politika….mendoj që lajmet e rreme apo gjysmë te vërteta janë problem shume i madh shoqëror pasi ne humbasim besimin ndaj medias dhe institucioneve, të kërkuarit e të drejtave tona që në fund përmirësojnë jetët tona”, tha Kapo.

Megjithatë, ajo theksoi se me të dhëna të sakta dhe evidenca të sakta, ndryshimi mund të bëhet.

Nikoqiri i konferencës, kryetari i i klubit Rotarian të Tetovës, Mislim Hasipi theksoi “se lajmet ne rrejshme ndikojnë në përditshmërinë tonë tregon prezenca juaj këtu dhe interesi për këtë temë”.

Konferenca: Lajmet e rrejshme: shtrembërim i realitetit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konferenca: Lajmet e rrejshme: shtrembërim i realitetit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mes tjerash u theksua se dezinformatat sjellin konfuzion shoqëror dhe kanë për qëllim të rrënojnë të besimin e qytetarëve në institucionet e vendit, madje mund dhe të ndikojnë në proceset kur merren vendime të rëndësishme shoqërore.

Diskutimi ndër të tjera u fokusua edhe te ajo se sa e rëndësishme është përfshirja e edukimit mediatik në shkolla, gabimet drejtshkrimore nga mediat të cilat mund të nxjerrin nga konteksti lajmet. Folësit theksuan se institucionet shtetërore duhet të jenë sa më transparent me gazetarët dhe me mediat, të japin të gjitha informacionet që ata kërkojë sepse do të ju shërbejnë qytetarët, dhe se institucionet i vonojnë përgjigjet.

Pjesëmarrësit u njoftuan gjithashtu edhe me veglat dhe metodologjitë që gazetarët i shfrytëzojnë që të sigurojnë saktësi gjatë raportimit të tyre, për narrativet kryesore dezinformuese në Maqedoni dhe botë, për mënyrën e verifikimit të realizimit të premtimeve nga autoritetet lokale dhe nacionale dhe për rolin e edukimit mediatik.