Testet e maturës shtetërore nuk janë shpërndarë nëpër internet para testimit, do të hetojmë rastin, premtojnë nga QSHP-ja

Reagimi i Qendrës Shtetërore të Provimeve ka ardhur pasi shumë mediume kanë publikuar se testet e maturës shtetërore në gjuhën angleze janë vjedhur dhe janë shpërndarë nëpër rrjetin social Viber, raportoi Meta, transmeton Portalb.mk.

Testet e maturës shtetërore të përgatitura nga Qendra Shtetërore e Provimeve nuk janë “hakuar”, por pyetjet janë shpërndarë kur ka filluar provimi, sqarojnë nga Qendra. Ata premtojnë që deri në ora 10 nuk janë shpërndarë pyetjet, deri në momentin që ka filluar testimi, që është përgjegjësi e Qendrës.

Qendra premtoi që do të ndjek procedurat ligjore për të gjetur maturantët që i kanë thyer rregullat në lidhje me këtë çështje.

Ndryshe, maturantët e Maqedonisë së Veriut sot kanë realizuar provimin e dytë të maturës shtetërore për vitin shkollor 2022/23. Maturantëve u jepet mundësia të zgjedhin nga shtatë lëndë dhe përveç matematikës, estetikës dhe filozofisë, mund të zgjedhin edhe një nga gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht ose rusisht. Më herët, më 27 maj, 15.620 maturantë i janë nënshtruar provimit të parë ekstern, gjuhës amtare të detyruar (maqedonisht, shqip ose turqisht) dhe letërsi.

Ndryshe, prej sot fillon edhe regjistrimi i gjysmëmaturantëve në shkolla të mesme përmes formës elektronike.