Tërheqja e ligjit për kazinot, Kasami: Ka vërejtje që duhet të rishqyrtohen

Tërheqja e propozim-ligjit për lojërat e fatit nga procedura parlamentare dhe kthimi në qeveri për rishqyrtim kanë nxitur reagime në opinion për tërheqjen e ligjit pa arsyetime publike. Për këtë, njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami i pyetur nga Portalb.mk tha se ka vërejtje që duhet të rishqyrtohen, por nuk dha detaje.

Kasami tha se punohet për zgjidhje e cila do të jetë e qëndrueshme.

“Është problematikë për të cilën ne do duhet edhe në të ardhmen të punojmë që të kemi zgjidhje të cilat do jenë të qëndrueshme sepse edhe te Ligji për lojërat e fatit e dimë se ka pasur disa iniciativa nga Kuvendi, nga Qeveria, nga partitë opozitare, distancat, ka disa vërejtje të cilat mos të shkohet me amendamente në Kuvend do duhet Qeveria t’i rishqyrtojë dhe të kemi draft final i cili do të mund të kalojë në Kuvend”, tha Kasami.

Propozim-ligji për lojërat e fatit, i cili u prezantua me shumë bujë nga qeveritarët, pasi për disa muaj qëndroi në sirtarët e Kuvendit dhe së fundmi u tërhoq nga procedura parlamentare, ndërsa është rikthyer në procedurë qeveritare për precizim të mëtejmë.

Nga Qeveria nuk i bënë të ditura arsyet konkrete të tërheqjes së ligjit, çfarë do të precizohet dhe kur pritet që ligji të kthehet në Kuvend për procedurë të mëtejshme.

Deputetja e BDI-së nga opozita, Rina Ajdari i tha Portalbit se tërhgeqja e propozim-ligjit për lojërat e fatit nga procedura parlamentare është veprim i pakuptueshëm dhe joserioz nga ana e Qeverisë, e cila sipas saj nuk e ndal këtë biznes, por e stimulon.

Ndërkaq edhe nga Lëvizja Antibixhoz kanë reaguar duke i thënë Portalbit se se janë të zhgënjyer nga politikanët të cilët nuk e kanë prioritet interesin e qytetarëve.

Ndonëse eksponentët e qeverisë, kryesisht përfaqësuesit e VLEN-it disa herë e kanë promovuar këtë ligj, i njëjti nuk arriti të sheh dritë dhe të miratohet, vazhdimisht kishte arsyetime dhe afatet u shtynë disa herë për vendosjen e tij në rend dite në seancë plenare.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut (VMRO-VLEN-ZNAM) më 16 korrik 2025 e miratoi këtë propozim-ligj, ndërsa më 7 gusht 2025 e dorëzuan në Parlament.

Për këtë ligj, opozita vazhdimisht ka akuzuar se qeveria i mashtron qytetarët dhe se në praktikë kjo nuk do të zbatohet ashtu siç ata e promovojnë dhe se gënjejnë popullin. 

Thelbi i ndryshimeve definohej në nenin 24, me të, kazinotë dhe klubet e lojërave të fatit që kanë makina video llotarie është paraparë të vendosen të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme. 

Dispozitat ligjore ishin të planifikuara të hyjnë në fuqi më 1 korrik 2027.

Duke pasur parasysh se nuk i rendit ato si përjashtim, dispozita planifikohej të zbatohet edhe për kazinotë e vendosura brenda hoteleve, të cilat ndodhen gjysmë kilometri larg institucioneve arsimore. 

Për dallim nga kazinotë dhe klubet me aparate, ndryshimet i përjashtonin pikat e basteve, të cilat nuk do të duhet të zhvendosen dhe do të mbeten në vendet e tyre ekzistuese. 

Ndaj ndryshimeve në industri pati reaguar Shoqata e Organizatorëve të Basteve Sportive të Maqedonisë, duke kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga zgjidhja ligjore. 

Përpjekje për të rregulluar industrinë e lojërave të fatit ka pasur disa herë në të kaluarën, përfshirë edhe gjatë qeverisjes së mëparshme LSDM–BDI. 

Në mars të vitit 2024, Parlamenti nuk arriti të miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili do të parashihte që objektet e lojërave të fatit të zhvendoseshin më shumë se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme. 

Kjo ishte përpjekja e dytë për të miratuar një zgjidhje ligjore pasi ligji u miratua nga deputetët më 7 shkurt, por Presidenti i atëhershëm i vendit, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi Dekretin.