Para një komuniteti zemërthyer, krahëthyer. Predikim në rrethana hidhësie, të halleve të mëdha. Feligjërim në “kohë të vështira” (Görmez), në kohë krize. Dhe, momentumet krizologjike nganjëherë prodhojnë edhe fenomene pro-sociale, që ndryshojnë kursin e rrjedhave, perceptimin e gjërave dhe të individëve. Këtyre ditëve Shkupi jonë përjetoi një tragjedi tjetër, qoftë e fundit, vrasje brendashqiptare, që edhe një herë na uli përtoke të gjithë; na bëri të mendojmë dhe rimendojmë gjendjen tonë si komunitet, edhe etnik edhe religjioz, të rishqyrtojmë bindjen se jemi qyteti më spiritual në shqiptari dhe përtej. Kjo ngase përshpirtësia duhet t’i ketë edhe nus produktet afirmative, kulturëplote, humane, morale.
Dhe kryeaktori l i pastmerrit dhe pastragjedisë, një hoxhë, imam i njërës nga xhamitë më monumentale të kryeqytetit, “Isa Beg”, i cili mbajti një predikim të premteje (xhumaje) që përkundër nevojës për pak më tepër pedagogji (“Hupni!”, “A jeni n’terezi?”, “A dini be…..”, emrat personalë s’duhen përmendur), për vetëkontroll dhe marrje parasysh edhe të faktorëve të tjerë socialë (mediet, institucionet arsimore, politikën, OJQ-të dhe fondacionet laike dhe ato fetare para së gjitash), shënoi agjendën e medieve klasike, atyre online dhe përtej. Kjo ligjëratë goditi me gjuhën e emocioneve të dëlira dhe të zemrës jo vetëm xhematin që ishin prezentë atë ditë në faltore, por edhe të tjerët që shikuan atë video disaminutëshe, madje edhe njerëz që s’i takojnë proveniencës islame, të krishterë. Nga ata që e kishin dëgjuar mësuam për mornicat, dridhmat a rrëqethjet në trup si rrjedhim i porosive zhbirurese dhe prekëse.
Rebelimi i hoxhës karshi gjendjes përmes fjalës së thënë është shumë prekës: “T’i mbyllim xhamitë”, “…mos me e falë xhumanë”, “Humbni, ku të doni faluni”, “Çdo javë dikush tu na e përvëlu zemrën dhe ne me heshtë…”, “Natën me vjedhë e n’sabah n’saf ta parë”, “Me kokainë në xhep…”, “Ecim për toke ama t’vdekt jemi”, “Varret jemi duke i mbushë, copa duke u bë”, “Sa nëna u përvëluan, sa fëmijë jetima mbetën, dhe kjo nuk po ndalet”, “Ju islamin e keni veç formalisht”, “Juve fjala Allah s’ua dridh hiç zemrat”, “Çka të them në ngushëllime, me vjen turp?”, “Kujt po ia drejton armën, vëllait tënd?”, “Ajo pikë e gjakut që është derdhë, është edhe pika ime, është është evladi im”, “Ai që e ka vra atë, na ka vra të gjithëve”, “Hajde dil ti në vendin e atij babe e të asaj nëne…”, “A dini ndonjëherë të bëheni se s’keni dëgjuar, t’ia lëshoni rrugën tjetrit?”, “Zotin e lus të na i ngjallë zemrat tona“, “Nuk e di se çka jam dukë thënë, në vete nuk jam”. Fjalia e fundit dhe lotët tregojnë për transin e përjetuar nga ky predikues, për dertin që bart në vete dhe përpjekjen e tij për të ndryshuar gjendjen.
Sociologjikisht ky ishte një fenomen sui generis: më duket për herë të parë ka pasur një rast kur edhe maqedonasit ortodoksë kanë thurur elozhe për ligjëratën albanofone, që në epiqendër kishte disfatën kolektive shoqërore, dështimin e diskursit të teologut përballë besimtarit, dështimin për të ndërtuar një besimtar të mirëfilltë, që jetën e konsideron të shenjtë. Në fakt, duke u nisur nga aforizmi që thotë se ‘udha e mendjes është një’, e ne do të kishim shtuar se edhe ‘udha e zemrës është një’, ata aprovuan gjuhën e thjeshtë, pa sforcime e improvizime që na pikturonte të gjithë ne, si njerëz para së gjithash, që duhet të kemi empati, respekt ndaj çdo qenieje të gjallë.
Analiza e përmbajtjes apo diskurzive shkurtimisht na nxjerr para këto porosi të shikuesve etnikë-maqedonas me kuptim të madh sociologjik, kohezion në gjykimin e të keqes dhe afirmimin e të mirës: “Përveç bravo, s’duhet koment!” (D.A), “Nuk jam muslimane, por hoxha më bëri të qaj” (B.P.), “Respekt, njeri i madh për këto fjalë të urta që i the…” (M.S.), “Kjo është e vërteta, vetëdijësimi dhe mirësia janë ilaçi” (T.G.), “Të rrojë 101 vjet” (A.P.), “Hallall të qoftë, për fat të keq njerëzit e këtillë janë të rallë!” (T.G.), “Mësim për pleq e të rinj” (M.D.), “Bravo, çdo fjalë në vend” (V.V.), “Sikur 10% të fjalëve të tij t’i zbatonim do ta kishim gjendjen shumë më ndryshe” (V.G.), “Çdokush që e kupton mesazhin tuaj duhet të mendojë për të ardhmen e brezave që do të vijnë” (L.M.), “Kur të gjithë do të mendonin kështu, do të jetonim në parajsë! Respekt për zotëriun! Pavarësisht se si e quajmë, Zoti është një.” (L.J.)
Joshqiptarët në atë ligjëratë e lexuan edhe gjendjen e tyre; ata kaluan në gjendjen e bashkëndierjes së një fakteqësie të tjetrit. E matën veten dhe gjithë shoqërinë përmes atyre fjalive që bënë bujë në kohën e fesë digjitale. Të gjithë mbi pesëqindmijë shikuesit aty lexuan edhe krizën e kultivuesve të botës së brendshme njerëzore, të klerikëve, të familjes, autoriteteve, edukatorëve. Ata panë sinqeritetin e pranimin të fajit të një thirrjeje që duhet ristrukturuar, të një sistemi edukativo-arsimor që as edukon e as arsimon, që vetëm shkollon dhe diplomon pa ndryshuar diç në maniret e fëmijëve, adoleshentëve e përtej.
Në ligjërim, kot është të thuash “ka thënë filani, ka thënë fallani”, pa e ndier atë që e thua, pa krijuar telepati, shkëmbim idesh pa ndërmjetësues, pa u bërë magnet për dëgjuesin. Kot dituria nëse nuk arrin të bëhesh tok me përgjigjësin, me atë që të sheh dhe dëgjon. Predikimi është një art që jo gjithkush që kryen shkollë fetare mund ta ushtrojë. Dikush për nga natyra është introvert, dikush i ftohtë, dikush i skajshëm në mesazhe, dikush superoptimist në komunikimin e fjalës së shenjtë, dikush nonshallant, vetëpërsëritet, dikush veç godet ashpërsisht… Fjala i merret vetëm atij që arrin të prekë në tel, në sedër besimtarin dhe njeriun në përgjithësi, që i gjen frekuencat e pikëtakimit pozitiv.
Për shkrimet që kohë pas kohe kemi publikuar në lidhje me fenë dhe pasqyrimet, kemi qenë kritikuar se nganjëherë tepër pa doreza kritikojmë hoxhallarë, xhemate a fraksione fetare, ndërsa ne jemi përgjigjur se parim e kemi thënien e Tacitus-it, “sine irra et studio”, ‘pa inat dhe pa njëanshmëri’. Tani mund të pretendohet se përmes këtij shkrimi i thurim elozhe një ideologjie fetare literaliste-puri(tani)ste, gjë që sërish nuk qëndron. Ne gjykojmë në bazë të fakteve dhe refleksioneve sociale të logosit, të feligjërimit jo në bazë të simpative a antipative ndaj x ose y lëvizjes, botëvështrimit a ideologjisë religjioze. Vetë feja, në veçanti islami nuk do të duhej të ideologjizohej, sepse burimin e ka qiellor, por e vërteta është se edhe ai është interpretuar dhe parcializuar ideologjikisht nga vetë njeriu, duke e lënë thelbin hyjnor mënjanë dhe duke prioritizuar gurunë sektar (imamin) që nga shumëkush ndiqet symbyllur.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.