Sonte përmbyllet edicioni jubilar i “Skupi Festival”

Me shfaqjen “Ata nuk janë më”, sonte në Teatrin Shqiptar në Shkup përmbyllet edicioni i 20-të jubilar i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupi Festival”, shkruan Portalb.mk.

Shfaqja trajton pasojat e gjenocidit të Srebrenicës përmes historisë së Sadikës, një gruaje të mbijetuar që jeton e vetme në një shtëpi përkujdesjeje në Holandë. Kujtimet për njerëzit që ka humbur sjellin një rrëfim për dhimbjen dhe frikën e harresës. Teksti është i Doruntina Bashës, ndërsa regjinë e ka realizuar Andrej Nosov. Në rolet kryesore interpretojnë Mirjana Karanoviq, Svetozar Cvetkoviq dhe Alban Ukaj.

Afishja e shfaqjes “Ata nuk janë më”. Foto: Skupifestival (Facebook)

Afishja e shfaqjes “Ata nuk janë më”. Foto: Skupifestival (Facebook)

Shfaqjet pjesëmarrëse vlerësohen nga juria profesionale në përbërje të Merita Çoçolit, Vesna Kusleskës dhe Anisa Ismailit. Juria do të përcaktojë fituesit e tri çmimeve të festivalit, ndër të cilat çmimi për shfaqjen më të mirë dhe çmimi “Luran Ahmeti”, që mban emrin e aktorit të ndjerë.

Edicioni i sivjetmë nisi më 10 tetor dhe solli tetë shfaqje nga rajoni dhe Evropa, duke shënuar dy dekada të veprimtarisë së festivalit.