Të sfidosh padrejtësitë me ese letrare

“Ese letrare” titullohet vepra e studiuesit dhe kritikut të shquar, Ali Aliut. E shkruar në vitin 1987, ajo shpërfaq të vërtetën e hidhur, të njërës prej stinëve më të acarta historike për shqiptarët e Kosovës së gjendur nën terrorin e Kasapit të Ballkanit.

Kumtet e autorit përfaqësojnë zjarrin prometean që Ai ua përcolli bashkëkombasve nëpërmjet eseve letrare që trajtojnë veprat e kolosëve të letërsisë botërore, si: Volteri, Hasheku, Kundera, Brehti, Orueli, Markesi, Rafael Alberti, Janis Ricosi…, të cilat hedhin dritë  mbi dhunën e tiranëve ndaj më të vegjëlve, që përkojnë me tmerret që ndodhnin në Kosovë në kohën e botimit të veprës në fjalë. Ato janë mesazhet e një intelektuali të brengosur për fatin e popullit të pambrojtur. Janë apele drejtuar robit në stinën kur duhet të jetë i zgjuar dhe i gatshëm për të shpëtuar nga dhuna shtazarake e tjetrit, në kohën kur i shtypuri detyrohet të zgjedhë njërën prej dy rrugëve: jetën e robit të padinjitet ose çlirimin me sakrifica të dhembshme.

Nga romani “Ushtari i mirë Shvejk” i Jeroslav Hashekut, Ali Aliu citoi pjesën ku Shvejku flet për qentë: “Ka soj qeni që nuk jepet, që nuk dorëzohet lehtë siç ngjanë me disa të tjerë. Por ama nuk ka të tillë që të mos dorëzohen. Kam pas rast të njoh  edhe qen për të cilin mund të pandehni se është më i përkushtuar, më besnik ndaj të zotit. Kështu duket në fillim. Por po s’ia qëllove oreksin ai i le shëndenë të zotit”.

Nga “Shakaja” e Milan Kunderës, një copëz rrëfimi të heroit të romanit: “Në njësitë e zeza spiunllëku lulëzonte në mënyrë të veçantë: të gjithë shprehim neveri ndaj saj e të gjithë i besonim si MUNDËSI që është kurdoherë prezente, me që ishte mjeti më efikas për shpëtim. Afinitetin e spiunllëkut e nxisnin sidomos eprorët tanë që ishin të dënuar si ne. Mbase për shkak se ata kishin pushtet vetëm mbi ne, ishin aq brutalë. Pushteti i tyre ishte si përbindësh, që me patkoj kali qëllon në kokë përherë… Mos vallë duke ushtruar brutalitet total, eprorët tanë kishin iluzion se nxitin mëshirën e pushtetit absolut. Megjithatë, as atyre buk u jepnin armë, meqë edhe ata, njësoj si ne i konsideronin armiq”.

Nga Bertol Brehti shkëputi vargjet sugjestive të vjershës “Oh, ju fatzinj”:

Oh, ju fatzinj!
Vëllait tuaj i bëhet dhunë dhe ju mbyllni Sytë!

I prekuri bërtet fort, dhe ju heshtni?
Dhunëbërësi sillet rrotull dhe zgjedh Prejat e tij, dhe ju thoni:
Ne ai na kursen sepse s’tregojmë asnjë Mospëlqim!

Apel të ngjashëm përcolli edhe nëpërmjet vargjeve të poezisë “Demi në det” të Rafael Albertit:

Oh, këtij demi të blertë

tash ia djegin gjakun!

Secili e kapi për brirësh

 Dhe e rrëzoi,

E shkeli për tokë,

E tërhoqi me goditje prej metalesh të skuqura

Mbi detin që digjet.

Në romanin “1984” të Oruelit, Aliu u ndal te alarmi që autori ia përcolli njerëzimit për: “Botën tmerrësisht jonjerëzore që observon Orueli në këtë vepër, në të cilën individi duket si luspë njeriu, i shpërlarë prej botës shpirtërore. Pa të afërt, pa miq, pa shpresë, pa mendim. Edhe ëndrrat janë të përgjuara në botën e kontrollit total”.
Nga romani”Kronika e një vdekjeje të paralajmëruar”, të gjeniut kolumbian Gabriel Garsia Markezit, shkëputi fragmentin: “Rrethanat historike e shoqërore kolumbiase që inspirojnë veprën e Markezit e shpjegojnë brenda një konteksti më të gjerë gjenezën e trashëgimisë së vëllavrasjes: kur manipulohet në të gjitha format e veprimit jetësor, njeriu nuk mund të mos jetë i manipuluar edhe në këtë aspekt”.

Nga poeti grek Janis Ricos, përzgjodhi poezinë që portreton qëndrimin burrëror të malësorit:

Në sytë e tyre blegërojnë delet e mbrëmjes

në flokët e tyre vëren hijet e gjetheve të rrapit

dhe flasin pak, nuk flasin fare

ndërkaq herë-herë i sheh  që kanë

bërë krushqi me bredh

Pranë syve të tyre kanë një pemëz mirësie

midis vetullave të tyre kanë një korb fuqi

dhe një mushkë me zemërim në zemrën e tyre

Që nuk ngreh dot padrejtësinë.

Ja dhe komenti domethënës i Profesor Aliut për këtë poezi:

”Zemërimi i mushkës, aq i njohur në këtë hapësirë, që për dallim nga kali, është e dëgjueshme deri në absurd, njësoj siç është e qëndrueshme  dhe modeste në kërkesa: mjafton një grusht tagji që të mbajë pa pushuar barën e rëndë. Por ama ka një zemërim, një inat të madh: nuk e mban dot barrë në shpinë të padrejtën”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.