Të gjithë kandidatët për president në Maqedoninë e Veriut pritet të debatojnë në dy “master debate”

Shtabet zgjedhore të kandidatëve për president në vend kanë arritur marrëveshje parimore për mbajtjen e “master debatit” në terren neutral me moderatorë neutral të cilin e ka propozuar shefi aktual i shtetit Stevo Pendarovski i cili do të garojë edhe për një mandat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, raporton MIA.

Nga Shtabi Zgjedhor i kandidatit për president Pendarovski sot në brifingun për media informuan se të gjitha shtabet kanë dhënë pëlqimin parimor për idenë, por janë duke u harmonizuar disa detaje teknike. Gjithashtu është konfirmuar se nuk do të ketë përjashtime të kandidatëve nga debati, pa dallim të kërkesave të disa kandidatëve për të përjashtuar rivalët e tyre.

Debati do të organizohet nga ana e shtabeve zgjedhore dhe po ashtu do të mbahet takim me mediat për të gjetur zgjidhje mbi mënyrën se si do të realizohet kjo ide. Secila parti do të ketë mundësinë të sjellë publikun e saj dhe të gjitha mediat do të mund ta transmetojnë drejtpërdrejtë.

Nga shtabi i Pendarovskit më herët kanë sqaruar se ai fton gjashtë kundërkandidatët e tij në dy “master debate” të cilat do të mbahen në fillim dhe në fund të fushatës zgjedhore e cila fillon më 4 prill.

Ndryshe, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Në fletën e votimit për zgjedhjet presidenciale këto janë radhitjet:

  1. Kandidati i LSDM-së – Stevo Pendarovski është me numrin një.
  2. Numër dy është kandidatja e VMRO-DPMNE-së – Gordana Siljanovska-Davkova.
  3. Numër tre është kandidati i GROM-it – Stevço Jakimovski.
  4. Me numrin katër është kandidati i BDI-së, Bujar Osmani.
  5. Me numrin pesë Biljana Vankovska-Cvetkovska, kandidate e së Majtës.
  6. Me numrin gjashtë është Arben Taravari nga VLEN.
  7. Me numrin e shtatë kandidati i ZNAM, Makism Dimitrievski.