Të akuzuarit në rastin “Geriatria” mohojnë të jenë fajtorë për pranimin e ryshfetit prej 20 mijë eurosh për hospitalizim

Dy të akuzuarit në rastin “Geriatria” deklaruan sot se nuk janë fajtorë për akuzat kundër tyre para Gjykatës Themelore Penale në Shkup. Të pandehurit në këtë rast janë Muhsin Arifi, drejtor i Spitalit të Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori” – Shkup, i cili po ndiqet penalisht për marrje ryshfeti, dhe Blerim Amiti, i cili akuzohet për marrjen e një shpërblimi për ndikim të paligjshëm, transmeton Portalb.mk.

Sipas aktakuzës, Arifi kërkoi përfitim material prej 20,000 eurosh për të mundësuar shtrimin në spital të një pacienti në gjendje të rëndë shëndetësore. Amiti, i cili më parë e njihte dëshmitarin, ofroi të ndërmjetësonte dhe mori shumën e parave, gjatë së cilës u kap në vend nga policia.

Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva theksoi në fjalën e saj hyrëse para gjykatës se rasti është një shembull i korrupsionit të rrënjosur thellë në shoqëri.

“Përmasat dhe intensiteti i korrupsionit janë aq të thella sa na kujtojnë se ato ndikojnë në çdo sferë të jetës sonë”, tha ajo.

Sipas saj, kjo është një kërkesë e drejtpërdrejtë dhe e papërpunuar për ryshfet nga drejtori – një shumë që ishte objekt negociatash, dhe në fund u pranua si minimale për të kryer një veprim zyrtar që përndryshe duhej të kryhej pa kompensim.

Haxhi Vasileva theksoi se të pandehurit vepruan për arsye fitimprurëse, me qëllim pasurimin personal, duke përfituar nga cenueshmëria e pacientes dhe nevoja e saj për kujdes urgjent mjekësor.

Prokurorja shtoi se dëshmitarja, e cila është ofruese e mbështetjes së përjetshme të pacientes, e ka raportuar rastin, dhe provat që do të paraqiten para gjykatës dokumentojnë qartë veprimet korruptive përmes disa ngjarjeve të njëpasnjëshme.

Mbrojtja e të pandehurve njoftoi se gjatë procedurës penale do të paraqesë prova në formën e statuteve, procedurave dhe dispozitave ligjore që rrjedhin nga institucioni i përfaqësuar nga i pandehuri Muhsin Arifi.

Përmes tyre, siç tha mbrojtja, do të hapen disa çështje ligjore për të vërtetuar se Arifi, si dhe Amiti, nuk mundën ose nuk kishin ndërmend të kryenin ndonjë vepër penale.

“Provat që do të paraqiten dhe do të prezantohen në rrjedhën e mëtejshme të procedurës, jemi të bindur se do të tregojnë për një keqkuptim që ka ndodhur në këtë të ashtuquajtur ngjarje juridiko-penale”, tha mbrojtja.

Gjykimi po drejtohet nga gjyqtarët Lenka Davitkova dhe Ilija Trpkov.

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK) ngriti aktakuzën më 4 korrik të këtij viti.

Sipas aktakuzës, drejtori kërkoi  përfitim të konsiderueshëm financiar për veten e tij me qëllim miratimin e shtrimit në spital të një personi në gjendje të rëndë shëndetësore, që ishte detyra e tij zyrtare. Ai kërkoi paratë nga një dëshmitar i cili kishte lidhur marrëveshje për mbështetje të përjetshme me pacientin.

I pandehuri i dytë, duke përdorur ndikimin e tij tek drejtori, ndërmjetësoi dhe mori shumën e kërkuar për të kryer veprimin zyrtar. Ai u arrestua në vendngjarje nga policia ndërsa merrte një pjesë të shumës së rënë dakord në shumën prej 20,000 eurosh.

Së bashku me aktakuzën, Prokuroria paraqiti propozim për zgjatjen e masës së paraburgimit për dy të pandehurit, duke shpjeguar se rrethanat për shkak të të cilave u caktua fillimisht paraburgimi ende ekzistojnë dhe nuk ka kushte për përcaktimin e një mase më të butë.

Drejtori i Spitalit Geriatrik “13 Nëntori”, Muhsin Arifi dhe një person tjetër u arrestuan më 8 prill.