Taravari: Nëse dikush mendon se partia është pronë e vet, nuk ka problem t’ia çojmë në shtëpi

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka thënë sonte nga Gostivari se pas 24 vitesh duhet të ndodhin ndryshime në bllokun shqiptar. Sipas tij, ky është mesazhi kryesor nga tubimi partiak nën moton “Ndryshimi ka filluar”. Ai bëri të ditur se javën e ardhshme do të takohet me liderët e partive opozitare nga blloku shqiptar për të përcaktuar një platformë të përbashkët, transmeton Portalb.mk.

“Ende nuk kemi një platformë me partitë opozitare. Këtë javë dua të dëgjoj edhe njerëzit në disa qytete. Prandaj ishim në Kumanovë. Njerëzit kanë energji pozitive. Javën e ardhshme mund të takohem me kryetarët e partive opozitare shqiptare, të ulemi të bisedojmë dhe të vendosim se kur do të bëjmë koalicion zyrtar me ndonjë platformë”, tha Taravari.

I pyetur nëse do të formojë parti të re, pas vendimit të Kuvendit Qendror për shkarkimin e tij, Taravari thotë se partia nuk është në pronësi të askujt.

“Aleanca për shqiptarët, nëse është pronë e dikujt, le të dalë dhe të thotë kjo parti është e imja, e kam sjellë nga shtëpia, ia marrim dhe ia kthejmë. Por partia është e votuesve, e anëtarësimit, e njerëzve që e mbështesin. Nëse dikush mendon se është pronë, nuk ka problem, do t’ia çojmë në shtëpi”, thotë Taravari.

Paraprakisht, në Kuvendin Qendror të Aleancës për Shqiptarët, i cili u mbajt në Shkup, u mor vendim për shkarkimin e Taravarit nga posti kryetar i partisë. Siç tha kryetari i Kuvendit Qendror, Ziadin Sela, vendimi është marrë me 106 vota “pro”, nga gjithsej 108 të pranishëm.

“Si rrjedhojë dhe pasojë e këtij vendimi, pika tjetër ishte që të shkohet në një kongres që do të mbahet më 18 shkurt dhe të vendoset për nismën e sjellë nga Kuvendi Qendror i Aleancës për Shqiptarët, që është shkarkimi i kryetarit të partisë Arben Taravari, për shkak të shkeljes së rëndë të statutit të partisë”, tha Sela.

LEXO: Sela: Ngritëm iniciativë për shkarkimin e Taravarit, vendimi do të merret me 18 shkurt (Video)

Kujtojmë se Kuvendi mbrëmë pas mesnate me 62 vota “për” dhe asnjë votë “kundër” i shkarkoi ministrat e Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu. Në votim nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare. Të hënën do të bëhet zgjedhja e ministrave të rinj.

Mexhiti dhe Aliu janë shkarkuar me propozim të kryeministrit teknik Talat Xhaferi i cili nga foltorja e kuvendit sot duke e sqaruar propozimin për shkarkimin tha se sipas ligjit, nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të Qeverisë dhe se ky është shkaku kryesor pse është propozuar shkarkimi i dy ministrave.

Ndryshimi i ministrave nga Aleanca për Shqiptarët ndodh pasi kreu i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Sela mbetet në Qeveri, ndërsa Taravari i është bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim.