Takimi Costa-Zheljazkov: Bullgaria nuk do ta shndërrojë integrimin evropian të RMV-së në një proces dypalësh
Bullgaria nuk do të vendosë kushte për Maqedoninë e Veriut dhe as nuk do ta shndërrojë procesin në dypalësh, tha kryeministri bullgar Rosen Zheljazkov nga Brukseli, duke komentuar integrimin evropian të Maqedonisë, raporton BGNES, transmeton Portalb.mk.
“Qëndrimi ynë është plotësisht në përputhje me atë të shprehur në deklaratën e Asamblesë Kombëtare të majit të këtij viti, e cila i jep garanci të mjaftueshme RMV-së se Bullgaria nuk do të vendosë kushte të ndryshme dhe as nuk do ta shndërrojë procesin në dypalësh dhe se ai do të shihet nga ne nga pozicioni i një shteti anëtar të BE-së dhe nga Këshilli Evropian si një marrëdhënie midis BE-së dhe RMV-së”, tha ai.
Para fillimit të takimit të liderëve të BE-së në Bruksel, Zheljazkov u takua sot me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, nga i cili, sipas kryeministrit bullgar, mori siguri se Këshilli do t’i përmbahet në mënyrë strikte kompromisit të vitit 2022.
“I kërkova Kostës t’ua tërheqë vëmendjen kolegëve të tij nga RMV-ja se gjuha e urrejtjes nuk ndihmon në këtë proces, përfshirë dialogun e ndërsjellë midis dy vendeve, i cili duhet të bazohet në Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë”, tha kryeministri bullgar.
Sipas tij, tema e identitetit dhe gjuhës në raportin e Parlamentit Evropian është një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen e publikut në Bullgari dhe Maqedoni nga çështja kryesore e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të bullgarëve në Maqedoni.
“Ne, si një shtet anëtar i mençur i Bashkimit Evropian, me një dozë përmbajtjeje, kontrollojmë emocionet dhe reagimet ndaj atyre shakave nga kolegët tanë nga RMV-ja, të cilat mund të gjejnë bazë për shkak të zgjedhjeve të ardhshme atje në vjeshtë”, tha ai.
Zbatimi i kompromisit (propozimit francez) të vitit 2022, që nënkupton ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut me përfshirjen e komunitetit bullgar, sipas kryeministrit bullgar, është një kusht i domosdoshëm për fillimin e procesit të negociatave.
“Çështja kryesore është ndryshimi i Kushtetutës, regjistrimi i bullgarëve si komunitet dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe garancitë e nevojshme për këtë. Bullgaria nuk vendos asnjë kusht për këtë temë, por vetëm dëshiron të zbatojë kompromisin konsensual të vitit 2022”, tha kryeministri bullgar.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova njoftoi dje se në Samitin e NATO-s në Hagë pati një bisedë joformale me kryeministrin e Bullgarisë, Rosen Zheljazkov.
“Pata një bisedë të këndshme, protokollare dhe miqësore me kryeministrin bullgar. Biseduam për nevojën e mirëkuptimit të ndërsjellë pa ndërmjetësim, nevojën për të respektuar njëri-tjetrin, për të ndjekur frymën e dy popujve, për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe nevojën që ata që janë tashmë brenda të ndihmojnë ata që po lëvizin drejt BE-së”, tha ajo.
Komiteti i Punëve të Jashtme (AFET) i Parlamentit Evropian miratoi Projekt-Raportin për vendin të përgatitur nga eurodeputeti austriak Thomas Weitz me 40 vota “pro”, 19 “kundër” dhe 10 “abstenime”.
Pas votimit, një eurodeputet bullgar njoftoi se do të propozonte një shtesë me një “mendim pakice” si shtesë në Raport.
Një amendament u paraqit gjithashtu sipas një procedure të shkurtuar për të futur fjalën “modern (bashkëkohor)” para gjuhës dhe identitetit maqedonas në Raport, por sipas Rregullores së Punës, ai nuk u vu në votim sepse të paktën gjashtë deputetë që janë anëtarë të AFET votuan kundër një propozimi të tillë. Rregullorja e Punës përcakton që një amendament i propozuar nuk do të vihet në votim nëse të paktën pesë eurodeputetë votojnë kundër propozimit.
Raporti i Weitz do të paraqitet në seancën plenare të Parlamentit Evropian në seancën e tij nga 7 deri më 10 korrik në Strasburg.
- LEXO: U miratua raporti për RMV-në, Waiz: Jam krenar për punën e madhe që u bë për të gjetur kompromise
Përndryshe, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.