Udha e shkollës shqipe qe e gjatë dhe e vështirë, e njomur me lotin, djersën dhe gjakun e të parëve tanë, e shtruar me eshtra martirësh të flijuar vetëdijshëm për një të ardhme ndryshe.
Historia dëshmon se nuk ekziston ndonjë shkollë tjetër në kontinentin evropian që është ballafaquar me sfidat e shkollës sonë. Për ta kuptuar këtë të vërtetë, që edhe sot mohohet nga renegatët shqipfolës, nuk është e thënë të jesh historian. Mjafton vetëm pyetja: përse është kaq e vonshme shkolla shqipe në raport me shkollat serbe, greke e bullgare, me të cilët qemë me shekuj nën të nëjtit regjim? Si u bë që shqiptarët ,të cilët patën artistë, shkrimtarë, shkencëtarë të njohur që në periudhën e Rilindjes evropiane, në vigjilje të sh. XX të mbeten ndër më të prapambeturit, më të varfërit dhe më të papërgatiturit për të mbrojtur sinoret e trashëguara nga stërgjyshërit?
Pyetjet e këtilla duhet shtruar jo për ta problematizuar të sotmen, por për ta ndalur përsëritjen e tragjedive historike dhe për të ruajtur kujtimet për ata që, në periudha të vështira, sakrifikuan gjithçka për shkollën shqipe, si: vëllezërit Frashëri, si Qiriazët e Manastirit, si Pandeli Sotiri, si Petro Nini Luarasi, apo si shkrimtari dhe pedagogu i harruar, Hafiz Ali Korça, zëri i të cilit u dëgjua fuqishëm në kohën kur u vunë themelet e arsimit kombëtar.
Hafiz Ali Korça u inkuadrua herët në Levizjen Kombëtare dhe u bë mësues në shkollën shqipe të djemve në Korçë. Një kohë qe drejtor i Arsimit për Tiranën, Durrësin, Elbasanin dhe Dibrën; anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës; përkthyes kryeveprash të Orientit, si: Gjylistani dhe bostani e Saadiut dhe Rubairat e Khajamit…
Vepra e tij është pasqyrë e sakrificave të bëra për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha e huaj. Ai bën pjesë në mesin e klerikëve që sfiduan hipokrizinë e osmanlinjëve dhe politikat antishqiptare. Kjo e futi në listën e të përndjekurve nga mashat e pushtetit që e burgosi, për shkak se ia dërgoi pashait në Stamboll “Skënderbeun” e Naim Frashërit, poetit që na zgjoi nga gjumi dhe na e bëri me dije se: ta dojë njeriu gjuhën, kombin dhe figurat e veta më emblematike është punë madhështore.
Rreptësia e betejave të pakompromis të Hafiz Ali Korçës për një Atdhe të shpëtuar nga kthetrat e tjetrit ndihet në fjalimet e zjarrta që mbajti në Kongresin e Dibrës, më 23 korrik të vitit 1909, ku në prani të xhonturqëve kubarë, shtroi disa kërkesa të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë:
– Të mos dërgohen të rinjtë shqiptarë për të lënë eshtrat në shkterëtirat arabe.
– Të lirohen nga burgjet të gjithë të burgosurit shqiptarë dhe të hapen gjithandej dhe pa vonesë shkollat shqipe.
– Të hapen shkollat e mesme profesionale për zanate të ndryshme.
– Të hapet fakulteti i shkencave dhe shkolla pedagogjike që do të përgatisë kuadrin mësimdhënës të shkollave fillore me mësim në gjuhën shqipe…
Këto kërkesa të padëgjuara më parë nga veshët e xhonturqve, i arsyetoi me argumente bindëse: Fqinjët tanë nga an e arsimit kanë arrirë shkallën më të lartë, e na, për fat të keq, kemi mbetur si populli i Afrikës së mesme. Kur në Shqipëri tërë gjuhët mësohen, përse të mos mësohet edhe gjuha jonë?
Betejë më vete qe dhe ajo që bëri për alfabetin latin të shqipes, duke ua bërë me dije kundërshtarëve se: Shkronjat që kemi pranuar janë vegla me të cilat shkruhet gjuha jonë. Ndaj, meqë statuti shtetëror për të kënduar gjuhën e mëmës po na len të lirë, atëherë me gëzim të madh do të këndojmë gjuhën tonë me këto shkronjat e saja dhe asnjë fuqi nuk mund të na i ndalojë… Shkronjat e një gjuhe nuk kanë të bëjnë as me fenë as me halifenë. Shkronjat janë vegla: s’janë as mumin, as qafir…
Kulmi i veprimtarisë së tij atdhetare qe formimi i një çete kryengritësish në Devoll, pas vrasjes mizore të Haxhi Zekës, organizatorit të kryengritjes antiosmane në Kosovë (1884-1885), nga dora e renegatit serb Adem Zajmi, për çka shkroi dhe bashkëluftëtari i Hafiz Ali Korçës, Mihal Grameno: Shumë u larguan nga frika, po Orhani me Vani Kosturin, Thimi Markon, Petro Ninin, Hafëz Alinë e ca pak të tjerë, qëndruan burërisht kur më 1903 qeveria turke duke dëshiruar ta çfarosë lëvizjen shqiptare i burgosi dhe lidhur i dërgoi në Stamboll ku u dënuan për tradhëtinë e mbretërisë…
Për të ushqyer dashurinë për gjuhën, historinë, kombin dhe heronjtë shqiptarë, Haviz Ali Korça mori si shembull dashurinë e Profetit Muhamed për kombin dhe gjuhën amtare arabe.
Ja vargjet e tij që dëshmojnë të sipërthënën:
I madhi Pejgamber – Nur i gjithësisë
Unë jam Arab – thosh – faqe njerëzisë.
Nder të math e njihte kombësin’ e vetë.
Që këtë e thotë dhe Kur’ani vetë.
Nasjonalist them – Pejgamberët ishin
se librat – në gjuhët e veta i kishin.
I këtillë qe apostulli i Shqipërisë, Hafiz Ali Korça. Ndaj të këtillëve nuk fshihet kurrë respekti, ashtu siç nuk duhet fshehur përbuzja ndaj kabiles së bilmezave që keqpërdorin religjionin për të çorrientuar udhët e trasuara të etnisë nga vullnete të pathyeshme viganësh.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.