Sundance 2026: Filmi shqiptar “Shame and Money” rembeu çmimin në “World Dramatic Competition”
Filmi shqiptar “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, ka shënuar arritje të rëndësishme ndërkombëtare duke fituar çmim në festivalin prestigjioz “Sundance”, në kuadër të kategorisë “World Dramatic Competition”, shkruan Portalb.mk.
Në film paraqitet një kast i gjerë aktorësh nga Kosova dhe rajoni. Pjesë e këtij projekti janë edhe dy artistë nga Maqedonia e Veriut, Teuta Ajdini Jegeni dhe Refet Abazi, duke i dhënë filmit një dimension të rëndësishëm bashkëpunimi rajonal dhe duke forcuar lidhjet kulturore ndërmjet skenave artistike të rajonit.
Filmi arriti të hyjë në top 4 filmat finalë për këtë çmim, në një garë ku konkurruan 10 filma në total, çka dëshmon nivelin e lartë të konkurrencës dhe peshën e vlerësimit në “Sundance”. Skenari është shkruar nga Visar Morina në bashkëpunim me Doruntina Bashën, ndërsa në kastin e aktorëve spikasin emra të njohur: Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Ajdini Jegeni, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Refet Abazi, Besnik Krapi dhe Eshref Durmishi.

“Shame and Money” pati premierën botërore në “Sundance 2026”, dhe ky është projekti i dytë i Morinës që konkurron në këtë festival, pas filmit “Exile” në vitin 2020. Me këtë sukses të ri, Morina jo vetëm që e forcon më tej pozicionin e tij në kinemanë evropiane, por i sjell edhe më shumë vëmendje filmit shqiptar në festivalet më të mëdha të botës.
“Shame and Money” trajton një histori intime dhe të dhimbshme: rrugëtimin e një burri të përkushtuar ndaj familjes, i cili përpiqet të mbajë gjithçka në këmbë ndërsa presionet ekonomike e shtrëngojnë gjithnjë e më shumë. Në momentet kur situata bëhet e rëndë, nëna dhe kunati i ofrojnë ndihmë, por pranimi i saj i kthehet në plagë krenarisë së tij. Konflikti mes nevojës për mbijetesë dhe dinjitetit personal shndërrohet në boshtin emocional të filmit, duke e bërë rrëfimin të afërt, universal dhe lehtësisht të kuptueshëm për publikun kudo.