Sulm në ambasadën bullgare në RMV, reagime nga Sofja dhe autoritetet në Shkup

Dje është sulmuar ambasada e Bullgarisë në Shkup. Ministria Bullgare e Punëve të Jashtme lëshoi reagim të ashpër dhe dënim të fortë pasi një person i panjohur sulmoi ambasadën bullgare në Shkup dje (11 janar). Sofja zyrtare e vlerësoi aktin si një sulm të papranueshëm ndaj një misioni diplomatik dhe shkelje të rëndë të Konventës së Vjenës, duke akuzuar drejtpërdrejt institucionet maqedonase për krijimin e një klime pandëshkueshmërie, transmeton Portalb.mk.

Në deklaratë, Ministria e Jashtme Bullgare nuk kursen kritikat ndaj autoriteteve maqedonase, duke e lidhur incidentin me ngjarjet e mëparshme.

“Ministria shpreh shqetësim të thellë se një akt kaq i paturp është rezultat i mungesës sistemike të reagimit nga institucionet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj sulmeve dhe akteve të mëparshme të vandalizmit në objektet që lidhen me Bullgarinë”, thuhet në reagim.

Ata shtojnë se pasiviteti institucional dhe toleranca ndaj “gjuhës së urrejtjes” kanë krijuar një mjedis në të cilin akte të tilla kriminale inkurajohen dhe përshkallëzohen.

Bullgaria u ka paraqitur kërkesa të qarta autoriteteve në Shkup:

  • Gjetjen e menjëhershme të autorit dhe ndjekjen penale të tij.
  • Garantimi i sigurisë së misioneve diplomatike bullgare dhe stafit të tyre.

“Ne presim që institucionet në Maqedoninë e Veriut të distancohen qartë dhe pa mëdyshje nga manifestimet e urrejtjes dhe të punojnë për krijimin e një narrative publike rrënjësisht të ndryshme për marrëdhëniet me Bullgarinë”, tha Ministria e Jashtme Bullgare.

Së fundmi, Sofja paralajmëron se po e monitoron nga afër rastin dhe “rezervon të drejtën për të ndërmarrë veprime shtesë” për të mbrojtur interesat e saj.

Ministria e Brendshme më vonë dje konfirmoi rastin duke thënë është raportuar dëmtim në xhamin e derës hyrëse të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë.

“Sot (11.01) në orën 15:55, në SPB Shkup, nga Departamenti për mbrojtjen e personave dhe objekteve të caktuara në Ministrinë e Brendshme, është raportuar dëmtim në xhamin e derës hyrëse të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë. Zyrtari i sigurisë së Ambasadës, përmes sistemit të mbikëqyrjes me video, ka vërejtur dëmtime në xhamin e derës hyrëse të objektit. Sipas asaj që është përcaktuar deri më tani, dëmi është shkaktuar nga një person aktualisht i panjohur, i cili ka dëmtuar xhamin e derës hyrëse me një goditje me dorë. Në vendin e ngjarjes janë marrë masa të përshtatshme policore, dhe shërbimet kompetente po punojnë për sqarimin e rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me incidentin. Po merren masa për sqarimin e plotë të rastit”, njofton Ministria e Brendshme.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë ndërkohë dënoi incidentin.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dënon incidentin që ndodhi sot, në të cilin një person i panjohur theu xhamin e ndërtesës ku ndodhet Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shkup”, tha Ministria e Punëve të Jashtme.

Tensionet mes dy vendeve nuk arrijnë të qetësohen, me Bullgarinë që akuzon Maqedoninë e Veriut për gjuhë të urrejtjes dhe mungesë vullneti institucional për të luftuar incidentet anti-bullgare, ndërsa Shkupi zyrtar shpesh i hedh poshtë këto pretendime, duke theksuar se incidente të tilla (paraprake) janë akte të izoluara.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.