Stoltenberg dhe Vuçiç përplasen për Kosovën

Pas Prishtinës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg udhëtoi drejt Beogradit ku në krahë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç evidentoi edhe një herë se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve, raporton Klan.

Jens Stoltenberg: Për dy dekada, KFOR-i ka siguruar mjedis të sigurt dhe të sigurt në Kosovë për të gjitha komunitetet, ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në mënyrë të paanshme, por grumbullimi i ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën nuk ndihmon.

I menjëhershëm ishte reagimi i president serb, i cili theksoi se NATO duhet të mbrojë vetëm serbët në Kosovë pasi vetëm ata janë të kërcënuar, ndërsa theksoi se Serbia nuk pranon të marrë urdhra se ku do e vendosi ushtrinë e saj.

Aleksandër Vuçiç: Ushtria serbe asnjëherë nuk i ka tejkaluar kompetencat e saj, dhe se ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është punë e jona.

Një tjetër çështje që përplasi hapur Stoltenberg dhe Vuçiç gjatë konferencës për mediat ishte edhe sulmi i Banjskës. Stoltenberg ashtu si në Prishtinë, edhe në Beograd kërkoi që autorët e këtij sulmi duhet të dalin para drejtësisë.

Jens Stoltenberg: Ne e mirëpresim faktin që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë për këtë çështje.

Por edhe për këtë çështje Vuçiç theksoi se ka një pikëpamje tjetër për atë që ka ndodhur.

Aleksandër Vuçiç: Në përputhje me ligjin dhe legjislacionin vendas, ne do të mbajmë përgjegjës ata që morën pjesë në kryerjen e veprave penale në Banjskë.

Ndryshe, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot me nderimet më të larta në pllajën përballë Qeverisë, priti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ndodhet në vizitë zyrtare, për herë të parë që kur vendi u bë anëtar i NATO-s.

Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Stoltenberg në Maqedoninë e Veriut është në kuadër të vizitës së tij katërditore në Ballkanin Perëndimor.

Kreu i NATO-s do të marrë pjesë edhe në takimin joformal të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni, të organizuar nga Maqedonia e Veriut.