Udhëheqësit e BRICS-it morën pjesë në samitin virtual për luftën Izrael-Hamas
Udhëheqësit e organizatës BRICS – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, grupi i ekonomive në zhvillim – janë mbledhur për të marrë pjesë në një samit virtual mbi luftën Izrael-Hamas, raporton KlanKosova.
Në këtë takim që u realizua me thirrjen e Afrikës së Jugut, morën pjesë edhe Arabia Saudite, Argjentina, Egjipti, Etiopia, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët do t’i bashkohen bllokut në janar 2024.
Aty, presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për një zgjidhje politike të konfliktit në të cilin blloku mund të marrë pjesë dhe të ndihmojë në arritjen e saj, raporton Al Jazeera.
Ndërsa, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për një konferencë ndërkombëtare të paqes dhe tha se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme “pa një zgjidhje të drejtë për çështjen e Palestinës”.
Princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman u bëri thirrje vendeve që të ndalojnë eksportimin e armëve në Izrael.
Ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, dënoi ashpër vdekjen e civilëve dhe tha se shqetësimet e popullit palestinez duhet të trajtohen në një “mënyrë serioze”.