Stano: Serbia të bashkëpunojë pa kushte për hetimin e sulmit në Banjskë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të rikthehen në dialog, raporton Koha.net. Sipas tij, edhe mesazhi i shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell është se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Rikthimi në dialog është mesazhi i qartë për të dyja palët. Ju duhet të ktheheni në dialog, në të kundërtën nuk do të zgjidhni telashet. Së dyti, thirrja dhe pritja shumë e rëndësishme është për shtensionim, të bëhet gjithçka që është e mundur për shtensionim”, ka thënë ai.

Stano ka shtuar se nga Serbia presin bashkëpunim të plotë dhe të pakushte për ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë.

Sipas tij, nëse ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje, ka edhe mënyra për ta gjetur atë.

“Nuk ka nevojë që të fshehët pas formaliteteve si njohja apo mosnjohja. Ka mënyra të mjaftueshme se si mund të ndani gjetjet e juaja, si mund të bashkëpunoni, të kontribuoni në hetim të plotë sepse kjo ishte diçka shumë serioze çfarë ka ndodhur më 24 shtator, duhet të qartësohet në plotësi sepse do të ketë pasoja. Duhet të hetohet të plotësisht që të kemi këtë hetim të përfunduar së shpejti, kështu që të kemi figurën e qartë se çfarë ka ndodhur, pse ka ndodhur, kush ka marrë pjesë, kush e ka orkestruar dhe bazuar në këtë BE-ja do të vendosë cilat do të jenë hapat e radhës prej nesh, ndaj Kosovës, ndaj Serbisë, për dialogun dhe rajonin”, ka thënë ai.