Stacioni te Gjykata e Tetovës mbetet me ulëse nga shtëpia (Foto)

Stacioni i transportit publik afër Gjykatës së Tetovës mbetet ende pa ulëse adekuate. Në mungesë të ulëseve dhe përkujdesjes nga Ndërmarrja e Transportit Publik, qytetarët improvizojnë me ulëse nga shtëpia, shkruan Portalb.mk.

Kështu duket stacioni në afërsi të Gjykatës së Tetovës pa ulëset e duhura dhe me ulëse të improvizuara.

Ulëset janë më se të nevojshme për personat në moshë, por edhe për ata dhe ata të cilët kanë problem me qëndrimin në këmbë.

Një grua e moshuar te stacioni i autobusëve afër Gjykatës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Një grua e moshuar te stacioni i autobusëve afër Gjykatës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kërkuam sqarim nga Ndërmarrja Publike “Tetova Transport” se pse në këtë pikë nuk ka të vendosura ulëse dhe se kur do të vendosen të njëjtat. Nga atje fillimisht kishin problem me emailin nuk mundeshin t’i pranojnë pyetjet tona. Pasi u morëm vesh përmes telefonit, të njëjtat i dërguam në një email tjetër. Por, pavarësisht kësaj, përgjigje nuk morëm. Nga ndërmarrja përmes telefonit na thanë se kanë problem me internetin dhe se përgjigje do na dërgojnë nesër.

Portalb.mk verifikoi se kabinat e stacioneve tjera të transportit publik përgjatë bulevardit “Ilira”dhe “Ilinden”, janë të pajisura me ulëse adekuate dhe të njëjta.

Kështu për shembull duket një nga stacionet ku janë të instaluara ulëset adekuate.

Nën-stacioni i autobusëve afër Xhamisë së Larme në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (15 maj 2023)
Nën-stacioni i autobusëve afër Xhamisë së Larme në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Këtë problematikë, Portalb.mk e trajtoi në shtator dhe tetor të vitit të kaluar kur në asnjë nga stacionet nuk ishin të instaluara ulëset. Më pas, në dhjetor të vitit të kaluar, ndërmarrja publike “Tetova Transport”, vendosi ulëset në këto stacione. Por, te gjykata, stacioni mbetet pa to. Menjëherë pasi u vendosën, qytetarë të papërgjegjshëm dëmtuan një nga stacionet. Madje, një nga ulëset në një nga stacionet u vodh në janar të këtij viti.

Këto nëntë stacionet u instaluan para rreth tre viteve, ku një stacion i autobusëve ka kushtuar rreth 4,524 euro. Nëntë stacionet e autobusëve ende pa u shfrytëzuar siç duhet, në tetor të vitit 2021 u zëvendësuan me të reja prej xhami.