Derisa transporti publik në Shkup është në “kolaps”, autobusët e rinj elektrikë pritet të mbërrijnë brenda gjashtë muajve
Kontrata për 150 autobusët elektrikë dhe 75 stacionet e karikimit pritet të nënshkruhet brenda 30 ditëve ndërsa furnizimi i plotë duhet të përfundojë brenda 18 muajve. Nga 150 autobusët, 100 do të jenë për Qytetin e Shkupit, ndërsa 50 të tjerët për qytete të tjera, shkruan Portalb.mk.
Prokurimi i autobusëve të rinj vjen në një kohë kur transporti publik në Shkup përballet me probleme të vazhdueshme, përfshirë vjetërsinë e autobusëve, mungesën e mjeteve funksionale dhe vonesat në linja.
Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Portalb.mk sqarojnë se nënshkrimi i kontratës për prokurimin e 150 autobusëve elektrikë dhe 75 stacioneve të karikimit me ofertuesin më të favorshëm, sipas afatit ligjor, duhet të bëhet brenda 30 ditëve nga miratimi i vendimit përfundimtar të përzgjedhjes.
“Pas nënshkrimit të kontratës, ofertuesi i përzgjedhur është i detyruar t’i dorëzojë autobusët dhe stacionet e karikimit në tri faza: 30 autobusë elektrikë dhe 15 stacione karikimi brenda gjashtë muajve të parë nga data e nënshkrimit të kontratës, 60 autobusë dhe 30 stacione brenda 12 muajve, si dhe 60 autobusë dhe 30 stacione të tjera brenda 18 muajve nga data e nënshkrimit të kontratës”, thanë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Pavarësisht paralajmërimeve për autobusët e rinj, te autobusët aktualë vazhdojnë të shfaqen defekte gjatë linjave dhe si pasojë, qytetarët përballen me pritje të gjata në stacione. Për shumë prej tyre, transporti publik është kthyer në pasiguri të përditshme për të arritur në punë, shkollë, universitet apo kontrolle mjekësore.
Një banor i Komunës së Butelit në Shkup, na tha se udhëton çdo ditë nga Buteli për në Çarshi, ku e ka vendin e punës, por shpesh duhet të përdorë taksi për të shkuar në punë, pasi autobusi vonohet ose ka ndodhur në disa raste që ka mbetur në rrugë.
“Më ka ndodhur disa herë të marrë taksi apo të vonohem në punë shkaku i vonesës së autobusëve. Kjo më ka detyruar të marrë taksi, ku është shumë më shtrenjtë dhe një barrë më e madhe për ekonominë familjare”, tha ai.
Një banor tjetër i Haraçinës i cili përdor transportin publik kërkoi që nevojat e qytetarëve të merren më seriozisht dhe të intervenohet më shpejt. Ai tha se numri i linjave të numrit 55 janë reduktuar dhe shtoi se një transport publik më efikas do të mundësonte që qytetarët të përdornin më pak vetura, duke ndikuar kështu edhe në cilësinë e ajrit në qytet.
“Vonesat janë evidente, më ka ndodhur të humb edhe të drejtën për të hyrë në provim shkaku që u vonua autobusi goxha shumë. Uroj të dëgjohen kërkesat tona dhe të intervenohet për ta sanuar këtë problem”, tha ai.
Problemet e transportit publik lidhen me vjetërsinë autobusëve, numrin e kufizuar të mjeteve funksionale dhe mirëmbajtjen e tyre. Ndërkohë, hulumtimi i fundit i Qendrës për Komunikime Qytetare, tregon se numri i pasagjerëve në autobusët e Ndërmarrjes së Transportit Publik të Shkupit ka rënë nga 52 në 22 milionë në vit brenda 10 vjetëve. Përveç pasagjerëve, në të njëjtën kohë është ulur edhe numri i autobuseve. Sipas hulumtimit, nëse në vitin 2015 kishte 430 autobusë, sot ka 341 autobusë dhe vetëm 157 prej tyre janë në funksion të përditshëm. Problemi është edhe më i madh kur shohim se mosha mesatare e autobusëve rritet vazhdimisht dhe sot mosha mesatare e tyre është 13.3 vjet.
Tenderi për 150 autobusët elektrikë është shpallur disa herë, ndërsa procedura e parë ishte anuluar pas vendimit të Komisionit Shtetëror për Ankesa të Prokurimeve Publike. Pas përsëritjes së procedurës, në thirrjen e fundit ofertuan katër kompani, ndërsa “Ikarus” dhe EVN u përzgjodhën si ofertuesit më të favorshëm.
Çështja e autobusëve të rinj është zvarritur prej kohësh. Gjatë mandatit të ish-kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, mediat raportuan se pika për furnizimin me autobusë të rinj ishte paraqitur disa herë para këshilltarëve, por nuk mori mbështetjen e nevojshme për t’u futur në rendin e ditës.
- LEXO: U realizua me sukses tenderi, EVN-ja së bashku me një kompani tjetër do të sjellin 100 autobusë ekologjikë në Shkup
LEXO: Katër kompani kanë aplikuar në tenderin për furnizimin e autobusëve elektrikë në Shkup - LEXO: RMV, përfundoi edhe thirrja e tretë për furnizimin me autobusë të rinj, ende s’ka detaje për ofertuesit