Mexhiti paralajmëroi “procedura konkrete” për drejtorin e Spitalit të Kërçovës, i cili ua ndaloi të punësuarve komunikimin me mediat

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti sot tha se do të ketë procedura konkrete për drejtorin e Spitalit të Kërçovës i cili nëpërmjet një letre ua ndaloi të punësuarve komunikimin me mediat. Nga ana tjetër, drejtori arsyetohet se ia kanë keqinterpretuar përmbajtjen e letrës. Sipas tij, shkaku i ndalesës ka qenë se spitali ka zëdhënës për të dhënë informata, pavarësisht se në atë njoftim nuk përmendet zëdhënësi, raporton Portalb.mk.

Ministri i Shëndetësisë, Mexhitit sot tha se është i informuar për njoftimin e drejtorit të Spitalit të Kërçovës ku ai ua ndalon të punësuarve të flasin me media dhe për këtë do ketë masa konkrete.

“Jam i informuar për gjithçka dhe do të ketë hapa dhe procedura konrekte“, tha shkurt Mexhiti, duke mos sqaruar se çfarë nënkupton me procedura dhe hapa konkret.

6 nëntor të këtij viti drejtori i spitalit të përgjithshëm të Kërçovë, Stanko Trpeski, i ka informuar të gjithë të punësuarit se ndalohet çdo lloj komunikimi me mediumet brenda apo jashtë orarit të punës nëse ata nuk i përmbahen këtij paralajmërimi atëherë për ata do të ketë masa disiplinore.

“Informohen të gjithë të punësuarit në Spitalin e Përgjithshëm – Kërçovë se ndalohet çdo lloj deklarimi dhe komunikimi me mediumet në lidhje me pjesën e punës së spitalit, brenda apo jashtë orarit të punës. Të gjithë punonjësit janë të informuar t’i përmbahen ndalesës, përndryshe nëse kontaktojnë me medium do t’u jepet procedim disiplinor për tu caktuar masa disiplinore”, thuhet në njoftimin e drejtorit Trpeski.

Pas publikimit të këtij dokumenti nëpër media, drejtori i spitalit, më 9 nëntor në një intervistë për TV Uskana tha se demanton që ua ka ndaluar të punësuarve të bisedojnë me mediat, por se për informacione më të sakta Spitali i Kërçovës ka caktuar zëdhënës të mediave dhe ky dokument është interpretuar ndryshe nga persona të caktuar.

“Ne bëmë një njoftim se të dhëna relevante japin vetëm njerëz të caktuar, pastaj dikush e ka interpretuar njoftimin në mënyrë tjetër dhe u paraqit si problem nga portalet se ju ndalojmë të flasin, aspak s’është e vërtetë. Ju mund të shkoni dhe t’i pyesni të punësuarit nëse dikush ua ka ndaluar, i ka torturuar dhe maltretuar që të mos japin informacione. Ne jemi institucion që ka zëdhënës për të dhënë informata relevante”, tha Trpeski.

Mirëpo, në dokument nuk shkruhet se spitali ka caktuar zëdhënës as edhe se kush është ky zëdhënës, por në fakt shkruhet se ndalohet çdo lloj deklarimi për media.

Përndryshe, kjo ndalesë koincidon me publikimin e Portalb.mk  për Spitalin e Përgjithshëm të Kërçovës dhe përpara publikimit të lajmit, Portalb.mk e kontaktoi drejtorin Trpeski, por ai refuzoi të përgjigjet në pyetjet tona dhe pastaj ai ua ndaloi punonjësve të deklarohen për mediat.

Rikujtojmë se spitali i “ri” i Kërçovës është objekt i cili po ndërtohet që nga vitet 1985/1990 dhe që assesi të përfundohet dhe të vendoset në funksion. Finalizimi i ndërtimeve premtohet nga autoritetet pothuajse 37 vite. Objekti është shndërruar në lokacion që vizitohet nga çdo ministër i ri i shëndetësisë si një pikë turistike, mirëpo me vitet mbetet i pandërtuar.