Spiritualiteti kibernetik dhe radikalizmi (1)

Gjatë historisë, feja ka përdorur mjete të ndryshme për të komunikuar vlerat e saj themelore, përfshirë tekste të shenjta, fjalime gojore dhe libra të shtypur (Horsfield, 2015). Në shek. XX ajo ka shfrytëzuar mediat, gazetat, radion dhe TV-në, kurse në atë XXI, bota e teknologjisë kompjuterike është hapësira ku rikonceptohet e shenjta. Përdorimi i kompjuterëve, smartfonëve, tabletëve, internetit dhe teknologjive të ngjashme të komunikimit, si dhe funksioni në rritje i tyre, sjell një proces digjiitalizimi që përfshin dimensionet ekonomike, kulturore dhe fetare të jetës sociale. Është kjo epoka e anarkisë botëkuptimore, kur doktrina, dogma, bindje, pikëpamje teologjike të panumërta na vërshojnë si një ortek, kur motorët e kërkimit janë shndërruar në shamanë digjitalë (Raushenblush, 2021).

Detradicionalizimi është një nga denominatorët e shoqërisë së fillimmileniumit të tretë kur shënohet transformim rrënjësor i fetarisë. Helland (2000: 214-219) flet për religion online, online religion, Campbell për fenë e rrjetëzuar (networked religion), ndërsa autorë të tjerë, për fenë e sodit, përdorin sintagmat religjioni virtual, e-religjioni, religjioni kibernetik (cyber religion) që përfarësisht simbolizojnë të njëjtën gjë, fenë post-klasike.

Feja digjitale hap mundësi të reja për besimtarët dhe organizatat fetare, duke i lejuar ata të përshtaten me ndryshimet moderne teknologjike dhe të shpërndajnë idetë e tyre në shkallë globale. (Lomachinska, 2024) Është koha kur bota e spiritualitetit evoluon furishëm. Adhurimi online, lutjet virtuale, programe edukative të zhvillimit shpirtëror, platforma për diskutimin e temave fetare dhe ndarjen e përvojave në rrjetet sociale, biblioteka fetare elektronike, programe misionare dixhitale, pelegrinazhe virtuale, aplikacionet e ndryshme mobile për lutje, etj. janë disa nga shenjuesit e ridizajnimit të përshprtësisë. Sektarizmi kibernetik është fenomen i lëvizjeve të reja fetare dhe grupeve të tjera që përdorin internetin për shpërndarjen e teksteve, rekrutime dhe shkëmbim të informacionit.

Sipas Paltridge, sot përmes internetit, jemi të ekspozuar ndaj një morie imazhesh dhe ideologjish të larmishme, shpesh kontradiktore. “Nuk kemi të bëjmë vetëm me një kaos shqisor, por edhe kaos ideologjik, sepse mbi ne derdhen të gjitha këto botëkuptime të ndryshme. Kjo është një gjendje shumë dërrmuese … minon konceptet mbi realitetin dhe të vërtetën, me të cilat mund të jesh rritur.” (Suba, 2022)

I veshur me një këmishë blu, xhinse dhe një kapele, pastori Noah Carr — @pastor.noah për ndjekësit e tij online — vrik drejt kamerës duke thirrur: “Prisni një moment!” … dhe këlthet: “Më lejoni të bëj një lutje të fuqishme për ju para gjumit, tani, dhe, kur të mbaroj së luturi për ju, ju lutem ndajeni këtë me pesë persona të tjerë … nuk dihet kurrë se kush do të bekohet!”

Mehdi Isa, një konvertit musliman, dhe gruaja e tij Mubina, e cila mban nikab (formë e mbulesës islame), kanë mbi 122.7 milionë pëlqime në të gjitha videot e tyre të ndara në llogarinë @mehdinatv, mbi 2.1 milionë ndjekës globalë – duke i bërë ata disa nga krijuesit më të njohur të përmbajtjes fetare në X. Përmbajtja e këtij çifti musliman me rezidencë në Kanada shtrihet nga skeçet komike deri te pyetjet dhe përgjigjet rreth çështjeve islame, duke synuar të përballen me stereotipet dhe t’i informojnë njerëzit për jetën e tyre të përditshme. (interfaithamerica.org)

Në rrjetet sociale na shfaqen edhe llogari si #jewishtiktok, #FaithTok,  #muslimtiktok, @islami.ne.kosoveiks, #buddhism etj.

Radikalizmi online nënkupton procesin gjatë të cilit individët ekspozohen, imitojnë dhe internalizojnë besimet dhe qëndrimet ekstremiste, përmes internetit, veçanërisht rrjeteve sociale, dhe formave të tjera të komunikimit online (Binder & Kenyon, 2022). Sipas Ware (2023) janë tre breza të radiaklizimit online: (1) 1984-mesi i viteve 2000 (forumet njëkahëshe,webfaqet), (2) mesi i viteve 2000 fundi i viteve 2010 (Twitter, FB, YouTube, Instagram), (3) fundi i 2010-tave deri më sot (Whatsapp, Telegram, Gab, Parler). Më herët Rappoport në analizën e vet flet për katër faza: anarkiste, antikoloniale, e majta e re dhe fetare, kurse Jerrold Post kësaj skeme ia shton të pestën: atë të ‘terrorizmit të aktorit të vetëm’ (lone actor terrorism).

Kur një djalosh 13-vjeçar u arrestua nga policia e Estonisë në fillim të vitit 2020 për drejtimin e një organizate ndërkombëtare terroriste, komuniteti perëndimor qe tronditur thellësisht. Kjo ishte vetëm një pikë e re e pakëndshme në një trend afatgjatë të materialeve ekstremiste që po bëhen gjithnjë e më të arritshme online. “Qasja në një botë urrejtjeje online sot është po aq e lehtë sa filmat vizatimorë të mëngjesit të të shtunës në televizor,” kumton Oren Segal i Anti-Defamation League (ADL, Lidhja Kundër Shpifjes), duke ofruar një krahasim të dhimbshëm që ilustron se si ekstremizmi modern ka zëvendësuar aktivitete më të buta argëtuese. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre