Spasovski në lidhje me ngjarjet në Kosovë: Nuk kemi arsye që diçka mund të shkaktojë prishjen e sigurisë në rajon

Në lidhje me zhvillimet e fundit që po ndodhin në veriun e Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Oliver Spasovski, ka vlerësuar që gjendja në rajon është stabile, transmeton Portalb.mk.

“Ne jemi tërësisht të përkushtuar ndaj këtij aktiviteti, shtabi operativ punon, në bazë ditore shkëmbehen informata dhe qytetarët mund të jenë të plotësisht të qetë, për arsye se nuk kemi asnjë arsye se diçka mund të shkaktojë prishjen e gjendjes së sigurisë në rajon”, deklaroi Spasovski.

Ai vlerësoi që vendi është i relaksuar për shkak se është pjesë e NATO-s.

“I pyetur për gjendjen e sigurisë në shtetin tonë, posaçërisht në korrelacion me ngjarjet në Kosovë, potencoi se gjendja është stabile, pa asnjë indikacion se mund të prishet, kurse të gjitha institucionet përgjegjëse për sigurinë janë maksimalisht vigjilente”, deklarojnë nga Ministria për opinionin e Spasovskit.

Ministri vlerësoi që të gjitha problemet dhe çështjet e hapura në rajon mund të zgjidhen me dialog, që të forcohemi ekonomikisht si rajon.