Sot u zhbllokua pagesa për rastet sociale dhe fëmijët në Maqedoninë e Veriut
Pagesa për mbrojtjet sociale dhe fëmijët u zhbllokua pas një jave vonesë. Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve sot filloi me pagesën e një grupi, transmeton Portalb.mk.
“Sot ka filluar pagesa e të drejtave të mbrojtjes sociale, të fëmijëve dhe të mbrojtjes civile për muajin nëntor të vitit 2025”, sqaroi Ministria.
Me qëllim që të mos ketë turma, pagesat në filialet dhe ekspoziturat e bankave do të kryhen në 2 grupe. Sot do të mund të marrin grupet që shkronjën e parë të mbiemrit e kanë me shkronjat A, B, V, G, D, Gj, E, Zh, Z, X, I, J, K, L, Ll; ndërsa më 15 dhjetor grupi tjetër që i fillon mbiemri me shkronjat M, N, Nj, O, P, R S, T, Q, U, F, H, C, Ç, Xh, Sh.
“Përfituesit e të drejtave monetare që posedojnë kartë debiti do të mund të tërheqin para në bankomatet e bankave, t’i shfrytëzojnë mjetet për pagesa jo të gatshme në rrjetin e shitjeve ose përmes sistemit bankar elektronik dhe celular, prej sot, 12 dhjetor 2025”, sqaroi Ministria.