Ktheu trofeun e Eurovisionit në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit

Fituesi i Eurovisionit 2024, këngëtari zviceran Nemo, ka njoftuar se ka vendosur të kthejë trofeun e tij në shenjë proteste ndaj vendimit për të lejuar Izraelin të marrë pjesë sërish në konkurs, raporton ABC. Nemo, 26 vjeç, fitoi Eurovisionin me këngën The Code, tha se ekziston një “konflikt i qartë” mes pjesëmarrjes së Izraelit dhe vlerave të konkursit, si “uniteti, përfshirja dhe dinjiteti”.

Në një reagim për BBC News, drejtori i Festivalit Evropian të Këngës, Martin Green, u shpreh se Eurovisioni është “i trishtuar” nga vendimi, duke shtuar se e respekton plotësisht qëndrimin e artistit.

Pjesëmarrja e Izraelit në konkurs ka nxitur tensione të shtuara për shkak të luftës në Gaza dhe polemikave për procesin e votimit. Islanda, Spanja, Irlanda, Sllovenia dhe Holanda kanë konfirmuar se do të bojkotojnë edicionin e vitit 2025, sepse Izraeli është lejuar të konkurrojë.

Izraeli e ka quajtur më herët këtë vendim një “fitore” ndaj kritikëve të tij.

Në një deklaratë të publikuar në Instagram, Nemo tha se vendimi i Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) “nuk është më në përputhje me vlerat bazë” të Eurovisionit.

“Pjesëmarrja e vazhdueshme e Izraelit, në një kohë kur Komisioni i Pavarur i OKB-së ka konkluduar se po kryhet një gjenocid, bie ndesh me idealet e festivalit”, shkroi artisti, duke shtuar se tashmë nuk e konsideron trofeun si diçka që i përket.

Artistit publikoi edhe një video ku shihet duke futur trofeun në një kuti, të cilën thotë se do ta dërgojë në selinë e EBU-së në Gjenevë. Mosmarrëveshjet rreth pjesëmarrjes së Izraelit janë cilësuar kriza më e madhe në historinë e festivalit. Përveç tensioneve politike, këtë vit pati edhe akuza se qeveria izraelite kishte tentuar të ndikonte votimin e publikut, çka çoi në rregulla më të rrepta për edicionet e ardhshme.

Megjithatë, një shumicë e madhe e vendeve anëtare miratuan vijimin e garës për vitin 2026, pa një votim shtesë për përjashtimin e ndonjë shteti. Presidenti izraelit, Isaac Herzog, e ka përshëndetur vendimin për pjesëmarrje, duke e quajtur një “gjest solidariteti dhe bashkëpunimi”.

Duke komentuar bojkotet, Nemo tha se vendimi i tij nuk ka të bëjë me “individë apo artistë të veçantë”, por me përdorimin e Eurovisionit për të “zbutur imazhin e një shteti të akuzuar për shkelje të rënda”.

“Nëse vlerat që festojmë në skenë nuk respektohen edhe jashtë saj, atëherë edhe këngët më të bukura humbasin kuptimin”, u shpreh artisti.

Lufta në Gaza shpërtheu pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. Sipas autoriteteve shëndetësore të drejtuara nga Hamasi, mbi 70.370 persona janë vrarë nga ofensiva izraelite që atëherë. Eurovisioni i vitit 2025 pritet të zhvillohet në Vjenë, në edicionin jubilar të 70-vjetorit të festivalit.