Sonte nis Festivali “Këngë Jeho” Strugë, do të jehojnë motivet tradicionale

Sonte (11 korrik), me fillim nga ora 20:30, hap siparin edicioni i 34- të i Festivalit të këngëve dhe valleve popullore të përpunuara dhe të stilizuara “Këngë Jeho” në Strugë. Përgjatë tri netëve të festivalit, do të marrin pjesë 20 shoqëri kulturore artistike nga Amerika Latine, Bullgaria, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, shkruan Portalb.mk.

Zini Jusufi Drejtori i festivalit “Këngë Jeho”, për Portalb.mk tha se Struga e vazhdon këtë festival dhe e kultivon me fanatizëm, e mbron për arsye se është një ndër festivalet më të vjetra.

“Është festival i veçantë, për arsye se është i vetmi festival i këngës dhe valles së përpunuar dhe të stilizuar shqipe. Struga e vazhdon këtë festival dhe e kultivon me fanatizëm, e mbron për arsye se është një ndër festivalet më të vjetra, më një jetëgjatësi më të gjatë, në përjashtim nga festivali i Gjirokastrës. Atje mbahet një herë në katër vjet, këtu është për 34 vite pandërprerë dhe për 34 vite sjellim risi”, tha Jusufi.

Ai edhe më tej shtoi se ky edicion dallon nga ato të kaluarat, sepse do të prezantohen shoqëri që nuk kanë qenë asnjëherë më parë.

“Dallon këtë vit, për arsye se kemi disa shoqëri që nuk kan qenë asnjëherë në Strugë. Dallimi tjetër është se këtë vit kemi edhe këngëtarët e mrëfillitë të këngës shqipe, me përvojë të gjatë, artist të mëdhenjë siç janë: Arif Vladi, Kastriot Tusha, Haxhi Meqellara dhe këngëtarë të tjerë të cilët do të marrin pjesë për tre netët e festivalit”, tha Jusufi.

Jusufi edhe më tej shtoi se ky festival ka ndikim të madh në promovimin e kulturës shqiptare.

Është në promovimin e kulturës shqiptare, për arsye se këtu e shpalosim melosin, veshjen, koloritin e bukur që e kemi. Veshja e bukur e jona, e çdo trevës që dallon, edhe këtu në këtë festival, ata me atë kolorit të bukur të veshjeve i shpalosin bukurit tona. Kështu do të përcillet brez pas brezi, që mos e humbasim traditën tonë në veshje, qoftë edhe në melos, qoftë edhe në kulturë e të tillë”, tha Jusufi.

Ai gjithashtu potencoi se është shumë e vështirë që të bëhet organizimi i një festivali me traditë të gjatë.

“Është shumë e vështirë për arsye se ndonjëherë biem në vesh të shurdhër. Nuk mbështetet aq shumë kultura, unë i jamë mirënjohës Ministrisë së Kulturës së RMV-së, si mbështetës gjeneral i festivalit. Viteve të fundit na jep mbështetje dhe i dalim në fund festivalit me shumë vështirësi, por entuziazmi i madh i joni e bën që ne t’ia arrijmë qëllimit dhe mos e humbasim, këtë brend të Strugës që e ka mos e humbe, siç kemi raste të festivaleve të tjera në Tetovë, Shkupit dhe të Dibrës”, tha Jusufi.

Programi i festivalit:

Afishja e Festivalit “Këngë Jeho” Strugë. Foto: Zini Jusufi
Afishja e Festivalit “Këngë Jeho” Strugë. Foto: Zini Jusufi

Festivali i themeluar në vitin 1992, prej shumë vitesh ka shpalosur vlerat kulturore dhe artistike, ngjyrat e kostumeve tradicionale, emocionet dhe thesarin popullor shqiptar. Festivali bën së bashku artistë të ndryshëm, qytetarë të Strugës, mërgimtarë, turistë vendas dhe të huaj, koleksionistë të folklorit dhe shumë personalitete të shquara.