Sonte në Festivalin Veror të Splitit në Kroaci, Qëndrim Rijani sjell “Jul Cezarin” në skenë, premierë që trazon historinë
Vepra e Shekspirit “Jul Cezari”, nën regji të Qëndrim Rijanit, sonte më (8 gusht), do të shfaqet në Festivalin Veror të Splitit në Kroaci. Kjo vepër do të shfaqet premierë nga Ansambli i Dramës Split, në skenën e re në Portën e Argjendtë. Tragjedia politike e Shekspirit ngre pyetje mbi pushtetin, tradhtinë dhe natyrën e brishtë të demokracisë, pikërisht aty ku historia dhe e tashmja mbivendosen në mënyrë të rrezikshme, shkruan Portalb.mk.
Regjisori Qendrim Rijani për Portalb.mk tha se nga kjo vepër e ka tërhequr mënyra se si Shekspiri trajton çështjet e drejtësisë, dhunës së justifikuar dhe moralit publik, të cilat rezonojnë fuqishëm edhe sot, dhe se kjo vepër është një pasqyrë dramatike e mekanizmave të pushtetit.
“Veprën “Jul Cezari”, nuk e zgjodha unë-ajo më zgjodhi mua. Është një tekst që, përtej historisë romake, shpalos strukturat më të thella të politikës, pushtetit dhe manipulimit ideologjik. Më tërhoqi mënyra se si Shekspiri trajton çështjet e drejtësisë, dhunës së justifikuar dhe moralit publik, të cilat rezonojnë fuqishëm edhe sot. Padyshim. “Jul Cezari”, është një pasqyrë dramatike e mekanizmave të pushtetit. E pamëshirshme në mënyrën se si zbulon hijet e politikës dhe mënyrën si ideologjitë krijojnë “përbindësha” që vazhdojnë të jetojnë edhe pas vdekjes së liderëve. Kjo është shumë e ngjashme me mënyrën si trashëgimia e udhëheqësve formëson narrativat politike edhe në realitetin tonë bashkëkohor”, tha Rijani.
Ai shtoi më tej se e kanë ruajtur strukturën thelbësore të Shekspirit, por janë zhvendosur në një realitet ideologjik që është i njohur për publikun e sotëm dhe beson se besnikëria ndaj origjinalit nuk do të thotë konservim, por mbartje e shpirtit të veprës në realitetin e sotëm.
“Është një ndërthurje e qëllimshme. E kam ndërtuar një univers ritual, të mbushur me simbole dhe shenja, ku mitologjia dhe bashkëkohësia bashkëjetojnë. Kemi ruajtur strukturën thelbësore të Shekspirit, por jemi zhvendosur në një realitet ideologjik që është i njohur për publikun e sotëm. Kjo nuk është një histori antike-kjo është një çështje aktuale. Është gjithmonë sfidë, por nuk e shoh si kompromis. Shekspiri vetë ishte modern për kohën e vet. Unë besoj se besnikëria ndaj origjinalit nuk do të thotë konservim, por mbartje e shpirtit të veprës në realitetin e sotëm. Aktualizimi nuk është dekor-është domosdoshmëri kur do t’i flasësh publikut sot”, tha Rijani.
Rijani foli për mesazhin e veprës dhe raportin e ndërtuar midis pushtetit dhe tradhtisë në këtë version skenik.
“Se ideologjitë nuk vdesin bashkë me liderët. Se gjuha politike mund të justifikojë çdo akt, edhe krimin më të madh, nëse i jepet trajta e duhur morale. Dhe se publiku duhet të jetë gjithmonë i kujdesshëm ndaj atyre që përdorin drejtësinë si justifikim për dhunën. Në këtë shfaqje, tradhtia nuk është thjesht personale, është politike, ideologjike, e justifikuar dhe e organizuar si akt kolektiv. Pushteti nuk është vetëm te Cezari, por në mënyrën si të tjerët projektojnë mbi të frikën dhe ambicien e tyre. Tradhtia, kështu, bëhet mjet për krijimin e një pushteti të ri, po aq të rrezikshëm”, tha Rijani.
Ai deklaroi se publiku do ta ndjejë shumë afër vetes këtë vepër, dhe se është një pikë kthese për të.
“Mendoj se publiku do ta ndjejë shumë afër vetes. Pavarësisht se flasim për Romën antike, tingulli i konfliktit është i njohur: manipulimi, frika, dëshira për kontroll, dhe zëri që pyet: “Kush është në të vërtetë tradhtari?”. Kjo është pyetje që prek çdo shoqëri. Është një pikë kthese. Një përballje me një tekst kolosal, por edhe një mundësi për të artikuluar me qartësi vizionin tim politik si artist. “Jul Cezari” më ka lejuar të ndërtoj një univers që flet me mjete teatrore për struktura të vërteta të pushtetit”, tha Rijani.
Projektet e Rijanit do të vazhdojnë edhe më tej me një cikël të veprave që riinterpretojnë figurat dhe mitet politike.
“Klasikët janë pjesë e pandashme e rrugëtimit tim, por gjithmonë në funksion të një dialogu me kohën ku jetojmë. Projekti im i ardhshëm është të krijoj një cikël të veprave që riinterpretojnë figurat dhe mitet politike-për t’i kthyer në mjete për të kuptuar të sotmen tonë të trazuar”, tha Rijani.