Sllaveski kërkoi nga bankat të ulin komisionet, BPRM do të ndërmarrë hapin e parë

Guvernatori i ri i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, në takimin e sotëm me përfaqësues të bankave, shtëpive të kursimit dhe anëtarëve të tjerë të Shoqatës Bankare të Maqedonisë (ShBM), paraqiti një sërë propozimesh konkrete për uljen ose heqjen e tarifave të shërbimeve të pagesave që paguajnë qytetarët dhe kompanitë. Banka Popullore, siç theksoi Sllaveski, do të ndërmarrë hapin e parë duke ulur tarifat e veta që u ngarkon bankave për shërbimet në Sistemin Ndërbankar të Pagesave të Maqedonisë (SNPM), veçanërisht për transaksionet e borxhit, transmeton Portalb.mk.

“Gjithashtu presim që bankat të rishikojnë shumën e tarifave për ekzekutimin e pagesave për qytetarët dhe kompanitë sa më shpejt të jetë e mundur dhe t’i vendosin ato në një nivel të arsyeshëm”, tha guvernatori, duke theksuar se tarifat duhet të jenë të qëndrueshme për bankat, por edhe të drejta dhe të pranueshme për përdoruesit.

Sllaveski theksoi se korniza rregullatore në vend është përmirësuar ndjeshëm dhe është harmonizuar me direktivat evropiane, gjë që kontribuoi në anëtarësimin tonë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Sipas Sllaveskit, është krijuar një mjedis në të cilin shërbimet e pagesave trajtohen si shërbime me interes publik. Kjo, siç thotë ai, nënkupton një detyrim për çdo qytetar, pavarësisht nga statusi i tyre shoqëror ose niveli i njohurive digjitale, që të ketë qasje në shërbime pagesash të sigurta, të arritshme dhe cilësore.

“Në shekullin e 21-të, qasja në shërbimet e pagesave nuk është privilegj, është nevojë themelore dhe parakusht për pjesëmarrje ekonomike dhe integrim shoqëror”, theksoi guvernatori.

Ai tha se sipas të dhënave për vitin 2024, të ardhurat neto nga tarifat përbëjnë 18 përqind të të ardhurave totale neto të bankave. Sipas tij, këto të ardhura, së bashku me të ardhurat nga interesat, kontribuojnë në rentabilitetin e bankave, me kthimin mesatar të kapitalit (ROE) që është rreth 20 përqind, dhe në disa banka edhe më shumë.

Sllaveski paralajmëroi se kostot e larta të kryerjes së pagesave ndikojnë veçanërisht te popullsia me të ardhura më të ulëta, e cila, në kushte të shërbimeve të shtrenjta, mbështetet në transaksionet me para në dorë, gjë që inkurajon ekonominë në hije. Ai theksoi se vendosja e tarifave të arsyeshme do të kontribuojë në përfshirje më të madhe financiare, digjitalizimin e shërbimeve dhe formalizimin e rrjedhave ekonomike.

Sipas Slaveskit, shembuj të kostove që mund të reduktohen ose hiqen janë ato për:

  • Tarifat për mbajtjen e një llogarie pagese për kompanitë – do të reduktohen;
  • Tarifat për përdorimin e bankave elektronike dhe mobile – do të hiqen;
  • Tarifat për pagesat me urdhër pagese brenda bankës – do të hiqen;
  • Tarifat për pagesat ndërbankare në monedhën vendase që ekzekutohen përmes sistemeve të pagesave KIBS dhe MIPS – do të reduktohen;
  • Tarifat për tërheqjen e parave të gatshme nga bankomate të tjera në vend dhe jashtë vendit, të cilat në disa banka janë gjithashtu në formën e një përqindjeje të shumës – do të reduktohen dhe thjeshtohen si një kosto fikse për transaksion;
  • Tarifat për pranimin e kartave në pikat e shitjes tek tregtarët – do të reduktohen, duke marrë parasysh se komisionet ndërbankare janë të kufizuara nga Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave dhe janë ulur në nivelet e BE-së.

Guvernatori i bëri thirrje sektorit bankar që ta pranojë iniciativën dhe ta vendosë perspektivën e përdoruesit në qendër të operacioneve të tij, drejt një sistemi bankar gjithëpërfshirës dhe socialisht përgjegjës.

Kujtojmë se Kuvendi më 28 maj me 68 vota “pro” dhe 16 “kundër” emëroi Trajko Sllaveskin për guvernator të Bankës Popullore.

Në garën për guvernator në Bankën Popullore të Maqedonisë së Veriut ishin edhe katër emra tjerë: Zoran StravrevskiAnita Angellovska – BezhovskaMaja Kadievska – Bojnoviq dhe Borçe Trenovski.