Skenari është shkronja e parë e alfabetit, Mirjeta Fejzullahu mbi artin, guximin dhe gruan në film
Në një realitet ku industria e filmit në Maqedoninë e Veriut ende po kërkon zërin e vet të vërtetë, Mirjeta Fejzullahu shfaqet si një rrëfim i guximit dhe pasionit. E diplomuar në Fakultetin e Arteve Dramatike në Shkup, ajo paraqitet si një zë që sjell në ekran ndjeshmërinë, identitetin dhe përvojën shqiptare. Në një kohë kur tregimet shpesh humbin thellësinë përballë shpejtësisë dhe komercializmit, Fejzullahu mbetet besnike ndaj artit të fjalës dhe emocioneve të sinqerta. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo foli për rrugëtimin e saj krijues, sfidat prapa skenës, botën e filmit dhe vendin që zë gruaja shqiptare në këtë hapësirë artistike.
Portalb.mk: Si nisi rrugëtimi juaj drejt skenaristikës dhe çfarë ju frymëzoi të hyni në këtë fushë?
Mirjeta Fejzullahu: Meqë që në vegjëli kam pasur kontakt me filmat e babit tim, i cili është regjisor, dhe pikërisht filmat janë bërë mandej, gjatë rritjes, edhe biseda jonë e përbashkët, dhe ndoshta pasioni që ne e kemi nda, unë vendosa të merrem profesionalisht me të, duke u regjistruar në Fakultetin e Artit Dramatik, në Shkup, në degën e dramaturgjisë. Frymëzim gjithashtu ka qenë edhe fakti që, në Maqedoni nuk ka pasur asnjëherë para meje ndonjë shqiptar i diplomuar në këtë drejtim.
Portalb.mk: Si është të jesh e vetmja grua skenariste në një vend ku burrat e kanë “monopolizuar” industrinë e filmit, cilat janë sfidat?
Mirjeta Fejzullahu: Nuk e di saktë përgjigjen e kësaj pyetje. Besoj që kjo është rezultat i shoqërisë ku jemi rritur, si për burrat mos t’i pranojnë gratë si konkurrencë, por t’i shohin si më pak luftarake, më pak të guximshme, gjithashtu edhe për gratë që në ndonjë formë apo tjetër duke ndikuar shoqëria diku e humbin guximin dhe forcën e tyre për t’ia bërë mandej burrave më të lehtë rrugën për t’i diskriminuar. Pra mendoj që të dyja palët reflektojnë një mentalitet patriarkal dhe atë anomalinë e luftës mes gjinive.
Portalb.mk: Çfarë e bën një skenar të mirë sipas jush, fabula, personazhet, dialogët, apo diçka tjetër?
Mirjeta Fejzullahu: Këto tre elemente janë thelbësore gjithsesi, për të dëshmuar aftësi në krijimin e një skenari. Nuk mundet, njëra prej tyre të dështon dhe skenari të jetë i suksesshëm. Por gjithashtu, një skenar e bën të papërsëritshëm origjinaliteti i fabulës, origjinaliteti i një historie autentike që e gjen vetëm këtu, që krijohet vetëm këtu, që frymon këtu dhe nuk e zhvendos dot në asnjë hapësirë tjetër të globit.

Portalb.mk: Sa hapësirë ka skenaristi për kreativitet në një industri që shpesh kufizohet nga buxheti dhe kërkesat e tregut?
Mirjeta Fejzullahu: Kjo është vështirësia me e madhe, sidomos në vendin tonë, kur shpesh skenarin e shkruan çdokush tjetër por vetëm skenaristi jo, d.m.th. jo ai që është shkolluar dhe edukuar në atë drejtim.
Portalb.mk: Kur shkruani, mendoni më shumë për audiencën vendore apo për një publik më të gjerë ndërkombëtar?
Mirjeta Fejzullahu: Siç e thashë, me stimulojnë shumë temat tona, ngecjet tona si shoqëri, mënyra se si rritet e zhvillohet një karakter në suazat tona, fenomenet sociale që kontribuojnë që një karakter të zhvillohet në atë mënyrë, dhe bashkëveprimi i saktë e zërit të tij individual dhe zhurmës se shoqërisë. Ku është mesi i tyre? Çfarë përfaqëson individi dhe çfarë shoqëria? A i ndërrojnë rolet ndonjëherë?
Portalb.mk: Si i pret publiku shqiptar filmat me histori të shkruara nga gratë, me perspektivën e tyre autentike?
Mirjeta Fejzullahu: Mendoj që vajzat duhet të rriten duke u inkurajuar për tu bërë pjesë e artit, është shumë e nevojshme zëri, energjia dhe prezenca e vajzave në art. Me kohë zëri i saj përmes shkrimit do të jetë i paevitueshëm dhe kjo pyetje do humb kuptimin.
Portalb.mk: A mendoni se mungesa e grave në skenaristikë ndikon edhe në mënyrën si përfaqësohen gratë dhe vajzat në film dhe televizion?
Mirjeta Fejzullahu: Gjithsesi. Skenari është shkronja e parë e alfabetit.
Portalb.mk: Cilat janë ndryshimet që do të dëshironit të shihnit në industrinë e filmit në Maqedoninë e Veriut për t’i bërë më shumë hapësirë grave?
Mirjeta Fejzullahu: Të stimulohen avancohen dhe afirmohen temat me protagoniste gratë. Roli i tyre në shoqëri. Si kemi arritur nëpër vite ta fikim atë zë, ta shuajmë atë dritë e ta zbusim atë forcë.

Portalb.mk: A ndjeni përgjegjësi shtesë që përfaqësoni gratë në këtë profesion?
Mirjeta Fejzullahu: Kisha dashur të këtë shumë gra që prodhojnë filma, më shumë gra në skenë, që prodhojnë art, që përfaqësohen në çdo hapësirë, sidomos kjo është një nevojë e pakontestueshme për hapësirat tona ku zëri i gruas ende nuk dëgjohet mjaftueshëm.
Portalb.mk: Si e shihni të ardhmen e kinemasë dhe të skenaristikës në vend? A ka potencial për rritje dhe për hapje ndaj botës?
Mirjeta Fejzullahu: Industria e filmit te ne është ende e dobët, kjo e bën të vështirë një kinemast të mbijetojë prej këtij profesioni.
Portalb.mk: Çfarë këshille do t’u jepnit vajzave të reja që duan të bëhen skenariste?
Mirjeta Fejzullahu: Uroj prindërit së pari, të kenë sukses në rritjen e zërit të vajzave të tyre, ti stimulojnë dhe inspirojnë ato të tregojnë fabulat e tyre dhe ta bëjnë këtë me zë dhe guxim!