Dushica Dimitrieska do të jetë kryetare e re e Këshillit të Prokurorëve Publikë

Prokurorja Dushica Dimitrieska do të kryesojë Këshillin e Prokurorëve Publikë nga 1 tetori, për dy vitet e ardhshme, pasi mandati dyvjeçar i presidentit aktual Antonio Jolevski skadon të shtunën më 30 shtator, transmeton Portalb.mk.

Zgjedhja e pasardhësit të tij ishte një nga pikat e rendit të ditës në seancën e sotme të Këshillit, ndërsa Dimitrieska ishte e vetmja kandidate, për të cilën njëzëri votuan të gjithë anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Propozimi që ajo të drejtojë këtë organ ka ardhur nga presidenti aktual Jolevski, i cili edhe pas përfundimit të mandatit mbetet anëtar i Këshillit. Dimitrieska është zgjedhur anëtare e Këshillit në fillim të janarit të këtij viti, ndërsa në pozitën e saj ka ardhur nga pozita e udhëheqëses së Prokurorisë Themelore Publike Gostivar.

“Marr përsipër të propozoj një nga anëtarët e Këshillit për kryetar të ardhshëm. Propozoj Dushica Dimitrieska, e cila është zgjedhur prokurore në Prokurorinë Themelore Publike Gostivar në vitin 2003, kurse nga viti 2023 e njohim atë nga raportet dhe komunikimi i drejtpërdrejtë dhe mendoj se ajo do t’i përgjigjet këtij pozicioni”, tha Jolevski pasi e hapi këtë pikë në seancën për marrjen e vendimit për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të prokurorëve publikë.

Kur kryetari pyeti nëse ndonjë nga anëtarët kishte ndonjë propozim, askush nuk u përgjigj. Vetëm prokurori publik i republikës Lubomir Joveski tha se e përkrah propozimin e Jolevskit, duke theksuar se ai, sikur edhe kryetari i këshillit, beson se Dimitrieska do ta kryejë me sukses pozitën.

Pas kësaj, nga radhët e anëtarëve të Këshillit u formua një komision prej tre anëtarësh për realizimin e votimit, i përbërë nga: Keti Petkova kryetare dhe Svetlana Zhupanovska dhe Ermon Neziri si anëtarë.

Votimi ishte i fshehtë, si në zgjedhjet parlamentare, me paravan dhe kuti votimi.

Pasi të gjithë anëtarët e Këshillit i vendosën fletëvotimet në kutinë e votimit, Komisioni i numëroi votat, pas së cilës Jolevski njoftoi:

“Komisioni konstaton se kryetare e Këshillit të Prokurorëve Publikë është zgjedhur Dushica Dimitrieska”

Pasi u zgjodh, ajo për zëvendës të saj propozoi, gjegjësisht nënkryetar, Ixhet Memetin, i cili në këtë detyrë në Këshill u zgjodh me votim të zakonshëm, me ngritjen e dorës.

Në një deklaratë për media pas zgjedhjes së saj, Dimitrieska tha se do të avokojë për avancimin e të gjitha çështjeve që janë në kuadër të punës së Këshillit të Prokurorëve Publikë. Ajo theksoi se transparenca dhe afrimi me publikun do të jetë një nga angazhimet kryesore të saj dhe të Këshillit.