Këshilli i prokurorëve publikë avancoi kandidatë pa arsyetim, motra e Tupançeskit u zgjodh në prokurorinë e lartë të Shkupit

Këshilli i prokurorëve publikë në seancën e djeshme zgjodhi për më të dëshiruarën, Prokurorinë e Lartë Publike të Shkupit, Natasha Goxhovska, motrën e ish-ministrit të drejtësisë Nikolla Tupançeski dhe ish-prokurorin e Prokurorisë Publike Artan Ajro, i cili tashmë ishte graduar prokuror për krimin e organizuar, transmeton Portalb.mk.

Në vend të tyre u larguan prokurorët me lëndë të ndërlikuara: Darko Jakimovski, Lençe Ristoska, Ljubomir Lape, Natasha Saramandova e të tjerë, të cilët asnjëherë nuk kanë mundur të avancohen.
Anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë dje as nuk u përpoqën ta fshehin se zgjedhja e tyre ishte e paracaktuar. U numëruan një numër rekord votash “abstenuese”.

Në vend që të votojnë “pro” apo “kundër”, që të fitojnë ata që kanë pasur më shumë “për”, anëtarët e Këshillit janë deklaruar kryesisht me abstenime.

Përveç kësaj, për çdo kandidat të përzgjedhur, ata përsëri nuk dhanë arsye pse e votuan atë. Nuk thanë as se çfarë nuk shkon me të tjerët, kur thanë se të gjithë janë vlerësuar pozitivisht.

Në pyetjen e Sdk.mk, pse u votua masivisht me “abstenim” tek ata kandidatë që u anashkaluan në avancim, kur anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë, si zyrtarë të paguar nga paratë e qytetarëve, janë të detyruar të argumentojnë pse votojnë prokuror apo jo, edhe nëse abstenojnë, kryetari Antonio Jolevski tha se me atë “kundër” u dërgohet mesazh i keq prokurorëve.

“Kur keni më shumë kandidatë, dhe duhen promovuar dy, ndërsa të gjithë kandidatët janë të mirë dhe vendosin nuancat, për pjesën tjetër që nuk votojmë, themi abstenojmë. Ne dërgojmë mesazh të keq kur deklarohemi kundër një kandidati, sepse nuk kemi kundërshtim personal ndaj askujt”, tha Jolevski.

Publikut iu mohua sërish një shpjegim se përse anëtarët diku e dhanë mbështetjen e tyre dhe diku jo.

Edhe motra e Tupançeskit në biografinë e saj ka treguar se ka punuar si këshilltare në Qeveri, si dhe këshilltare në kabinetin e kryeministrit. Ajo nuk tregon se për çfarë periudhe ka qenë, por është zgjedhur prokurore në vitin 2013, ndërsa për tre vjet më parë ka dëgjuar ligjëratë në Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë.

Sa i përket Lapes dhe Ristoskës, para votimit vetëm prokurori i shtetit Ljubomir Joveski tha se kanë marrë përgjigje nga prokuroritë e Kumanovës dhe Shkupit se nuk janë në punë atje, por se janë duke i përfunduar lëndët nga PSP pasi janë deleguar nga ai si prokuror i shtetit. Ai tha se Lape së fundi ka kryer një hetim për një rast shumë të rëndë, ndërsa Ristoska ka kryer një rast të rëndë me arratisjen e një personi (Mijalkov, n.z.). Por edhe se para se të dilte në pushim të lehonisë, ajo ka punuar për një periudhë të gjatë në Europravda.

Natalija Tasevska nga PTh Shkup, Elvin Veli nga PTh Shkup, Valentina Stojanovska nga PTh Shkup, ish-kryetarja e suspenduar e krimit të organizuar Vilma Ruskovska tani nga PTh Shkup, Danica Moneva nga PTh Shtip, doktor i shkencave për pastrim parash dhe Zllatko Bikovski nga PTh Berovë , ishin kandidatë për më të lartën, Prokurorinë Themelore të Republikës.

U zgjodhën Natalija Tasevska dhe Elvin Veli, por publiku nuk e mori vesh pse, çfarë bënë dhe me çfarë meritonin.

Në konkursin nga ana tjetër për 4 pozita për prokurorë në Prokurorinë Publike për krim të organizuar dhe korrupsion kanë aplikuar këta prokurorë: Milica Gavrilova nga Prokuroria Publike për Krim të Organizuar, Gazmend Mehmeti nga Prokuroria Publike Kumanovë, Elizabeta Josifovska nga ish-prokuroria publike pastaj Aleksandar Markovski nga Organizata e Shkupit, me disa punime shkencore nga lëmia e së drejtës penale dhe Vlladimir Miloshevski, Olivera Proevska nga PThP Ohër dhe Verica Bërzhetska-Kërsteva nga PThP Shkup

Pa shpjegime, si prokurore për krim të organizuar janë zgjedhur Milica Gavrilova, Olivera Proevska dhe Verica Bërzhetska-Kërsteva.

Elizabeta Josifovska ishte e vetmja kandidate në konkursin e dytë për të cilin aplikoi, për kryetare të Prokurorisë Themelore Publike të Gostivarit. Ajo u zgjodh unanimisht. Nuk u tha nëse dhe sa çështje komplekse ka punuar dhe ka fituar në gjykatë.