Sjellja politike-partiake e shqiptarëve të RMV prej MO e deri më sot

(3) Sjellja politike-partiake e shqiptarëve të RMV-së prej MO-së e gjer më sot është një kapitull që gjithashtu kërkon qasje analitike. Për këtë periudhë të veprimit politik partiak të shqiptarëve të RMV-së, sado që të flitet për arritjet që proklamohen prej tyre, tema e dështimeve nuk mund të shterohet lehtë. Prandaj edhe qëllimi këtu nuk është përfshirja e të gjitha dështimeve, sikurse as mohimi i të arriturave që në të shumtën e rasteve mbetën gjysmake, të pakryera, të paimplementuara plotësisht e, së fundi, si të tilla, kohëve të fundit të kontestuara edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Pas nënshkrimit të MO-së fillon e ashtuquajtura epoka e zgjidhjeve paqësore: UÇK-ja dorëzon armatimin. Formohet partia e re politike e shqiptarëve, e dalë nga lufta (konflikti i armatosur), e quajtur Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Miratohen ndryshimet e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, me amendamentet e dala nga MO-ja. Nga një pjesë e luftëtarëve të UÇK-së për pozitën e re/të vjetër të shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë, që atëherë pati edhe mospajtime të hapura me përmbajtjen e Preambulës e të amendamenteve kushtetuese, siç paraprakisht pati mospajtime edhe me përmbajtjen e MO-së.
Sipas MO-së, luftëtarët e UÇK-së i dorëzuan armët dhe u pranua kushti i amnistisë së tyre. Që në start, pra, ata “fituan” statusin e fajtorit, sepse amnistia nuk ka kuptim nëse përballë nuk ka fajtorin që duhet amnistuar! Pra, u amnistua fajtori – UÇK, kurse komandanti dhe lideri i partisë së dalë nga UÇK-ja edhe sot e gjithë ditën deklaron se kanë luftuar për ta shpëtuar Maqedoninë?! Me këtë hipotekë e konfuzion, BDI-ja hyri në qeveri, e kjo më vonë, vetëndërdijshëm, do të shfaqet si gjymtësi e këtij subjekti politik, si krahë të thyer për ta manifestuar integritetin e vet të plotë si partner qeveritar serioz.
E ballafaquar me këtë mungesë integriteti, BDI-ja u kthehet shqiptarëve. Për ata të cilët nuk u pajtuan me këtë status dhe me zgjidhjet e tjera (Preambulë e amendamente kushtetuese), nga BDI-ja e etabluar në pushtet dhe nga vetë pushteti u gjetën metoda për pacifikimin e tyre. Kuptohet, pacifikimi ka ndodhur edhe me mbylljen e syve dhe të veshëve edhe të lehtësuesve që mundësuan arritjen e MO-së.
Afati i implementimit të MO-së ishte rreth 4 vjet nga nënshkrimi i saj. Kjo nuk ndodhi në plotësi as atëherë e as sot, për shkak të neglizhencës së politikës partiake-shtetërore maqedonase, por edhe të inkonsekuencës së BDI-së, e cila si parti politike e dalë nga lufta, për më shumë se 20 vjet qeverisi politikën e shqiptarëve. Që në fillim të mandatit qeverisës, BDI-ja para shqiptarëve demonstronte entuziazëm më shumë verbal-romantik sesa pragmatizëm politiko-juridik. Që atëherë, i pakët ishte veprimi politik praktik për realizimin e qëllimeve të deklaruara më herët.
Populizmi e demagogjia politike e kësaj partie ka vazhduar gjatë gjithë kohës së saj në pushtet. Kuptohet, nuk duhet harruar se kjo parti duhej të qeveriste me partitë e proveniencës maqedonase, atëherë e sot me vullnet e sinqeritet të pakët për barabarësi në bashkëjetesë me shqiptarët, e që shprehej si zvarritje e obstruksione institucionale, si lakime të zgjidhjeve kushtetuese. E kur ato pastaj formësohen si ligje, me ngathtësi zbatoheshin pjesërisht ose nuk zbatoheshin fare.
Po gjatë gjithë kësaj kohe, ç’bënte BDI-ja? Jo që nuk bëri asgjë, por bëri pak nga ajo që ishte pritshmëria e pjesëtarëve të UÇK-së dhe e vetë popullatës shqiptare! Të ballafaquar me pamundësinë për të qenë partnerë me integritet në qeverisje, barabartë me pjesëmarrësit maqedonas në qeveri, por edhe të ballafaquar me pakënaqësitë e shqiptarëve që prisnin barazi institucionale, politiko-juridike, e që dita-ditës bëhej më e qartë se kjo nuk po arrihet, shtuar kësaj edhe komoditetin e kuadrove të kësaj partie të etabluar nëpër funksione qeveritare e lokale, partia politike shqiptare e dalë nga lufta, BDI-ja, nisi të akomodohet thellë në të mirat e pushtetit. Ky veprim krijoi një amnezi sui generis që përhapej shpejt prej individit drejt grupeve, fillimisht brenda partiake e më pas më gjerë e gjatë: harresën kolektive për çka janë aty ku janë dhe pse ishin aty ku qenë në 2001-shin. Shfaqet harresa kolektive e gjithë një konjunkture politike partiake, me çka ngadalë tretet edhe arsyeja e të qenit në mal e më pas edhe në qeveri.
Për këtë gjendje, atëherë e sot, shpjegim tejet domethënës mbetet konstatimi i Dioguardit se: “Shqiptarët kaluan nga komunizmi në korrupsion. Sllavët janë të mençur, i blenë liderët shqiptarë dhe tani i kontrollojnë”. Bashkimi Demokratik për Integrim qeverisjen e atyre që përfaqësonte (shqiptarëve) e nisi dhe po e vazhdon me nxitjen, miratimin, madje edhe duke e implementuar vetë një lloj pacifikimi institucional shtetëror e partiak të tyre.
Pacifikimi i shqiptarëve pas MO-së kishte disa dimensione: ai që ushtronte shteti sipas detyrës dhe ai që me metoda perfide e bënte partia politike shqiptare që merrte pjesë në pushtet. Gjatë periudhës mbi 20-vjeçare të sundimit të BDI-së, pacifikimi i shqiptarëve është bërë përmes:
- anatemimit partiak dhe diskriminimit deri në ekstrem të jobashkëmendimtarëve dhe jo-bashkëpartiakëve, përfshirë këtu edhe krerë të UÇK-së;
- joshjes me pozicionime të leverdishme partiake, politike dhe institucionale të disa krerëve të UÇK-së (me meritë e pa të), që në vete mban shansin e pasurimit të paligjshëm e që në instancë të fundit është e barabartë me “shitjen e personit te patroni”;
- joshjes së natyrave të ndryshme të një grupi intelektualësh me influencë në popull, me një kusht të vetëm – që të heshtin, të mos flasin kundër veprimeve dështuese të partisë;
- punësimeve masive nëpër institucione në nivele të administrimit lokal e qendror (shumë shpesh jashtë aftësive profesionale e intelektuale), gjë që vështirë mund të pranohet krejtësisht pozitivisht apo të mohohet si veprim jo i mirë. Në këtë rast, veprim jo i mirë ishte punësimi fiktiv i një armate njerëzish të cilët prej vitesh, madje edhe prej dekadash, merrnin rroga por nuk e dinin se ku e kanë vendin e punës;
- punësimeve partiake inper institucione arsimore, duke filluar prej shkollave fillore, të mesme e fakulteteve, shumë shpesh jashtë kritereve profesionale e intelektuale;
- marrjes nën kontroll të këtyre institucioneve përmes emërimit partiak të udhëheqësve të tyre (drejtorëve të shkollave, stafit udhëheqës të universiteteve në gjuhën shqipe: rektorë, dekanë e senate);
- mundësisë për avancime në tituj shkencorë-akademikë e në pozicionime udhëheqëse nëpër universitetet tona, shpeshherë jashtë kritereve ligjore e rregullativave akademike;
- përmes stafit udhëheqës shkollor e universitar (të fronëzuar partiakisht), disiplinim deri në intimidim masiv i botës studentore që arrin deri në shkallën e molisjes së të menduarit të lirë dhe të iniciativës studentore, individuale e kolektive, duke favorizuar kështu të menduarit sipas matricës partiake që në fakt nuk mund të quhet “të menduar”;
- tolerancës dhe mbrojtjes partiake të korrupsionit brenda partisë e më gjerë nëpër institucione, që kulminacionin e vet e arrinte në pavullnetin dhe pafuqinë e BDI-së për t’i përjashtuar nga radhët e veta, madje edhe kur disa prej tyre ishin shpallur “non-grata” nga SHBA-ja. Emigrimi i popullatës shqiptare, fizikisht e intelektualisht aktive, është dimension e metodë e veçantë e pacifikimit që mbetet për t’u analizuar në veçanti, për çka gjithashtu “meritë” ka kjo parti politike shqiptare, që për mbi 20 vjet mori pjesë në pushtet.
Format dhe metodat e pacifikimit institucional e partiak të shqiptarëve nuk mund të shterohen duke u numëruar dhe qëllimi nuk është një përmbledhje gjithëpërfshirëse e tyre. Qëllimi është të jepet përgjigje në pyetjen: A do të ishte sot ndryshe me shqiptarët në RMV, sikur BDI-ja, si parti e dalë nga lufta e UÇK-së dhe pjesëmarrëse në pushtet për mbi 20 vjet, ta kishte manifestuar integritetin e vet të plotë si përfaqësuese e shqiptarëve në qeveri e parlament dhe sikur të mos i kishte bërë këto pacifikime të shqiptarëve?!
Si rrjedhojë e një politike që ka humbur rrugën në oborr të vet, nëpër institucionet e shtetit shqiptarët sot nuk e kanë dinjitetin e tyre: ata që u mësuan prej vitesh, madje prej dekadash, të marrin rrogë pa punuar, të ushtrojnë funksione pa qenë kompetentë intelektualisht e profesionalisht, ata janë e përjetë do të mbeten të zhveshur nga dinjiteti e integriteti i personalitetit, pa Un-in e tyre. Janë e do të mbeten të zhveshur nga të menduarit e mëvetësishëm; fundja, janë e do të mbeten një masë amorfe, e lëngshme që derdhet e merr formë në çdo enë. Mbeten një masë e paaftë për të kërkuar një të drejtë që u takon. Të tillë janë e do të mbeten edhe gjithë ata profesorë e akademikë nëpër shkolla e universitete bashkë me studentët e tyre (me respekt për ca përjashtime), që për 20 e më shumë vite sillen si struci. Profesorët universitarë vetëm kur (kohëve të fundit) iu rrezikuan rrogat e pozitat brenda universiteteve, vetëm këtë herë u ulën dhe nënshkruan një peticion, si në rastin e ndryshimeve të Ligjit për arsimin e lartë. Të tillë përjetësisht do të mbetet armata e studentëve që reagojnë nëpër Facebook për padrejtësitë që u bëhen brenda universiteteve, por as edhe një herë të vetme nuk u dëshmuan me iniciativa kolektive të organizuara për t’i dalë vetes zot. Nga kjo armatë e studentëve të tre universiteteve tona, asnjë herë të vetme nuk pati një protestë masive studentore të organizuar, që do ta sensibilizonte masën e gjerë, popullin, qoftë edhe për një çështje thjesht ekzistenciale si p.sh. kundër bixhozit, për ajër të pastër etj.
Krejt kjo, pra, që si popull na ka bërë shoqërisht e politikisht të vdekur, është rezultat i demagogjisë politike dhe i pacifikimit sistematik shumëvjeçar të përmendur më lart, që pushteti e ka mundësuar, kurse partia politike mbi 20-vjeçare pjesëmarrëse në pushtet edhe e ka miratuar, edhe vetë e ka zbatuar.
Vazhdon