Mbi përçarjet dhe skenat e teatrit politik

Letërsia, publicistika dhe gazetaria shqiptare është përplot shkrime me përmbajtje lutjesh për shpëtim drejtuar Krijuesit të gjithësisë. Shumë prej tyre janë shkruar gjatë viteve të para të pavarësisë, kur shqiptarët ia dolën, me sakrifica të mëdha, ta bëjnë një copëz Shqipërie, po dështuan me bërjen e shqiptarit, i cili qe adaptuar me jetën nën kërbaçin e të tjerëve dhe frikësohej prej lirisë si prej një gogoli. I katandisur kësisoj, përpara idesë së bashkimit ai vuri fragmentarizimin e trungut etnik, që solli më shumë përçarje  sesa bashkim. Kjo nxiti krijuesit atdhetarë të sfidojnë shkaqet e vakive haxhiqamiliste. Ndër ta u dallua Nonda Bulka me prozën “Lutje Zotit”, e cila, për fatkeqësinë tonë, duket si e shkruar sot.

Ta shijojmë dhe të reflektojmë bashkë:

Zot që je në qiell, dërgona urgjent mënd…
Dërgona mënd, o Zot, përndryshe merrna me këto që kemi.
Jepu shqiptarëvet vullnet dhe logjikë që të flasin shqip, të paktën kur janë në trojet e tyre. Se, siç kanë zënë ata, shpejt a vonë, do ta bëjnë atdhenë babiloni gjuhësh, ku s’do të marrë vesh qeni të zonë.
Vendos, o Zot, çdo njeri në vendin që i përket.
Mos lejo që veterinari të bëhet avokat, rrobaqepësi diplomat, gjykatësi letrar, doktori gjykatës, poeti politikan dhe politikani poet.
Meremetoje pak shtëpinë që na dhe peshqesh, se zuri myk, o i fuqiplotë!

Pa dyshim, lutjet si kjo portretojnë zhgënjimin dhe revoltën e më shumë brezave që e deshën atdheun me shkul shpirti në stinët kur rrezikohej ekzistenca e tij; që u përpoqën të mënjanojnë pengesat e udhës së ardhmërisë; që akuzuan hapur bashkëkombësit e pamarrë vesh, të cilët, si të ndjekur nga ndonjë mallkim hyjnor, çdo hap përpara e shoqëronin me nga dy-tre hapa prapa.

Dëshpë­rimi i tyre ishte i përmasave kozmike, sepse po aq e madhe ishte edhe përpjekja mbinjerëzore për mëkëmbjen e kombit të katandisur. Gati nuk mbeti rilindës që nuk e shprehu me shkrim brengën për mosbërjen e shqiptarit dhe mosbesimin e paskrupullt të një mase të konsiderueshme njerëzish, pa merak shqiptarizme dhe pa kulturë elementare politike…, kundrejt bijve më të mirë të atdheut, që, pasi e rikrijuan nga kurgjëja gysëmshtetin e tyre, u konsideruan të padenjë për t’i prirë përpara princvidëve dhe dumbabëve.

Për çudi, para syve tanë vazhdojnë të luhen të njëjtat skena të teatrit politik, si edhe shekuj e dekada më parë, por ne nuk u kushtojmë vëmendje sot, duke rezervuar gjithë të nesërmen për to. Këtë e arsyetojmë me të kollajshmen: na e bën tjetri…, pa e kuptuar se tjetri e ka për detyrë t’na mashtrojë, sa herë që na zë në gjumë dhe sa herë i japim shkas të bëjë hajgare me shpirtgjerësinë tonë të tepruar dhe trimëritë e ushqyera me këngët hit të tipit: S’ka shka m’ban bumja mue!?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.